Tre deputetë të PD nuk betohen, dorëhiqet Bicaj, vjen Mhill Fufi

Sep 10, 2013 | 11:57
SHPËRNDAJE

Bode dhe Tafaj mungojnë në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike, Vasil Bicaj, i cili fitoi mandatin e katërt në qarkun e Lezhës, ka dhënë dorëheqjen në Parlament pa e filluar fare detyrën. Postin e tij pritet ta zërë në Parlament pasuesi në listë që është Mhill Fufi, kandidati i cili u plagos në qytetin e Laçit më 23 qershor. Socialisti Armando Subashi lexoi dje raportin e Komisionit të përkohshëm të Verifikimit të Mandateve dhe njoftoi Kuvendin se deputeti Vasil Bici nuk pranon të kryejë betimin dhe ka paraqitur dorëheqjen me një shkresë të depozituar në Parlament. Socialisti konstatoi se mandatet e 140 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë ishin në përputhje me ligjin dhe se Parlamenti duhet të procedonte me betimin e tyre. “Gjatë verifikimit të dokumentacionit përkatës pranë këtij komisioni, u paraqit një deklaratë nëpërmjet së cilës deputeti Vasil Bicaj deklaron se refuzon të bëjë betimin, duke hequr dorë nga mandati i deputetit. Në përfundim të këtij vendimi, Kuvendi mendon se për të 140 deputetët e paraqitur nuk u gjetën raste pavlefshmërie të mandatit të fituar. Por, nisur nga deklarata e mësipërme e deputetit të PD-së, Vasil Bicaj, komisioni çmon se i takon kryesuesit të seancës të procedojë me nenin 4, pika 5 e Rregullores së Kuvendit. Komisioni i përkohshëm i Verifikimit të Mandateve, në përputhje me nenin tre, konstaton se mandatet e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të KQZ-së janë të vlefshme”, u shpreh Subashi. Nga radhët e demokratëve, dy deputetët, ish-ministri i Financave Ridvan Bode dhe ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, munguan në seancën e betimit. Sipas Rregullores, në nenin 5 thuhet se: “Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë”. Po ashtu për herë të parë, Edi Rama është betuar dje në Parlament, duke fituar në këtë mënyrë mandatin e deputetit. Po ashtu dhe ish-kryeministri Berisha dhe ish- kryeparlamenarja Topalli. Dje ra në sy fakti se betimi i deputetit Kastriot Islami është shoqëruar me të qeshura nga ish- kolegët e Partisë Socialiste.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura