Trazimet kombëtare në kronikën e verës ziejnë!

Jul 17, 2018 | 10:32
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj11AGRON GJEKMARKAJ

Siç shkunden tapetet nëpër ballkone me atë ritmin patatam-patatam, ashtu me aq thërrmija pluhuri nderën ngjarjet e mëdha të vendit vjerrur në kërrabat e shqisave kësaj vere. Dukej sikur ngeja për t’i shënuar ato në kartë ishte sosur, po kaq edhe vëmendja ndaj tyre. Por veç në cipë ngjan kësisoj. Thellë, etja e njeriut për të rrëfyer është e pamat! S’paskësh ambicie me noprane se atë ngucje a ngasje që është fjala, e cila vende-vende bie si ujë mbi etjen për kuriozitet e tjerakund si plumb hasmi.

Por, të na rrojnë djemtë dhe armiqtë kokëposhtë, thonë andej nga Labëria, krahinë kjo plot zulme e naze! Njerëzit janë pak nervozë. Parashikimi nuk u ka dalë. Ata, zakonisht, irritohen me zhegun dhe djersët. Kjo verë po i tradhton në pritshmëri. E freskët, ende ha vetveten ajo. Qytetarët duke pritur vapën, si grekët antikë barbarët, nuk e shijojnë birrën me farfuritjen e përvitshme të stinës. S’ka faj as Kryeministri, i cili shëndet ju thotë e plaç ia kthejnë në muhabetet e përditshme në “Facebook”.

Çdo ditë perëndie ai, si lajmës i saj, na jep të shohim nga një video të Shqipërisë zonjë, të asaj që duam, të bërë në kompjuter tani për tani. Rrugë, tunele që çajnë malet, ura që i bashkojnë ato, njerëz, fëmijë të teknologjisë që baresin në këtë bahçe qeveritare mbushur me jaseminë, zymbylë e nektar fantazie trazuar në gotë nga orakujt e Rilindjes. Populli ynë është nopran, por edhe i drejtë. Këto ditë, një mërzitje dhe inat ka kapur atë me udhëheqësit e botës, të cilët i ndenjën rëndë, sertë, zymtë, Edi Ramës duke mos marrë në konsideratë babaxhanllëkun e tij qelibar si ujë kroi.

Ai bëri çmos që ta cimbiste vëmendjen e liderëve të mëdhenj të botës me shikimet e tij të ëmbla, hokat plot gaz e sqimë, afrimitetin prej bandilli, thelbizllëkun që s’e ka zakon. Trumpi i ndenji rëndë. Nuk bëri mirë. Të thyesh zemra është e lehtë. Megjithëse Ramës i dhemb mesi, gjithë ai burrë i gjatë u ul për t’i folur te veshi e ai sikur të ishte shurdh shtatë brezash. Nuk kthente as kokën sikur ta kishte qafën të ngrirë në allçi. As Makronit të mos ia harrojmë atë ikje të beftë pa jaranllëk sikur ai dy metër burrë të ishte i padukshëm.

E pra, ai, ky i yni, i doli para-prapa, e pa më me ëmbëlsi se Brizhita e ai, si gdhë. Shyqyr që nuk e ka parë Ornela Vorpsi se ditë e zezë do të qe per Manuelin e Francës, kaq indiferent ndaj atij që magjepsi Parisin. Çfarë e di ai Kryeministrin e Shqipërisë, i cili u ndal, u shkartis në dashamirësi dhe pritje për ta begenisur!? Derdimen? Bjerrakohës? Jo, more, jo! Ai është Edi Rama, që shemb një teatër me një të fryrë dhe ndërton kulla me një shikim. T’i vijë anash Makron beu atij.

Po Tereza e Anglisë, që u pataks nga gjithë ajo xhentilesë, ç’pat? Të zezën e vet pat! Kryeministri ynë mbi supe i vuri duart duke i dhënë afërsi e njerzillëk. Të qeshur i pat sytë. Të shkrifët anglishten. Ajo iku e bezdisur sikur po lajmëronte policinë nga një dhunim. Ç’t’i thuash? Të mendosh çfarë?

Europa po mplaket e zgaqet në brengat e veta e nuk di të shohë zjarrin dhe dritën e Atit të rilindjes shqiptare. Keq për të! Sjellje harbutësh. Mos duan të thonë që Shqipërisë nuk i janë hapur negociatat? Gënjejnë ata. Edi Rama ka lajmëruar Shqipërinë që vendit i janë hapur ato dhe se udha nuk është e shtruar me hithr’ e me shtok turfanda. Mirë ka bërë. Gëzim i madh. Nuk mbahet për vete.

Të zë nën vete! Të mbledh kruspull. Një dite e këshilluam me dashamirësi evlatërish për menynë e festës. Shumëkush u hatërmbet se nuk e gjet veten me emër. Tahiri dhe Xhafaj janë ankuar se mund të kontribuonin për dekorin dhe peshqeshet. Një tendë me gjethe hashashi mund të bëhej gratis nga i pari. Ndërsa i dyti mund t’i qerastë në të dalë me një të tërhequr me material safi.

Ndonëse darkat janë ende me puhizë, thonë se “Lezja mbi buldozer” nuk fle mirë natën. Thërret: Poshtë sallami! Poshtë betoni! Poshtë teatri, Fusha dhe jeta me gërmusha! Bah c’mote të çuditshme. Dita dhe nata dallojnë si parajsa me ferrin. Ndërsa buldozeri nuk ndalet dhe Lezja realizon planin për hapjen e trojeve të reja e bashkë me to brazda dhembshurie në zemrën e shefit.

Lali Eri ka hapur disa metra rrugë të reja nëpër Tiranë për biçikletat, mjellmat, rosat dhe rikat si dhe gjirafat, kur të vijë sezoni turistik. Kryetari i Opozitës ka kaptuar oqeanin dhe gjendet në Amerikë ose është kthyer në të gdhirë. Ka pasur një vit të vështirë. Kritika, sulme, fyerje kanë rënë mbi të si breshër pranverë. Ditët i ka pasur të errëta si natë, e netët si ditë të lodhura nga pagjumësia. Kush më hak e shumëkush për ves i kanë prishur oreksin! Por ai ka reflektuar thonë.

Në vjeshtë do të djegë mandatet. Do të çlirohet nga lista e vet, që i rri si zhguall breshke. Entuziastët thonë që do të kthehet si Krishti në Tempull dhe do dëbojë dordolecët, servilët dhe zullapët, të cilët e mikluan në një ditë të vështirë të jetës së tij! Arsyetuesit besojnë se edhe vetë do e bëjë copë gjoksin me një mea culpa. PD, në vjeshtë, do thyejë portat për intelektualët, elitën, të persekutuarit dhe pronarët. Banaliteti dhe mediokriteti do rrëzohet nëpër shkallë, duke marrë arratinë me rropamë. Këto lajme Edi Ramës i bien si grusht në stomak.

Djersin teksa thinjat i shtohen. Vatani digjet nga ethet e dilemave dhe unë krihem. Ç’bëj? Dëgjoj Çelentanon “ti penso e’cambia il mondo” (të mendoj dhe ndryshon bota), thotë ai qerrata dhe mua më shkojnë mornica malli, mungesë e nostalgjie. Me gjasë, atë dëgjon edhe Ed Rama me Lul Bashën kur ne çetele të kujtesës i kthehen njëri-tjetrit. Më skeptiku në naivitetin tim mbetem unë, i dashuruar më të vjetrën si Tomazo Lampeduza që, nginjur jetë, pëshpëriste në muzgun sicilian “ndryshon çdo gjë për të mos ndryshuar asgjë!” Perceptim reaksionarësh të pandreqshëm në një ditë vere pa ëndrra.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura