“Tregu” ballkanik i filmit sot në Tiranë, ç’po ndodh me kinemanë në rajon

Oct 2, 2017 | 14:39
SHPËRNDAJE

Ditët që po kalon kinemaja bashkëkohore europiane e sidomos ajo ballkanike, shkëmbimi i eksperiencave dhe mbi të gjitha “peshkimi” i partnerëve dhe bashkëfinancuesve, do të diskutohen në “treg” të përbashkët rajonal.

Producentë të suksesshëm, fitues çmimesh, do të ulen së bashku me kineastët shqiptarë e ata ballkanikë, për t’u treguar ca “sekrete” të zanatit. Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe nën patronazhin e EURIMAGES nis sot në Tiranë rrugëtimin e tij edicioni i parë i BALKAN FILM MARKET (BFM).

balkan-film-market-1

Organizatorët e konsiderojnë BFM një ngjarje unike për skenën ballkanike të filmit, jo vetëm se mbledh së bashku disa nga producentët më të suksesshëm të kinemasë europiane të viteve të fundit, duke përfshirë këtu fitues të Palmës së Artë të Kanës dhe Ariut të Artë në Berlin dhe çmimeve të tjera prestigjioze në botë, por edhe sepse u jep një mundësi reale kineastëve ballkanikë të prezantojnë projektet e tyre në zhvillim përpara tyre, me shpresën që të angazhohen seriozisht në përzgjedhje për bashkëpunimet e tyre të ardhshme nga rajoni i Ballkanit.

Në BFM do të marrin pjesë jo vetëm përfaqësuesit e qendrave të kinematografisë të vendeve të Ballkanit, por edhe shumë nga kompanitë dhe përfaqësuesit më aktivë në koproduksione të kinemasë ballkanike dhe asaj europiane. Italia do të jetë partneri kryesor i këtij edicioni dhe dhjetëra producentë e distributorë italianë kanë konfirmuar tashmë praninë e tyre në BFM.

“Gjatë ditëve të BFM do të zhvillohen një seri panelesh, që synojnë jo vetëm të hedhin dritë mbi situatën e kinematografisë bashkëkohore ballkanike, por edhe të japin zgjidhje dhe të inkurajojnë një hop madhor në bashkëprodhime rajonale, edhe me ato europiane.

Veç kësaj, një vend qendror do të zënë evente të financimit të filmave në zhvillim, si PITCH BALKAN, i ideuar si një forum i prezantimit të projekteve pjesërisht të financuar, por që janë në kërkim të mbështetjes së mëtejshme me anë të bashkëprodhimeve”, njofton Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në aspektin edukativ, bazuar dhe në edicionin e shkuar të workshopit të zhvillimit të skenarëve ALBASCRIPT, për BFM është ideuar formati i ri ALBASCRIPT PLUS, si një workshop i hapur tashmë për skenarë nga mbarë rajoni i Ballkanit.

“MINORITY CO-PRODUCTION PITCH është një kontribut direkt i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në inkurajimin e bashkëpunimeve të Shqipërisë me produksionet rajonale, me besimin që një hap i tillë do të ndiqet edhe nga vende të tjera të rajonit në vitet në vijim. BFM në esencë është eventi filmik më i rëndësishëm mbarëballkanik i dedikuar si mbështetje për autorët lokalë, për të prezantuar projektet e tyre në zhvillim”, bën me dije QKK.

Në edicionin e parë, BALKAN FILM MARKET do të ketë në fokus Italinë dhe do të përpiqet të shërbejë si një urë lidhëse mes saj dhe Ballkanit. Për këtë, në bashkëpunim me Ministrinë Italiane të Kulturës dhe Turizmit MIBACT dhe institucione të tjera italiane, si A.N.I.C.A. (Associazione Nazionale Industrie Cinematografiche Audiovisive E Multimediali), A.G.P.C.I (Associazione Giovani Produttori Cinematografici Indipendenti) Roma LazioFilm Commission, Apulia Film Commission, CNACinema e Audiovisivo do të zhvillohet programi FOCUS ITALIA, i cili fillon sot pasdite. BFM do të zgjasë deri në datën 7 tetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura