Transfertat mbeten makth, Tirana nuk e “ngjit” dot as Korabin (VIDEO)

Mar 4, 2017 | 17:02
SHPËRNDAJE

Korabi nuk shënonte një gol prej pesë ndeshjesh radhazi. E bëri sot ndaj Tiranës në barazimin 1-1 në javën e 24-t të Kategorisë Superiore.

Korabi - Tirana barazim

Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, shtëpia e gjashtë e dibranëve këtë sezon, gjithçka u vendos në pesë minutat e fundit të pjesës së parë.

Fillimisht “ish”-i Ervis Kaja ndëshkoi Tiranën me kokë (40’), ndërsa në aksionin e fundit para pushimit Ede riktheu baraspeshën.

Gjysma e dytë e lojës, përkundër përpjekjeve nga të dy ekipet, nuk e ndryshoi rezultatin dhe kështu Korabi dhe Tirana ndajnë nga një pikë.

Për dibranët kjo ishte e para pas pesë ndeshjesh, ndërsa bardheblutë ende nuk e njohin shijen e fitores në gjashtë ndeshje të 2017-s. Ekipi kryeqytetas nuk triumfon jashtë fushe prej prillit 2011 dhe mbetet e pesta në renditje me 29 pikë, -1 nga Luftëtari. Korabi shkon në 12.

Korabi gol Tiranes

Minutë pas minute

90+5′ Përfundon në Shkodër, Korabi 1 – 1 Tirana.

90+2′ Edhe Korabi e mbyll me një zëvendësim në mesfushë: del Daniel Jubani, në lojë i riu Xhon Marinaj.

86′ Del një tjetër Peposh, futet një tjetër Kalosh: në fushë Geraldo, jashtë Ardit Peposhi i dëmtuar.

81′ Korabit i anulohet një tjetër gol. Kaloshi mposht Likën, mirëpo arbitri i linjës e “peshkon” në pozicion të parregullt.

80′ Tirana e mbyll me ndërrimet, me Grent Halilin që futet në vend të Gilman Likës.

75′ Ndërrimi i dytë te Tirana: Mesfushori Ruben Akua i lë vendin David Domgjonit. Ky i fundit vendoset në qendër të mbrojtjes përkrah Teqjes, ndërsa kapiteni Gent Muça zhvendoset në mesfushë.

70′ Korabi krijon një mundësi të mirë me Sokol Mziun, por e majta e mesfushorit nga larg nuk shënjestron portën e Ilion Likës. TOpi përfundon pak sipër traut.

61′ Haxhiu përgjigjet me një zëvendësim në sulm: Emrush Kaloshi zë vendin e Denis Peposhit.

55′ Mirel Josa bën lëvizjen e parë nga stoli duke hedhur në fushë Merveil në vend të Moise.

47′-54′ Gjysma e dytë nis më e gjallë, me të dyja skuadrat që provojnë të shohin më tepër në portat përkatëse.

46′ Asnjë ndryshim në formacionet e skuadrave. Fillon pjesa e dytë.

Capture

Pjesa e parë

45+1′ GOL! Barazon Tirana. Ede rikthen baraspeshën pak sekonda para pushimit mes pjesëve. Sulmuesi nigerian merr një pasim nga Daja dhe i vetëm në zonë nuk e ka të vështirë ta çojë topin pas shpinës së Tedi laços.

40′ GOL! Korabi në epërsi. Një krosim i Mziut nga e majta gjen të pambuluar në zonë qendërmbrojtësin Ervis Kaja, i cili me kokë mposht Ilion Likën. Goli i parë i shënuar nga Korabi pas gjashtë ndeshjesh.

27′ Tirana sheh përsëri nga porta e dibranëve. Ede del në pozita gjuajtjeje në zonë, por goditja e tij e lehtë dhe qëndrore pritet pa problem nga Laço.

24′ Vjen mundësia e parë për Korabin. Sokol Mziu hedh në zonë një krosim që shndërrohet në gjuajtje të rrezikshme për Ilion Likën, i cili kishte dalë nga porta. Megjithatë portieri ia del ta devijojë topin në goditje këndi.

15′ Sërish “gardiani” bëhet shpëtimtar i Korabit, kësaj here duke i mohuar gëzimin Edes i cili u gjend përballë pasi depërtoi me shpejtësi mes mbrojtjes dibrane.

12′ Tjetër rast i pastër për Tiranën. Gilman Lika i ka të gjitha mundësitë për të shënuar, por gjuajtja e tij nga brenda zonës gjen të gatshëm portierin Tedi Laço.

8′ Shënon Tirana, por Edes i anulohet goli. Anësori sheh që Taku është në pozicion jashtë loje në pasimin e marrë në zonë nga Daja.

7′ Minutat e para janë të qeta, me bardheblutë që provojnë të marrin gradualisht kontrollin e lojës.

1′ Topin e parë e luan Tirana. Fillon takimi.

Ndeshja nis me 13 minuta vonesë, pasi në stadium nuk kishte mbërritur ende ambulanca.

Para ndeshjes

Korabi 1 – 1 Tirana (Kaja 40′ / Ede 45+1′)

Korabi (4-4-2): Laço; Shabani, Kaja, Prençi, A.Peposhi (G.Kaloshi 86′); Jubani (Marinaj 90+2′), Arifaj, Gavazaj, Mziu; Hoxhaj, D.Peposhi (E.Kaloshi 61′).
Trajner: Gerd Haxhiu

Tirana (4-2-3-1): Lika; Doka, Muça, Teqja, Hoxhallari; Daja, Akua (Domgjoni 75′); Lika (Halili 80′), Taku, Moise (Merveil 55′); Ede.
Trajner: Mirel Josa

Gjyqtar: Lorenc Jemini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura