Tregu i punës në Holandë, tashmë në lulëzim, ftesë shqiptarëve për punësim

May 22, 2018 | 22:15
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ndodhen në Holandë për një vizitë pune, ku u takuan me Kryetarin e Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb.

ec0b5fac-d53d-45a5-a3e6-747daddf4399

Që në fillim të takimit z.Aboutaleb, vlerësoi vizitën e autoriteteve të larta nga Shqipëria, si një mundësi shumë e mirë përveç të tjerave, për të parë nga afër si funksionon në Roterdam ai që quhet trekëndëshi i sigurisë komunitare: Bashki – Polici – Prokurori.

Përfaqësues të këtyre tre institucioneve dhe stafet e tyre, takohen rregullisht çdo javë për të diskutuar çështje të rendit dhe sigurisë në qytet, kjo edhe për peshën që ky qytet zë në Holandë. Ky takim, shtoi ai, është po ashtu një mundësi të trajtojmë së bashku çështje shqetësuese për të dy palët, e parë kjo në këndvështrimin e perspektivës së hapjes së negociatave BE – Shqipëri.

3502046d-2ec3-455c-b97a-51c4ed0810cf

Ministri Xhafaj theksoi se po shikon me shumë seriozitet mundësinë e caktimit të një oficeri të Policisë së Shtetit të dedikuar vetëm për Roterdamin. Ai iu referua eksperiencës shumë te mirë me Gjermaninë lidhur me funksionimin e Task Forcës Anti-skifter dhe hodhi idenë që kjo gjë mund të bëhet edhe me Roterdamin, pas analizave përkatëse të situatës.

 

Prokurori i Roterdamit i pranishëm në takim, u shpreh për ndërtimin e një marrëdhënie model për bashkëpunimin me Prokurorinë sa i takon çështjeve të hetimeve, ndjekjes penale dhe konfiskimeve të aseteve. Kjo do të na ndihmojë, shtoi ai, të ndërtojmë më shumë besim tek njëri- tjetri, të bëjmë më shumë progres. Ai po ashtu, hodhi idenë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj sakaq, e njohu Kryetarin e Bashkisë së Roterdamit me punën që ka kryer Shqipëria në reformimin e sistemit të drejtësisë, si një nga mjetet më efektive për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe trafikimin si dhe mbi ecurinë e procesit të vetingut dhe zbatimin e reformës në drejtësi.

Përfaqësuesi i Policisë, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë shqiptare, duke shtuar se Dokumenti i Bashkëpunimit do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në çështje konkrete, duke veçuar sidomos takimin në nivel ekspertësh për çështje të migracionit dhe konfiskimit të aseteve.

Në vijim Kryetari i Bashkisë, vlerësoi rekomandimin e KE për Shqipërinë duke shtuar se “ne do ta mbështesim Shqipërinë në këtë proces, duke ju dhënë njerëzve shpresë”.

Ai hodhi idenë e zbatimit të më shumë projekteve me karakter ekonomik, si një mënyrë e krijimit të vendeve të punës dhe largimit të të rinjve nga rruga e krimit. Ai preku po ashtu edhe çështjen e atyre që përpiqen të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, në kërkim të një mundësie më të mirë jetese atje.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe mundësitë e punësimit në mënyrë të ligjshme në Holandë, duke shtuar se tregu i punës është tashmë në lulëzim.

Ai i kërkoi Ministrit Xhafaj që përfaqësues të Policisë të vijnë në Holandë për periudha afat-shkurtra për të parë dhe analizuar nga afër problemet që ndeshen.

Ai shfrytëzoi edhe njëherë këtë takim për të shprehur kundërshtinë e tij, ndaj asaj që shpesh etiketohet si “krimi etnik”, duke shtuar se “ne po adresojmë me shumë vëmendje çështje të racizmit, diskriminimit, ashtu sikurse jam kundër profilizimit të krimit në terma etnikë”.

Ministri ndau të njëjtin mendim me Kryetarin e Bashkisë sa i takon tregut të punës, duke sjellë shembullin e Gjermanisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së Kryetarit të Bashkisë, Ministri Xhafaj, deklaroi se policët e parë që do të vijnë në Holandë, do të vijnë në Roterdam.

Ministri u prezantoi të pranishmëve një set dokumentesh, të cilat tregojnë rezultatet në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, azil kërkimit, migracionit të paligjshëm, etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura