Tre filma shqiptarë për “Oscar”, tenton “Burrnesha” për Italinë

Sep 28, 2015 | 12:22
SHPËRNDAJE

Një film i tretë shqiptar pritet t’i shtohet listës së kandidaturave për trofeun e filmit më të mirë të huaj “Oscar 2016”.

Krahas “Botës”, që përfaqëson Shqipërinë, “Babait”, që përfaqëson Kosovën, një tjetër film me një histori e aktorë shqiptarë është në garë për të fituar kandidaturën për Italinë. Bëhet fjalë për filmin “Burrnesha” (“Sworn Virgin”), i mbështetur në romanin e shkrimtares Elvira Dones, me po të njëjtin titull.

Nga filmi “Bota”
Nga filmi “Bota”

Nën regjinë e italianes Laura Bispuri dhe skenar të Francesca Manierit, “Burrnesha” është në garë bashkë me filmat “Latin Lover”, “Leopardi”, “My Mother”, “You can’t save yourself alone”, “Per amor vostro”, “The wait” “Blood of my Blood” dhe “Non essere cattivo”, të cilët do të vlerësohen nga një juri, në përbërje të të cilit janë Nicola Borelli, Nicola Piovani, Stefano Rulli, Gianni Canova dhe Natalia Aspesi.

“Burrnesha”, një film që flet për historinë e një prej “virgjëreshave të betuara” të Veriut të Shqipërisë, që tenton të sfidojë fatin e saj, ka pasur premierën botërore në edicioni e 65-të në Festivalin e Filmit, Berlinale. Është shfaqur në Itali, ndërsa në Shqipëri, edhe pse mes producentëve të shumtë të saj është edhe Kosova e Shqipëria, nuk është shfaqur ende. Filmi “Burrnesha” vjen si bashkëpunim edhe i dy shtëpive filmike shqiptare, ku përfshihet edhe “Erafilm”, me producentë Sabina Kodrën dhe Robert Budinën, po ashtu producentë të filmit “Bota”, që do të përfaqë- sojë Shqipërinë në “Oscar 2016”.

Dhe nëse Italia do të vendoste për “Burrneshat”, do të ishte një sukses për “EraFilm”. Për realizimin e filmit “Burrnesha” kanë ndihmuar kompanitë italiane “Vivo Film” me producentë Gregorio Paonessa dhe Marta Donzelli; “Colorado Film Producion” me producent Alessandro Usai; si dhe “Bord Cadre Film” (Zvicër) me producent Dan Wechsler; “Match Factory” (Gjermani) me producentë Michael Weber e Viola Fügen. N? rolin kryesor luan aktorja italiane Alba Rohrwacher, ndërkohë që në krah të saj interpretojnë aktorët shqiptarë Flonja Kodheli, Bruno Shllaku, Luan Jaha dhe Ilire Vinca Çelaj. Marrin pjesë edhe dy vajza t? reja nga Valbona e Tropoj?s, Drenica dhe Dajana Selimaj.

“BOTA” PËRFAQËSON SHQIPËRINË

Vetëm pak ditë më parë, Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri u njoftua se filmi “BOTA”, me regji të Iris Elezit, Thomas Logorecit, do të prezantojë Shqipërinë në garën për filmin më të mirë të huaj në “Academy of Motion Picture, Arts and Sciences – 2016”.

Një produksion i shtëpisë kinematografike “EraFilm” do të marrë pjesë në edicionin e 88-të të çmimeve “Oscar”, finalja e të cilit do të zhvillohet në datën 28 shkurt 2016. Interpretojnë Artur Gorishti, Fjoralba Kryemadhi, Flonja Kodheli, Tinka Kurti etj.

Filmi ka fituar disa çmime. Është shpallur filmi më i mirë në programin “East of the West” në Festivalin Ndërkombëtar në Karlovy Vary, në Republikën Çeke; çmimin special të jurisë në “South East European Film Festival” në Los Angeles, çmimin e publikut dhe “FIPRESCI” në “Reykjavik film festival”. Javën që shkoi fitoi çmimin si filmi më i mirë artistik në Festivalin Ballkanik në Pogradec.

Krahas “Botës”, një tjetër film që kishte aplikuar ishte “Amanet” me skenar dhe regji të Namik Ajazit. Komisioni që mori në shqyrtim të dy filmat përbëhej nga Ilir Butka, kryetar, Saimir Kumbaro, Ylljet Aliçka, Fatmir Koçi, Artan Minarolli, Genc Përmeti dhe Dionis Papadhimitri, anëtarë.

KOSOVA SHKON ME “BABAIN”

Kosova e ka zgjedhur më parë se kë do të çojë për “Oscar”. Bëhet fjalë për filmin “Babai”, me regji të Visar Morinës. Rrëfimi për vitet ’90, i cili vjen nën interpretimin e aktorëve Val Maloku dhe Astrit Kabashi, në rolet kryesore, ka mbledhur më shumë vota nga Komiteti Selektues i përbërë nga Arben Bajraktaraj, Blerta Zeqiri, Ilire Vinca, Zymber Kelmendi, Sevdije Kastrati, Shkumbin Istrefi dhe Alban Muja.

“Ndihem shumë i nderuar që Qendra Kinematografike e Kosovës më dha detyrën që të përfaqësoj Kosovën në ‘Oscars'”, është shprehur për “Zërin”, Visar Morina, regjisor i filmit “Babai”.

Në “Filmfest Munchen” ky film mori çmimet “Regjisori më i mirë”, “Skenari më i mirë”, “Aktori më i mirë”, “One Future Prize” dhe në festivalin ndërkombëtar të filmit Karlovy Vary fitoi çmimin për “Regjinë më të mirë”, si dhe çmimin “Europa Cinemas Label”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura