Tre dygolësha radhazi, “bisha” Nuabueze: Po shijoj momentin tim, dopieta tjetër me Kukësin. Dua ‘Këpucën e Artë’

Nov 3, 2019 | 8:48
SHPËRNDAJE

Kirian Nuabueze nuk po u ndahet dopietave. Pasi ndëshkoi Teutën, Vllazninë, dje ishte radha e Skënderbeut. Është zyrtarisht golashënuesi i Laçit dhe Kategorisë Superiore me 11 golat e tij.

nuabueze

Ajo që bie më shumë në sy është fakti që vetëm në 4 takimet e fundit, e ka gjetur 7 herë rrjetën. Sulmuesi me pasaportë amerikane, në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, zbulon se po e shijon këtë moment dhe më në fund e pranon se e do “Këpucën e Artë”.

Një tjetër dygolësh, çfarë po ndodh me Nuabuezen?

Një tjetër dygolësh dhe ky fakt po më bën të ndihem vërtet mirë. Jam duke kaluar një moment pozitiv dhe dua që ta shfrytëzoj në maksimum. Është jo vetëm merita ime, pasi e gjithë skuadra po luan mirë dhe këtë e ka treguar në këto javë të fundit.

nuabueze xhixha

Duket se me trajnerin e ri jeni çliruar?

Ne kemi punuar mjaft mirë, që nga fillimi e deri tani. Si me Starovën, ashtu edhe me Cungun, por tani po japim maksimumin. Besoj se me kalimin e javëve jemi konsoliduar më shumë. Kjo ecuri është fryt i punës që kemi bërë nga momenti i parë e deri më tani.

Laçi po marshon në renditje. A mund të themi se jeni pretendentë për titull?

Jemi duke kaluar një moment të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë të jetë e mundur. Tani për tani, le t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të mundohemi të marrim sa më shumë fitore. Më pas të shohim pasi kampionati është shumë i gjatë. Ne duhet të mendojmë për javën e ardhshme, që e luajmë përballë një kundërshtari shumë të vështirë.

“Këpucën e Artë” e mendoni?

Pa dyshim që po. Unë jam këtu për të bërë sulmuesin dhe sulmuesi matet me gola. Shpresoj të shënoj sa më shumë dhe pse jo, në fund të jem në majë të listës së golashënuesve. Nuk do të ishte keq edhe një dygolësh tjetër në ndeshjen e radhës.

Së fundi, ai dedikim i golave për kë ishte?

Ishte një dedikim i veçantë për familjen time, por edhe për të gjithë shokët e ekipit.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura