Tre filma në Kopenhagen, Genc Përmeti: Pse të huajt e pëlqejnë Xhanfize Kekon

Nov 21, 2018 | 11:40
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Mimoza Llastica”, “Kur po xhirohej një film” dhe “Tomka dhe shokët e tij” janë shfaqur këto ditë në Kopenhagen.

genc permeti

Përgjatë muajit nëntor, Instituti Danez i Filmit ka organizuar projeksionin e tre prej filmave të regjisores shqiptare, Xhanfize Keko. Producenti Genc Përmeti, i cili ka të drejtën e distribuimit të krijimtarisë së regjisores, flet për takimin, për të veçantat që kritika e huaj ka gjetur në veprën e kineastes shqiptare, si i ka “devijuar” ajo dogmës së realizmit socialist, duke bërë që filmat e saj të ndiqen edhe sot, si dhe për aktivitetet dhe programet e mëtejshme. Po ashtu, Përmeti flet edhe për iniciativën e “censurimit” të filmave të para ’90- ës. Ai e krahason me prohibicionin në Amerikë në vitet ’20.

mimoza llastica

Si i “bindët” të huajt për këtë projeksion, kur edhe vetë shqiptarët nuk i vlerësojnë më filmat e para ‘90- ës? Cilët filma u shfaqën dhe si u pritën?

Përgjatë muajit nëntor, Instituti Danez i Filmit ka programuar për herë të parë një trilogji për autoren tonë Xhanfize Keko. Është hera e parë që një tempull i kinemasë i këtij niveli i atribuon një hapësirë të tillë një autori nga vendi ynë. Në hapësirën që i dedikohet me trilogji apo retrospektiva emrave si Bergman, Spike Lee dhe Pasolini, i bashkohet dhe Xhanfize Keko me tre tituj. Kjo përzgjedhje nuk ishte një rastësi, por një vijim logjik i interesit në rritje nga kritika ndërkombëtare për këtë autore, e cila pas vitit 2014 ka zgjuar vëmendjen e tyre. Pas restaurimit nga ACP në Librarinë e Kongresit të filmit të saj “Tomka dhe shokët e tij”, ky film pati premierën e dytë botërore në British Film Institute dhe më pas u programua nga kritiku i njohur Mark Cousins, si pjesë e Kinemasë së Fëmijërisë, në 9 qytete të Britanisë së Madhe. Një sërë artikujsh në “Variaty” apo revistën më atraktive të kinemasë si “Sight and Sound” kanë vlerësuar këtë autore. Suksesi i saj, përveç stilistikës së veçantë, i dedikohet aftësisë për të operuar në histori, të cilat evitonin kornizat ideologjike të kohës, përmes sjelljes së saj në këndvështrimin e fëmijëve. Strukturalisht dhe stilistikisht ajo ka arritur të shfrytëzojë zhanrin e “Filmit për fëmijë” për të përdorur mjete, që për shumë filma të tjerë do ishin të pamundur të operonin estetikisht. Dhe mendoj që kjo kinema, e cila arriti të krijonte vepra që pas më shumë se 40 vite të rishihen si në rastin e Xhanfize Kekos, me siç thotë kritiku i njohur Mark Cousins, më të freskëta se “Hajdutet e biçikletave”, me më shumë vëmendje, sidomos nga politikat tona kulturore, pasi në sajë të disa autorëve si Anagnosti, Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, etj., sot kemi një fond kinematografik jo inferior dhe se do ishte në vetë detyrën e institucioneve tona që të vlerësonin autorë si Xhanfize Keko, me një tjetër optikë, pasi janë vlera të vërteta artistike kombëtare, që koha po e vërteton më mirë se kushdo.

MARJETA-LJARJA-4

Cilët filma u shfaqën dhe si u pritën?

Në programin e Danish Film Institute u programuan “Mimoza Llastica”, “Kur po xhirohej një film” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. Kjo përzgjedhje nuk u bë rastësisht, por për të dhënë një panoramë më të plotë të autores që përkon me filmat e saj të parë, mesin e karrierës si dhe një ndër filmat me ngjyrë, që përkon me pjekurinë e saj maksimale, si në rastin “Kur po Xhirohej një film”, i cili për kohën ishte tejet i debatueshëm, për vetë faktin e trajtimit të temës së divorcit, i cili binte ndesh me idenë e familjes së shëndetshme të sistemit socialist.

Ju thatë se ajo “eviton korniza ideologjike”, po nga ana stilistikore dhe estetike, ku ndalen kritikët e huaj?

 

Kritiku Mark Cousins në tre dokumentarët e tij ka trajtuar këtë autore dhe ai analizon me një optikë tejet interesante disa aspekte të Xhanfize Kekos. Ai analizon filma si “Tomka..”, në aftësinë e autores për të arritur të konvertojë fëmijët nga moshat më të njoma në funksion të filmit, në një mënyrë tejet organike dhe t’i bëjë ata të jenë tejet të natyrshëm në zhvillimin e historisë, si dhe aftësinë e saj për të krijuar realitete magjike si në rastin e skenës së ëndrrës në filmin “Qyteti më i ri në botë”, që na tregon se kemi të bëjmë me një autore me koshiencë të plotë artistike dhe se ajo padrejtësisht deri tashmë ka qenë e panjohur për kritikën botërore. “Kur xhirohej një film” është shumë interesant stilistik isht, pasi zhvillon historinë e një filmi brenda tij dhe se në tërë krijimtarinë e saj ka një larmi strukturash, gjë që e bën atë autore që nuk varet nga skema dhe struktura të dhëna, por ajo ka guxuar të eksperimentojë.

Kjo nuk është shfaqja e parë e filmave të regjisores përtej kufijve, si ndodhi kjo “rilindje” e dytë e filmave të Xhanfize Kekos?

Xhanfize Keko ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe programuesve pas vitit 2014. Cinemateka e Jerusalemit, Tel Avivit dhe Haifes programuan dy vite më parë “Kur po xhirohej një film”, vitin e kaluar Jerusalem Film Festival programoi pjesë të Classic “Tomka dhe shokët e tij”, i cili, pas premierës në British Film Institute në 2014, ka tërhequr vëmendjen e shumë programuesve dhe si rezultat ishte dhe pjesë e programacionit të Film Struck, si i vetmi film shqiptar në një platformë të tillë, dedikuar filmave klasikë. Pas filmit të fundit dokumentar të Mark Cousins, “Woman make films”, i cili kishte premierën botërore në Festivalin e Venecias, në tri segmentet e tij vlerësohet Xhanfize Keko për vlerat dhe këndvështrimin që ajo ofron, si një ndër autoret më interesante në kinematografinë botërore, ka një interes në rritje, e cila solli kërkesën e titujve të tjerë në formatin bashkëkohor DCP dhe pas programimit të tyre nga Danish Film Instiute, kemi dhe dy titujt e tjerë, siç janë “Mimoza Llastica” dhe “Kur Xhirohej një film”. Kjo gjë ka krijuar dhe terrenin që kërkesat për programimin e titujve të saj të jenë në rritje, por ne jemi në momentin që mendojmë se për këtë autore mund të kemi premiera në eventet më të mëdha të kinemasë, në mënyrë që ajo të zërë vendin që meriton në panteonin e kinemasë. Mund të them që një ndër drejtuesit e programimeve të një prej tri festivaleve me të rëndësishme në botë ka kërkuar të ketë një material më të plotë të Xhanfize Kekos, për t’u prezantuar në vitin e ardhshëm, që mendoj se do jetë një vit tejet i suksesshëm për të.

Cilat janë raportet e Xhanfize Kekos dhe realizmit socialist? Jeni dakord që filmat e para viteve ‘90 të “damkosen me pullë të kuqe”?

Në atë periudhë, ndryshe nga artistët e fushave të tjera, autorët gjendeshin vetëm përpara dy alternativave. Ose të bënin filma të pastër propagandistikë në shërbim të ideologjisë, ose të bënin filma ku morali i tij të përkonte me kërkesat e propagandës së kohës. Them ndryshe nga autorët e fushave të tjera, pasi për shembull, një piktor mund të krijonte vepra të painfluencuara dhe mos t’i ekspozonte, duke i mbajtur në studio (në të cilat fatkeqësisht kemi dhe disa figura që u dënuan në mënyrë absurde), një shkrimtar mund të shkruante dhe ta mbante në sirtar, me shpresë se një ditë mund të shihte dritën e diellit, pasi këto ishin fusha arti individuale, por kinematografia është formë arti kolektive, e cila nuk mund të aplikohej pa bashkëpunimin me shumë faktorë krijues të tjerë dhe nuk mund të realizohej pa miratimin e një komisioni, i cili dhe e analizonte ideologjikisht. Ajo që bën dallimin është se sa arritën të krijojnë histori, të cilat kur i shohim sot të mos jenë të molepsura në propagandë të pastër ideologjike. Dhe mendoj se ajo që bën seleksionimin e filmave, është vetë koha. Filmat, të cilët kanë histori të krijuara mirë dhe që arrijnë të komunikojnë me audiencën, që për mendimin tim nuk janë pak, do vazhdojnë të tërheqin audiencën jo vetëm për nostalgji, por për vlerat artistike që mbartin. Mendoj që veprat që ishin tërësisht mbartëset e ideologjisë, vetë publiku i ka braktisur dhe se censurimi ose ndalimi i tyre, vetëm sa do sillte një evokim të një tjetër lloj censurimi dhe për paralele do sillja vitet e prohibicionit në Amerikë në vitet ’20, të cilat vetëm sa rritën interesin në kontrabandën e pijeve alkoolike.

Pas Kopenhagenit, a keni plan tjetër për filmat e Kekos?

Në vijim të programacionit nga Danish Film Institute, po përgatitet turi i trilogjisë në Institutin Norvegjez të Filmit si dhe më pas në atë të Institutit Suedez të Filmit. Një nga qëllimet që kemi është dhe rritja e numrit të filmave të rimasterizuar të kësaj autoreje, si “Beni ecën vetë” dhe “Taulanti kërkon një motër”, në mënyrë që të kemi një pamje më të plotë të krijimtarisë së saj. Siç e thashë më lart, programues festivalesh na kanë kërkuar të njohin më nga afër veprën e saj, e cila do materializohet në programime në vitin e ardhshëm. Ndërkohë si kompani produksioni, së shpejti do kemi premierën e bashkëpunimit italo-shqiptaroargjentinas të filmit “Njeriu që bleu hënën” të Paolo Zuçes, si dhe sapo jemi në procesin e promovimit të dokumentarit “Murimi i Historisë së një qyteti”, me regji të Erion Bubullimës, i cili gjithashtu ka ngjallur interes për t’u zhvilluar më tej si një dokumentar, që ngjall një interes në reagimin publik dhe në interes të reagimit qytetar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura