Trazirat në Turqi/ Agjencitë turistike: S’ka anulim të prenotimeve

Jul 17, 2016 | 9:05
SHPËRNDAJE

Trazirat e Turqisë nuk kanë ndikuar në prenotimet e pushimeve. Agjencitë shqiptare turistike shprehen se nuk ka pasur ndërprerje të udhëtimeve me avionët “charter”. Sipas tyre, situata u paraqit e qetë për fluturimet nga Tirana drejt Antalias dhe anasjelltas, ndërsa asnjë turist nga Shqipëria nuk ka bërë kërkesë për rikthim.

rinas

Nga aeroporti i Rinasit kompania “Turkish Airlines” ka anuluar vetëm dy fluturime drejt Stambollit, atë të orës 08:25 të mëngjesit dhe të orës 20:00, ndërsa udhëtimet drejt Antalias kanë vijuar normalisht.

AGJENCITË

Gjatë ditës të djeshme 500 qytetarë janë nisur drejt Antalias, duke mos anuluar prenotimet për të pushuar në rivierën turke. Të dhënat jepen nga agjencitë turistike të udhëtimeve, ku, sipas tyre, asnjë shqiptar që ndodhet në Turqi nuk ka bërë kërkesë për rikthim.

I kontaktuar nga gazeta, administratori i “Albanian Travel and Hospitality Service”, Besnik Vathi, tha se nga Rinasi janë nisur 320 qytetarë me dy avionë “charter”.

“Situata në Turqi nuk ka dhënë asnjë efekt në rezervimet e pushuesve. Ngjarja filloi dhe përfundoi shumë shpejt.

Deri tani, asnjë qytetar nuk ka anuluar rezervimet drejt plazheve të Antalias. Dje u nisën dy avionë ‘charter’, një rreth orës 09:30 të mëngjesit dhe tjetri rreth orës 16:30, me 320 persona për në Antalia. Nuk kemi pasur asnjë kërkesë për anulim apo spostim të rezervimeve. Ndërprerje të fluturimeve nuk ka pasur edhe nga asnjë tur operator i huaj”, tha Vathi.

Administrator i ATHS-së tha se edhe nga pushuesit që ndodhen në Antalia, nuk ka asnjë kërkesë për rikthim. “Ne kemi kontaktuar me klientët tanë në Antalia dhe asnjë prej tyre nuk ka shfaqur shqetësim apo kërkesë për t’u rikthyer. Më shumë të shqetësuar kanë qenë familjarët e tyre në Shqipëri”, tha Vathi.

E njëjta situatë pohohet edhe nga presidentja e “Sava tours”, Sava Bardhi. E kontaktuar nga gazeta, Bardhi tha se nuk ka pasur asnjë anulim të rezervimeve, por vetëm shtyrje të datave të nisjes.

“Nuk kemi pasur asnjë kërkesë për të anuluar rezervimet, por vetëm kërkesa për spostim të nisjes. Në Antalia situata paraqitet e qetë dhe sot nga Tirana është nisur një avion ‘charter’ me 190 persona. Familjarët kanë pasur të njëjtat pyetje si në rastin e shpërthimeve në aeroportin e Stambollit disa javë më parë, por ata janë qetësuar pasi kanë mësuar se në Antalia situata paraqitet shumë normale”, tha Bardhi.

E njëjta situatë paraqitet edhe nga një tjetër agjenci turistike, “Vas tour Albania”. Sektori i rezervimeve tha për gazetën se nuk ka asnjë kërkesë për anulim të prenotimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura