Trebeshina ose liria që na mungon

Jan 15, 2016 | 15:04
SHPËRNDAJE

Viti 2016 për shkrimtarët është bujar, sepse mbart mbi supe shenja letrare të pazakonshme. Do të mjaftonte fakti që këtë vit, më 23 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, është 400- vjetori i ndarjes nga jeta e dy gjigantëve të letërsisë botërore, Shekspirit dhe Servantesit.

Një kalendar letrar i ngjeshur është edhe për letërsinë shqipe. Në këtë vit, mbushen 450 vite nga lindja e Pjetër Budit, poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe. Në vitin që kemi hyrë, është 150-vjetori i vitlindjes së Naim Frashërit, poetit tonë kombëtar. Po në këtë vit, më 8 gusht 2016, Kasëm Trebeshina mbush 90 vjeç. Një shans që duhet të vërë në mendime shoqërinë, institucionet, për të nderuar veten duke e shpallur 2016-n, si VITI I TREBESHINËS.

Shkrimtari Kasem Trebeshina
Shkrimtari Kasem Trebeshina

Kemi 85- vjetorin e Dritëro Agollit, Alfred Uçit, po ashtu edhe 80-vjetori i Ismail Kadaresë etj., përvjetor të figurave të letrave shqipe. Midis tyre, Budi, poeti pa varr, me jo pak mundime, shtrembërime, “zbulimesh” të reja, që diheshin prej kohësh, është pjesë e letrave shqipe. Naim Frashëri, edhe pse poet kombëtar, një pjesë e veprës u lexua me kufizime ideore, por nuk e rrëzuan nga froni. Kuptim të veçantë, më tepër sesa simbolik, do të merrte përkujtimi i jetës dhe veprës letrare të Trebeshinës, një akt që na vendos në marrëdhënie me lirinë.

Trebeshina, shkrimtari bashkëkohor, me jetë të vështirë, kaluar nëpër burgje dhe internime, edhe pas 25 vitesh demokraci, endet si legjendë e gjallë, pa mundur që të jetë pjesë e letrave shqipe. Trebeshina, anatemuar dje, me heqje lirie, me ndalim të veprës letrare, i dënuar që të mbyllet në kullën e fildishtë. Trebeshina, anatemuar dhe lënë në harresë sot, edhe në vitet e ndryshimit të sistemit politik, nuk është botuar në të gjitha përmasat shkrimore.

Ende vijon të jetë i palexuar për pjesën e veprave të botuara. Lexuesi shqiptar, rast pas rasti, përmend vetëm prozën “Odin Mondvalsen”, ndërkohë që janë botuar me dhjetëra vepra të shkrimtarit, mbase edhe prej vënies në skenë nga Teatri i Korçës. Është folur për autorin, megjithatë ka vijuar leximi biografik i veprës, janë shkruar edhe libra, madje ndokush ka mbrojtur edhe doktoraturën me jetën dhe veprën e Trebeshinës.

Pavarësisht “rikthimit” ilegal të veprës letrare të autorit, sërish institucionet e kulturës, të arsimit, të teatrit shqip (ndonëse Trebeshina ka shkruar mbi 80 tekste dramatike), të të gjitha niveleve, kanë mbetur të ftohta, po aq të ngurta si më parë, aq sa as emrin nuk kanë kurajë të shqiptojnë publikisht! Në kushtet kur jemi të lirë, të dehur me liri, sa mund të bëjmë çfarë të duam, të vrasim, të presim, të qeshim me mjerimin, ndonëse ende nuk jemi të lirë të mendojmë ndryshe, duhet shënuar një ndryshim sado i vogël.

Realisht nuk jemi të lirë, se në letër, ka vite që jemi kampionë të lirisë, mbase të lirisë pa limit. Në lidhje me Trebeshinën, Pipën, Camajn, Pashkun etj. , nuk jemi të lirë, sepse institucionet e kulturës dhe të arsimit vazhdojnë që të jenë peng i leximit ideologjik dhe biografik. Leximi ideologjik dje, e burgosi Trebeshinën dhe të tjerët, me mungesë lirie. Leximi biografik sot, linja më e mjerë e leximit ideologjik, kërkon që ta lërë jashtë letrave shqipe.

Nëse, anathema, dje dhe sot, e la jashtë rrjedhave, viti zero, leximi allashqiptarçe me një shkrimtar, ose me nga një gjeni në çdo javë, nuk ka gjasa që ta nxjerrë jashtë loje letërsinë, tekstin që udhëton për te njeriu, në pakohësi dhe gjithëhapësi. Nga korpusi letrar i Trebeshinës do të mjaftonte epopeja “Kënga Shqiptare”, me 5 vëllime, me 1754 faqe, që zbërthen nyjen gordiane, se cila ishte e vërteta mbi luftën e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, për të qenë në krye të vlerave letrare, ligjëruar në gjuhën shqipe.

Në historinë e letërsisë shqipe, “Kënga Shqiptare”, ka të ngjashme, për nga karakteri dhe madhështia, poemën “Lahuta e Malcis” të At Gjergj Fishtës. Simbolika e vitit letrar, për Trebeshinën apo për secilin shkrimtar, të lënë në hije, në harresë dhe mungesë komunikimi, ka kuptim që të flitet. Të flasësh për Trebeshinën, veprën e gjerë letrare, është detyrë për hir të letrave shqipe dhe për autorin.

Të kthesh vëmendjen nga vepra letrare e tij, i bën nder letërsisë shqipe dhe kthen në gjirin e saj një vlerë të munguar, një vlerë shkrimore të pazakontë. Trebeshina është autori, që përmbush përmasën e shkrimtarit disident, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Megjithatë, edhe xhaketën e disidentit e flaku tej, për të mbetur në marrëdhënie me letërsinë, së cilës i dha aq shumë, në poezi, prozë dhe dramatikë… Mjerisht, puna me Trebeshinën, ndër ne që flasim kaq shumë për lirinë, megjithëse duke mbetur skllevër të pandreqshëm, para se çështje e letërsisë, është marrëdhënie me lirinë. Trebeshina, në një kuptim, është liria që na mungon, është ëndrra gjysmake, ku ende gjysmë të vërtetat shqiptohen si liria më sublime.

BEHAR GJOKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura