Tre fitoret e Ramës, dy votat e opozitës dhe kryetari i ri

Sep 11, 2017 | 10:52
SHPËRNDAJE

akil krajaAKIL KRAJA

Edi Rama, pasi arriti të fi tojë një maxhorancë absolute, kërkon tanimë të ketë dhe një opozitë nule. Votimi i djeshëm ka vetëm një mesazh. Edi Rama kërkon pushtet absolut. Lajmi dje ishte emërimi i një Kryetari Parlamenti që duket se e ka të ndaluar të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerit kryesor të kombit shqiptar, për shkaqe që lidhen me krimin e organizuar e korrupsionin.

Mospjesëmarrja e Ambasadorit Lu në seancën e votimit të djeshëm ishte një mesazh i qartë i qëndrimit amerikan. Lajmi dje ishte emërimi i një Kryetari Parlamenti që ka një të shkuar të rëndë politike gjatë regjimit komunist, në veçanti lidhur me vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. Protesta e ish-të përndjekurve politikë dëshmon prerazi se Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar. Lajmi dje ishte se në krye të Kuvendit të shqiptarëve u emërua një personalitet që nuk gëzon mbështetjen e nevojshme për të drejtuar procesin e legjiferimit shqiptar. Simbolika është shumë e madhe.

Fuqia e ligjit nuk është te sanksionet që e ndjekin, por te perceptimi që ato janë të drejta, të barabarta për të gjithë e në shërbim të unitetit kombëtar. Kushtetuta, në preambulin e saj zotohet në “mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror”.

Emërimi i një Kryetari të Kuvendit të shqiptarëve, mbrojtës i palëkundur i kriminalizimit, të kanabizimit e të korrupsionit të legjislaturës së kaluar, njëherazi përfaqësues i lartë i nomenklaturës komuniste dhe me gjasa persona non-grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është thellësisht kundra dinjitetit dhe personalitetit njerëzor, kundra solidaritetit të nevojshëm që e mban të bashkuar një komb. Emërimi i djeshëm është thellësisht një poshtërim i frymës kushtetuese shqiptare, është antimoral, antidemokratik dhe antikombëtar.

Mbulimi i këtij lajmi kërkonte një “Kurban” të madh. Dhe ato janë dy votat e tjetërsuara të opozitës. Në secilin prej skenarëve, gjatë numërimit apo gjatë votimit, mesazhi i djeshëm është i qartë. Rama kishte nevojë për një diversion politik, një karrem për të tërhequr opinionin publik, kishte nevojë për një antilajm. Dhe ia doli… Së pari, ia doli të fitojë mbi legjislativin.

Rama dëshmon se ekzekutivi i tij zotëron të gjitha armët e nevojshme proceduriale, politike apo financiare për të nënshtruar Parlamentin nën diktatin e tij. Ai duket sikur kërkon të tregojë se është i aftë ta nënshtrojë Parlamentin jo vetëm me votat e deformuara të 25 qershorit, por dhe duke tjetërsuar votat brenda mureve të tij. Le t’i shtojmë këtu dhe emërimet e reja në sistemin gjyqësor për shkak të reformës në drejtësi, Rama po ia del të gllabërojë nën një pushtet pothuajse absolut ekzekutivin, legjislativin e gjyqësorin shqiptar. Një regres i kobshëm ky që na çon plot 75 vite pas.

Së dyti, në lidhje me popullin opozitar. Ai po investohet në gjithçka që opozita të dobësohet, të keqkuptohet, të dyshohet, të paragjykohet, të përçahet, të shfrytëzohet si diversion për shkeljet e tij. Me 74 deputetë, Rama nuk kishte asnjë nevojë për ato dy vota të tjetërsuara, por vetëm për hijen e dyshimit që ato do të ngrinin mes demokratëve të zhgënjyer nga humbja e qershorit. Kombinuar me censurën mediatike që ndoqi fjalën e opozitës gjatë protestës paralele, Rama ia doli t’i frynte zjarrit propagandistik në shërbim të kapjes absolute të çdo pushteti nga ana e tij, mediat përfshirë.

Së treti, tanimë që dhe Blushin e la jashtë Parlamenti, Rama ia doli të Rilindte të shkuarën më të ndritur të “Partisë Socialiste” si një grup në shërbim ekskluziv të liderit suprem. Kryetari i ri Kuvendit është garancia e timonierit se nëse anija mbytet, ai nuk do të jetë i vetëm. Nëse bie Rama, ai kërkon t’u thotë socialistëve se me mua bini të gjithë: nostalgjikë, nanoistë, mjaftistë, rilindas… 80 votat e djeshme janë 80 vota bashkëfajësie për të pranuar kthimin në krye të Kuvendit të shqiptarëve të një ish-komunisti, të një antiamerikani, të një “killeri politik”, i cili fitoi në Fier me financat e kanabisit plot 10 deputetë! Rama u thotë të tijve se ky është modeli i vetëm në partinë e tij. Rama po ia del nga pak të Rilindë pushtetin absolut në duart e një njeriu të vetëm.

Lajmi i Kryetarit të ri të Kuvendit u mbyt nga lajmi i votave të tjetërsuara të opozitës. Së bashku, këto mbytën lajmin e tragjedisë demokratike që po ndjek instalimin e një regjimi “ramist” në legjislaturën e katër viteve të ardhshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura