Tregtarët shqiptarë “braktisin” Turqinë, i drejtohen Kinës, bien ndjeshëm dhe eksportet

Jul 22, 2016 | 9:24
SHPËRNDAJE

Arbeni, tregtar veshjesh, që prej vitesh shkonte të paktën një herë në muaj në Turqi, i ka qëndruar larg vendit që jo vetëm po bëhet gjithnjë e më shumë pre e terroristëve, por edhe e konflikteve të brendshme. Që nga shpërthimit në Aeroportin e Stambollit, ai qëndroi në pritje të qetësimit të situatës.

turqi

Por grushti i shtetit i ditëve të fundit dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme i shuan shpresat se gjendja do të normalizohej shpejt. Së bashku me disa tregtarë të tjerë u nisën për në Kinë për të blerë mallra, pasi furnizimet po u mbaroheshin. “Është e vërtetë që rruga na kushton më shumë, por atje mund të blejmë gjëra të lira dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk rrezikojmë jetën”, thotë ai.

Mungesa e kërkesës nga importuesit është reflektuar dhe në tregun e brendshëm, ku ditët e fundit të gjitha valutat po shënojnë ulje në raport me lekun. Euro ka arritur në nivelin më të ulët të 6 viteve dhe dje zbriti nën 136 lekë, ndërkohë që edhe dollari  ra me 0.36 lekë. Tregtia me Turqinë dikur bëhej kryesisht në dollarë, por pas forcimit të tij edhe euro është kthyer në monedhë të preferuar.

Turqia është një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 5 mujorin 2016, importet nga ky shtet ishin rreth 130 milionë euro, me një rritje prej 10% me bazë vjetore, duke përbërë 12% të totalit. Turqia është partneri i katërt tregtar për importet pas Italisë, Greqisë dhe Kinës.

Produkti kryesor që importohet nga Turqia janë veshjet me gati 20% të totalit, të ndjekura nga makineritë dhe pajisjet, drithërat, produkte farmaceutike etj.

Rëndësia e saj për eksportuesit është më e vogël, po gjithsesi eksportet kanë filluar tashmë ta ndiejnë krizën. Drejt Turqisë eksportet ishin vetëm 3 milionë euro për 5 mujorin, duke rënë ndjeshëm në krahasim me 33 milionë euro që ishin në janar-maj 2015.

Kjo rënie ka ardhur si rrjedhojë e tkurrjes së fortë të eksporteve të gizës e çelikut (pas falimentit të Kurum), por edhe produktet e tjera kanë parë frenim, si bimët medicinale, produktet e plastikës, perla, lëkurët e papërpunuara, veshjet, lëndët djegëse etj.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura