Trashëgimia mbretërore në 90-vjetorin e shpalljes së Monarkisë

Sep 1, 2018 | 9:52
SHPËRNDAJE

ARMER JUKA*Armer-Juka-1-274x300

Përpara 90 vitesh, kombi sh qiptar, në Asamblenë e dytë Kushtetuese, shpalli Shqipërinë Mbretëri demokratike, parlamentare dhe të trashëgueshme. Pandeli Evangjeli, në emër të Asamblesë, ia paraqiti “Kunorën e Naltë të fronit historik Shqiptar […] Shpëtimtarit të Kombit, Ahmet Zogut, në temën: Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve”. Vendimi i Asamblesë Kushtetuese, më tepër se një akt krijues nga hiçi, përbën një restaurim të regjimit monarkik (1914-1925) të përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha në 1913-n.

Forma monarkike e shtetit shqiptar, e buruar në origjinë nga një traktat ndërkombëtar, ripërtërihet dhe përforcohet nga një bazë ligjore e brendshme. Zhvendosja e legjitimitetit nga ligji ndërkombëtar në atë të brendshëm dhe nga vendimmarrja diplomatike në atë demokratike shoqërohet, në mënyrë johabitëse, nga përzgjedhja e një dinastie kombëtare – asaj të Zogut – në vend të një dinastie të huaj – asaj të Wied-it.

Pavarësisht vijimësisë së qartë juridike, politikisht, 1 shtatori i 1928-ës perceptohet si një pikë kthese epokale dhe i ndan shqiptarët në dy kampe të papajtueshme. Ndoshta po aq sa 29 nëntori i 1944-ës. Për simpatizantët e Monarkisë, ajo shënjon çastin kulmor të vendosjes së Shqipërisë në shinat e stabilitetit dhe të përparimit. Kundërshtarët e përjetojnë si shkelmin e fundit ndaj vendosjes së një demokracie konkurruese në vendin tonë.

Megjithatë, pavarësisht gjykimeve të njërit apo të tjetrit, trashëgimia e 1928-s ka tejkaluar – guxojmë të themi – me dhjetëra herë ambicien dhe aspiratat e Etënve të Kombit të mbledhur në Asamblenë e dytë Kushtetuese. Gjatë sundimit të vet, Mbretëria u bë dorëzane e një dekade të artë në historinë e shtetit shqiptar (1928-38). Pas agresionit italian, familja mbretërore vazhdoi të luajë një rol kyç në kauzat themelore të kombit: kundër okupatorit fashist, kundër mynxyrës komuniste dhe kundër shtypjes shoviniste.

Ende sot pas 90 vitesh, Akti i 1928-s jehon plot energji brenda dhe jashtë vendit. Trashëgimia mbretërore shqiptare është fuqimisht e gjallë dhe luan ose mund të luajë një rol thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për begatinë dhe rrezatimin e kombit tonë. Vitaliteti i saj shpërfaqet së paku në tre rrafshe: biologjik, material dhe politik.

Në rrafshin e parë, trashëgimia mbretërore përjetësohet në mënyrën më të spikatur në pasardhësin biologjik të Zogut I, në personin e LTM Princit Leka II dhe bashkëshortes së tij, LSM Elia Zogu Zaharia. Brenda vendit, oborri mbretëror është një çerdhe për promovimin e artit, kulturës dhe bamirësisë. Fondacioni “Mbretëresha Geraldinë” është nga dallëndyshet e para të filantropisë vendase. Familja mbretërore ka një rol të pazëvendësueshëm si qendër reference për familjet historike dhe për diasporën e vjetër, të cilët megjithëse të paktë dhe pa ndikim, kanë një vend të patjetërsueshëm në pëlhurën shpirtërore të kombit shqiptar. Si një person, integriteti dhe përkushtimi i të cilit ndaj atdheut është i pakontestuar nga askush, Princ Leka II gëzon një autoritet moral që, në rrethana të caktuara, mund të garantojë drejtpeshimin dhe orientimin e duhur për kombin shqiptar.

Megjithatë, është kundrejt botës së jashtme që familja mbretërore ka resurset më të vyera për t’i vënë në shërbim të vendit. Më shumë se çereku i shteteve europiane dhe mbi një e treta e vendeve arabe kanë sot regjim monarkik. Edhe kur nuk janë në fuqi, shumë ish-familje mbretërore ruajnë ose kanë rifituar një ndikim kyç, megjithëse shpeshherë të padukshëm, mbi elitat e vendeve përkatëse sikurse mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Dasma e çiftit princëror është shembulli më elokuent sesi trashëgimia mbretërore mund të jetë soft power-i më i goditur dhe më i paçmueshëm për vendin tonë. Me pjesëmarrjen e tri ish-familjeve perandorake (Habsburgët, Romanovët, Pahvlavët e Iranit), tri familjeve mbretërore në fuqi (Mbretëresha Sofia e Spanjës, Princesha Lea e Belgjikës, Princi Michael i Kentit) dhe dhjetëra princërve dhe aristokratëve të tjerë: Tirana ishte për një fundjavë kryeqendra e ajkës së fisnikërisë europiane dhe mesdhetare.

Si Kre Sovran i Urdhrave kalorsiakë të Besës dhe Skënderbeut, Princ Leka II ka akses në një fons honorum të jashtëzakonshëm. Trashëgimtarët e fronit mbretëror kanë përdorur dhe përdorin dekoratat për të ushqyer jo vetëm lidhjet e ngushta me fisnikërinë e gjakut, por edhe për të nderuar fisnikërinë e mendjes dhe të shpirtit – diplomatët, ushtarakët, bamirësit, shkrimtarët, artistët – për veprat dhe kontributin e tyre në shërbim të përparimit dhe rrezatimit të vendit dhe kulturës tonë kombëtare.

Vokacioni i Princ Lekës është pashmangshmërisht mishërimi dhe lehtësimi i dialogut ndërfetar dhe ndërqytetërimor. Muhamedan nga vija atërore, Princi është nip i një hungarezeje katolike, bir i një australianeje anglikane, bashkëshort i një ortodokseje shqiptare, i lindur dhe i rritur në Afrikën e Jugut dhe me lidhje të ngushta me republikat dhe emiratet e Lindjes së Mesme. Në një botë mosbesimi të ndërsjelltë në rritje dhe dhune me bazë fetare, zëri origjinal i Lekës II, që buron nga gurra më autoktone shqiptare, është një pasuri kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në formën e vet materiale, trashëgimia mbretërore akoma stolis plot hijeshi vendin tonë. Tirana është, par excellence, prika e familjes zogolliane për vendin. Nga një nahije e vogël e vilajetit të Shkodrës që kishte qenë deri përpara pak vitesh, Tirana u shndërrua në një kryeqytet elegant të Shqipërisë brenda dy dekadash. Me gjithë urrejtjen dhe dhunën proletare dhe makutërinë parakapitaliste të mëpasme, është akoma Tirana mbretërore me bulevardet moderne, me kompleksin ministror dhe vilat plot lezet të nëpunësve dhe borgjezisë së kohës, që përbën krenarinë legjitime të kryeqytetasve.

Janë ende një thesar i pazbuluar dhe i pashfrytëzuar për kulturën dhe turizmin shqiptar pallatet, vilat dhe rezidencat mbretërore. Vilat e Zogut në Shirokë dhe në Durrës, që mbisundojnë krenarisht mbi liqenin e Shkodrës dhe mbi detin Adriatik, janë perla të arkitekturës së midis dy luftërave botërore. Sarajet e pashallarëve zogollianë në Burgajet të Matit mezi presin të marrin jetë sipas projektit të arkitektit fort të talentuar Qemal Butka. Një tjetër vepër e tij, Mauzoleumi i familjes mbretërore, i dinamituar nga bolshevikët, është rindërtuar si vendprehje për eshtrat e anëtarëve të familjes dhe fshihet ndrojtur në Kodrat e Liqenit. Jo larg tij, pallati mbretëror, i ashtuquajtur i Brigadave, me kopshtin e vet romantik duhet të restaurohet sa më shpejt dhe t’i ofrohet publikut vendas dhe të huaj si një etapë kyçe e itinerarit turistik kryeqytetas.

Rezidenca e sotme e familjes mbretërore, buzë shëtitores “Murat Toptani” dhe kalasë së Tiranës, urojmë të jetë së shpejti pjesërisht një muze privat i vizitueshëm nga të gjithë. Koleksionet e strehuara në këtë pallat – koleksioni i armëve, koleksioni Adamidi Frashëri dhe biblioteka e artikujt e tjerë privatë – përveçse janë dëshmi e historisë tonë kombëtare dhe të peripecive të familjes sonë mbretërore, janë garanci për të ngjallur kureshtjen e çdo të huaji dhe disa arsye më shumë për të përkëdhelur krenarinë tonë legjitime.

Në rrafshin politik, trashëgimia mbretërore rrok dhe përmbledh urdhëresat themelore për jetesën tonë kombëtare. Së pari, debatit shterpë nëse Shqipëria i përket Lindjes apo Perëndimit, Tirana e Zogut iu përgjigj duke qenë njëlloj vatër mikpritëse e një konteshe hungareze dhe e një princi otoman, Geraldina Apponyi-së dhe Shehzade Mehmed Abid Efendisë. Por, megjithëse e hapur dhe miqësore me të gjithë, Shqipëria mund të garantojë sigurinë dhe pavarësinë e vet vetëm nëpërmjet aleancës strategjike me Perëndimin. Së dyti, përgjigjja ndaj aventurizmës së irredentizmit dritëshkurtër është një atdhe i fuqishëm dhe i begatë që ngroh zemrat e shqiptarëve përtej kufijve. Së fundi, tundimit monolitik hoxhist i kundërvihet uniteti përmes pluralitetit dhe barazisë strikte midis komuniteteve të ndryshme.

Këto shtylla trambajtëse të ekzistencës tonë kombëtare dhe shtetërore, pas parantezës tragjike komuniste, kanë sot nevojë urgjente të përforcohen për t’u përballur me tallazet ksenofobike dhe fanatike që fryjnë sa nga Perëndimi aq nga Lindja. Filozofia dhe praktika politike e mbretërisë shqiptare dhe trashëgimia e saj 90-vjeçare mund të jenë një udhërrëfyes i pabarabitshëm për të lundruar ujerat e trazuara nga stuhitë e sotme gjeopolitike.

*Autori është avokat pranë Dhomës së Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura