Tre të armatosur terror në lokal, dyshohen vrasës me pagesë/ Arratiset pronari, Policia nis verifikimet një javë pas ngjarjes. Ja kush ishte objektiv i sulmit

Nov 22, 2021 | 18:59
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Tre persona të maskuar dhe të armatosur me armë kallashnikov kanë hyrë në një bilardo në një lokal në fshatin Zejmen të Lezhës, duke terrorizuar tre të rinj që po qëndronin në atë ambient në orët e vona të natës.

Sipas burimeve pak minuta pas ngjarjes, një patrullë Policie rastësisht ka shkuar dhe ka mbyllur lokalin, i cili qëndronte i hapur dhe pas orës policore, por asnjë nga personat që janë gjetur aty nuk kanë treguar apo denoncuar atë çfarë kishte ndodhur. Ndërkohë, pronari i lokalit, Ani Kola dhe personat e tjerë, të cilët ndodheshin brenda në momentin e ngjarjes, vijojnë të jenë më arrati duke mos bashkëpunuar me Policinë. Policia u vu në lëvizje një javë pas ngjarjes, vetëm pasi pamjet u bënë virale në media e rrjete sociale. Policia identifikoi menjëherë lokalin dhe personat që kishin qenë brenda, por kur shkuan mbrëmjen e së premtes për të kryer veprimet e gjetën të mbyllur biznesin dhe pronari e personat e tjerë nuk u gjeten në banesa.

VERIFIKIMET

Sipas burimeve, Policia ka hapur forcërisht lokalin dhe ka sekuestruar serverin e kamera të sigurisë, të cilat kanë filmuar ngjarjen. Gjithashtu, janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë të objekteve të tjera në zonë për të para lëvizjet para dhe pas ngjarjes. Dyshimet janë se pjesë grupit të personave të maskuar dhe armatosur kane qene dhe dy të tjerë, por nuk kanë hyre brenda lokalit. Ata mendohet se kanë pritur në ambientet e jashtme të ndërtesës, ku kishin ndaluar dhe makinën.

Nga veprimet hetimore të deritanishme ka dyshime të forta se tre personat me maska në kokë e kallashnikovë në dorë mund të jenë dërguar si vrasës me pagesë, por nuk e gjeten në lokal objektivin e tyre, ndaj pasi përfundojnë verifikimet, ata ikin të qetë pa marrë dhe dëmtuar asgjë. Por, mister mbetet fakti se pse pronari i lokalit nuk e ka denoncuar ngjarjen në Polici e madje duke iu fshehur forcave të rendit. Ndaj 25-vjeçarit Ani Kola dhe tre të rinjve që ndodheshin në lokal është ngritur akuza për “Moskallëzim krimi”. Ata dhe si tre personat që bënë terror me kallashnikov në dorë ndodhen në arrati. Policia e Lezhës thotë se po punon për gjurmimin e tyre.

NGJARJA

Policia reagoi zyrtarisht për ngjarjen menjëherë pas publikimit të pamjeve në media, ku disa persona të armatosur hyjnë në një lokal, në aksin e vjetër Lezhë-Milot. Në reagim për ngjarjen, Policia thotë se rasti është regjistruar më 13 nëntor, duke theksuar se personat e armatosur dhe të maskuar, “dyshohet se kanë pasur konflikt me pronarin e këtij lokali, i cili nuk ka qenë prezent”. Drejtoria e Policisë Lezhë sqaroi gjithashtu, se ngjarja nuk është raportuar në Polici, si dhe nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka pasur vjedhje, as persona të dëmtuar.

Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve A.K. ,25 vjeç, banues në Zejmen, pronari i lokalit, F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, kryer në bashkëpunim. Nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon puna intensive për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura