Tregjet dhe bizneset mbyllin qepenat, tregtarët: Na rriten kostot, po falimentojmë

Apr 10, 2018 | 16:00
SHPËRNDAJE

Bizneset e vogla kane protestuar sot per 60 minuta kunder vendimit te fundit te qeverise per te futur ne skemen e deklarimit te TVSH-se te te gjitha atyre njesive ekonomike qe kane xhiro mbi 2 milione leke ne vit.

Ne te gjithe tregjet e vendit tregtaret kane ulur qepenat duke deklaruar se me kete vendim kostot per ata rriten dhe i con drejt falimentimit.

Ne mbeshtetje te tyre kane qene edhe deputetet e Partise Demokratike dhe Levizjes Socialiste per Integrim.

Gjate protestes ne nje nga tregjet e Tiranes deputetja Jorida Tabaku deklaroi se “Një qeveri që dhunon sipërmarrjen përmes taksave të larta nuk është më një qeveri e shumicës së qytetarëve por e një pakice që përpiqet të imponohet me dhunë. Sot jemi në krahun e atyre që vendosin lirinë e tyre dhe të sipërmarrjes së lirë mbi dhunën arbitrare të një pushteti gati diktatorial. Taksat as nuk kanë qenë dhe as nuk janë gjoba e qeverisë karshi sipërmarrjes sikundër kjo qeveri mendon dhe vepron”.

“Shteti po e shtrëngon sa më shumë. Po ia pi gjakun tregtisë. Asgjë nuk po formalizohet, por po falimenton çdo gjë. Ne vetëm nxjerrim lek, derisa tani do të dorëzojmë çdo gjë. Se nuk mundemi. Që kur ka hyrë 15 janari, ne po e mbyllim dyqanin me minus”, deklaroi nje protestues.

“Nuk mund të kalojë biznesi i vogël me TVSH. Njerëzit nuk kanë bukë të hanë. Ne na duhet tani një ekspert kontabël dhe në mënyrë shoqërore më tha do të të kërkoj 30 mijë lekë. por ekspertët e tjerë kërkojnë minimalisht 50 mijë lekë për deklarimin e TVSH-së”, deklaroi një tjetër tregtare.

 

basha1

***

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, zhvilloi dje takime me përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe më pas mblodhi kryesinë dhe Grupin Parlamentar të PD-së, ku edhe u vendos qëndrimi që PD do të mbaj në këto protesta.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Grupit Parlamentar të PD-së, bëjnë me dije se deputetët e opozitës do të jenë në mbështetje të biznesit të vogël në protestën që ata do të zhvillojnë sot, duke ulur qepenat për 60 minuta.

Do të jenë disa tregje kryesore në kryeqytet, në të cilat deputetët e PD-së do të mbështesin protestën e biznesit të vogël. Sipas burimeve, deputetët demokratë do të jenë në tregun e Medresesë, tregun Elektrik, tregun Çam dhe në tregun industrial. Biznesmenët e vegjël që tregtojnë mallra në këto tregje kanë rënë dakord që t’i bashkohen protestës, duke ulur qepenat nga ora 11:00 deri në orën 12:00. Ndërkohë, PD pritet të vërë gjatë kësaj jave edhe njëherë në zbatim skenarin e bllokimit të rrugëve.

TAKIMI

Premtimin se biznesi do të ketë mbështetjen e opozitës, Basha ia dha përfaqësuesve të biznesit të vogël në takimin që zhvilloi me ta në mesditë. Sipas Bashës, askush nuk duhet të ketë frikë nga kërcënimet e qeverisë për arrestime.

“Mbështesim thirrjet tuaja. Nuk pret më koha. Fjalët nuk kanë për ta ndryshuar më këtë realitet. Duhet veprim dhe qëndresë. Të enjten, kur qytetarët bllokuan 4 akset rrugore dhe ne ishim dhe do të jemi në krah të tyre, siç do të jemi në krahun tuaj në Tiranë, Fier e Korçë u ulën qepenat dhe unë dua t’i përshëndes e t’i përgëzoj të gjithë ata sipërmarrës të vegjël që ndërmorën këtë akt mosbindjeje qytetare, këtë akt proteste me uljen e qepenave. Ju bëj thirrje t’i bashkoheni aksionit që ndërmerr Shoqata e Biznesit të Vogël dhe Shoqata për Mbrojtjen e Tregut, nga ora 11 deri në orën 12, mbylljen e qepenave në mbarë Shqipërinë. Të ngrihemi të gjithë dhe t’i refuzojmë. Bashkimi i qytetarëve në protestë për të drejtat e shkelura kundër padrejtësisë dhe grabitjes, është i pathyeshëm dhe ne do të jemi në krahun tuaj dhe nuk na frikëson dot Edi Rama me hetuesinë politike. Le të vijnë të më arrestojnë mua të parin. Nuk na arrestojnë dot të gjithëve. Nuk ju arrestojnë dot të gjithëve, mos kini frikë. Ngrihuni! Nuk ka rrugë tjetër. Këto janë tipare të një regjimi, të një bande kriminale që ka një moto. Grabiti shumicës dhe jepi pakicës. Dhe kjo është e dyta e vërtetë e futjes së TVSH-së për biznesin e vogël”, tha Basha.

Kreu i PD-së premtoi se kur demokratët të vijnë në pushtet, do të kenë një plan shumë më miqësor me biznesin e vogël. “Plani ynë parashikon rritjen e nivelit të të ardhurave të biznesit të vogël, që të nxirren jashtë skemës së TVSh-së në 12 milionë lekë të reja, ose 120 milionë lekë të vjetra. Deri në 120 milionë lekë të vjetra në vit, biznesi do të paguajë 0.5 % të xhiros taksë vjetore, me 3 këste dhe me vetëdeklarim. Do të ketë një pullë fiskale, e cila do të demonstrohet në ambientet e jashtme dhe kjo pullë e cila vërteton edhe pagesën me vetëdeklarim të 0.5 % të xhiros, do të jetë njëkohësisht edhe urdhri që çdo inspektor të rrijë larg ambienteve të biznesit të vogël dhe të mesëm. Kjo është platforma jonë për biznesin e vogël. Ne besojmë se në këtë mënyrë do të krijojmë një klimë miqësore për biznesin e vogël”, tha Basha.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura