Tregtarët letër Ramës, ulni TVSH, mbaj premtimin për ushqimet bazë

Nov 20, 2015 | 8:39
SHPËRNDAJE

Shqiptarët paguajnë TVSH-në e ushqimeve bazike dyfish më shumë se një shtetas britanik, që TVSH-në për ushqimet e ka zero, apo një francez që paguan 5.5 për qind.

protesta1Tregtarët, në një letër të hapur, i kërkojnë Kryeministrit Rama të mbajë premtimin e programit elektoral të vitit 2013 për përgjysmimin e TVSH-së në ushqimet bazë të shportës.

Kryetari i Shoqatës në Mbrojtje të Tregtarëve dhe Tregut, Nikollaq Neranxi, në letrën drejtuar Kryeministrit kërkon arsyet e mosmbajtjes së premtimit, pasi ky premtim i bërë në 2013-n nuk u reflektua as në Paketën Fiskale 2016.

Biznesi argumenton këtë kërkesë, duke u nisur dhe nga vendet e BE-së, të cilat aplikojnë taksë TVSH-je shumë të ulët për ushqimet. Për biznesin, ulja e TVSH-së ndihmon familjet me të ardhura të ulëta, rrit konsumin dhe nxit rritjen e tregtisë me shumicë dhe pakicë.

Kreu i Shoqatës sugjeron se paratë që do t’i mungojnë buxhetit nga ulja e TVSH-së për ushqimet, të kompensohen me rritjen e TVSHsë për produktet e luksit.

LETRA E PLOTË

I nderuar z. Kryeministër, Në programin e qeverisë për vitet 2013- 2017, paraqitur në Kuvend më 13 shtator 2013, mes të tjerash ju jeni angazhuar të përgjysmoni Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ushqimet jetike të shportës (fq.43), ato që janë bazë e konsumit të përditshëm të qytetarëve që ju keni marrë përsipër të drejtoni, por që minimalisht si fillim, duhet t’u krijoni mundësinë t’i ushqeni.

Por gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes suaj, si dhe diskutimit të treguesve të projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2016, nuk shohim hapa konkretë të qeverisë për të përmbushur këtë pikë të programit, e cila ndër të tjera ishte edhe një nga premtimet tuaja gjatë fushatës elektorale që ju solli në pushtet. Qeveria ende nuk ka përgatitur dhe paraqitur për miratim dhe votim në Kuvend projektligjin për uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, nga 20% që është aktualisht, të paktën të shkojë në 10%.

Qeveria nuk i ka bërë publike arsyet pse i është shmangur angazhimit programor të saj, ndërkohë që reduktimi i TVSH-së për ushqimet bazë, u vjen në ndihmë kryesisht familjeve të varfra dhe atyre me të ardhura të ulëta.

Për fat të keq, jo vetëm ju, por në të gjitha qeveritë e pasviteve ‘90, nuk është marrë asnjëherë në konsideratë “minimumi jetik” apo “kufiri i varfërisë”. Sipas INSTAT, numri mesatar i familjeve që marrin ndihmë ekonomike në vitin 2014 arrin në 78.071, me rreth 350-400 mijë anëtarë.

Nga llogaritjet del se masa e ndihmës ekonomike është rreth 100 lekë të rinj për një familje (jo për person) në muaj! Ky grupim i madh shoqëror paguan njëlloj si dhe grupet e tjera, një TVSH prej 20%. Masat efektive për nxjerrjen nga situata e vështirë ekonomike e këtyre familjeve janë hapja e vendeve të reja të punës dhe rritja e pagesës financiare mujore, por ndikimin e vet të tërthortë e jep edhe reduktimi i TVSH-së për ushqimet bazë.

Sipas INSTAT-it, shpenzimet për ushqimet në familjet shqiptare zënë mesatarisht 44,3 % të shpenzimeve në total, por kuptohet për familjet me ndihmë ekonomike dhe me të ardhura të ulëta, ato zënë thuajse 90-100%. Përgjysmimi i TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, do të ndikojë sadopak në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të familjeve të varfra dhe me të ardhura të ulëta financiare, pasi do të rritet konsumi në sasi dhe llojshmëri i ushqimeve.

Përgjysmimi i TVSH së për ushqimet më jetike të shportës do të sjellë efekte në rritjen e qarkullimit të mallrave dhe parasë në rrjetin e shitjeve me pakicë, pasi nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë del se konsumi ka ardhur në rënie.

Reduktimi i TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, do të rrisë kërkesën për më shumë artikuj ushqimorë me origjinë bimore dhe shtazore të vendit, do të ndikojë në zhvillimin e bujqësisë në tërësi dhe të industrisë agroushqimore, si dhe të tregtisë me pakicë në veçanti.

Siç jeni në dijeni, në vendet e BE-së aplikohet heqja e plotë dhe reduktimi i TVSH-së për ushqimet bazë dhe për artikuj apo shërbime të tjera që janë të nevojës së parë në jetën e njeriut. Britania e Madhe, p.sh., e ka 0% TVSH-në e ushqimeve bazë, Spanja 4%, Hungaria, Kroacia 5%, Franca 5.5 %, Gjermania 7 %, Rumania 9 %, Sllovenia 9.5 për qind, etj.

Shqipëria si një vend që aspiron për t’u futur në BE, duhet të ndjekë linjën e vendeve me ekonomi tregu të konsoliduar, të cilat diferencojnë TVSH-në për ushqimet bazike. Rritja e konsumit të artikujve ushqimorë do të ndikojë në kompensimin e të ardhurave buxhetore që do të mungojë nga reduktimi i normës së TVSH-së për ushqimet bazë.

Megjithatë, të dhëna më të sakta do të dalin pas llogaritjeve me treguesit përkatës. Ne shprehim gatishmërinë për të gjetur zgjidhje sa më efektive, duke ju sugjeruar gjithashtu që paratë që do t’i mungojnë buxhetit të shtetit nga ulja e TVSH-së për ushqimet, të kompensohen me rritjen e TVSH-së për produktet e luksit.

Me bindjen se do ta gjeni të vlefshëm propozimin tonë

Me respekt,

Nikollaq Neranxi

Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura