Tregu i fondeve të investimit ra me 1.2% gjatë tremujorit të parë të vitit

May 9, 2022 | 10:43
SHPËRNDAJE

Fonde-investimi-768x384Tregu i fondeve të investimit pësoi një rënie të lehtë në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se asetet neto në fund të muajit mars kishin vlerën e 76.8 miliardë lekëve, në rënie me 1.2% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Burime nga tregu shpjegojnë se rënia e lehtë e tremujorit të parë ka ardhur kryesisht për shkak të shitjes së kuotave nga një person juridik, për nevoja të investimeve të aktivitetit të vet të biznesit. Duke përjashtuar ndikimin e konsiderueshëm që ka dhënë tërheqja e këtij subjekti, burimet bëjnë të ditur se tregu ka ndjekur një ecuri të qëndrueshme. Kjo dëshmohet edhe nga zgjerimi i numrit të anëtarëve në fondet e investimit. Statistikat tregojnë se në fund të muajit mars, numri i anëtarëve të fondeve të investimit ka arritur në pothuajse 41 mijë, me një rritje prej 1.9% që nga fillimi i vitit.

Vitin e kaluar, tregu i fondeve të investimit iu kthye ritmeve dyshifrore të rritjes, me 15.3%, pas një cikli disavjeçar në stanjacion. Përmirësimi i ndjeshëm i ekonomisë reale krijoi një klimë më të favorshme në drejtim të zgjerimit të investimeve financiare. Një ndikim pozitiv ka dhënë edhe përmirësimi i kthimeve nga investimi të fondeve, sidomos të atyre në valutë të huaj. Gjithashtu, një shtysë për rritjen e tregut ka ardhur nga hyrja e aktorëve të rinj në treg. Në periudhën 2020-2021, AMF ka licencuar gjashtë fonde të reja investimesh. Interesi për themelimin e fondeve të reja të investimit ka qenë i lartë, sidomos në monedhë të huaj. Në treg veprojnë aktualisht 12 fonde investimi, që administrohen nga 5 shoqëri të ndryshme, të kontrolluara kryesisht nga subjekte me eksperiencë në tregun bankar dhe atë të sigurimeve.

Këto fonde po tentojnë të eksplorojnë alternativa të reja investimi, sidomos për atë kategori investitorësh që janë të interesuar të diversifikojnë portofolet e tyre dhe të tentojnë kthime më të larta. Në këtë drejtim, tregu financiar vendas ngelet i kufizuar dhe fondet në lekë i përqendrojnë investimet e tyre kryesisht në Obligacione dhe Bono të qeverisë shqiptare.

Këto fonde përfaqësojnë një rrezik të ulët për investitorët, por nga ana tjetër edhe potencialet e kthimit nga investimi janë të kufizuara. Aktualisht, fondet e investimit në lekë kanë një profil të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe ofrojnë kthime pak më të larta se depozitat bankare. Shoqëritë administruese janë të interesuara për ta zgjeruar spektrin e investimeve edhe tek instrumentet e emetuara nga sektori privat.

Nga ana tjetër, fondet e investimit në valutë të huaj kanë një spektër më të gjerë të instrumenteve financiare, përfshi aksionet, por rreziku dhe luhatshmëria e kthimit nga investimi janë më të larta. Megjithatë, asetet e tregut vazhdojnë të jenë të dominuara nga fondet në lekë, që përbëjnë mbi 90% të vlerës së përgjithshme të tregut.

Rritja e shpejtë e normave të interesit në muajt e fundit përfaqëson në vetvete një sfidë për fondet e investimit, si për ata në lekë, ashtu edhe për fondet në valutë. Rritja e interesave në tregun primar ndikon negativisht në vlerën e tregut të instrumenteve ekzistuese në portofolet e fondeve, duke ulur kthimet për anëtarët./Monitor

tregu i investimeve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura