Transferimi i parë, Vetëvendosja bëhet përsëri me 30 deputetë

Nov 18, 2019 | 17:20
SHPËRNDAJE

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se deputeti i IRDK-së, Elbert Krasniqi, i është bashkuar sot në grup parlamentar.

77268043_10156318859157000_6551256003344596992_o-600x360

Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi drejtuar mediave.

 “Deputeti i IRDK-së, z. Elbert Krasniqi, i bashkohet Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!  Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti së bashku me anëtarët e Kryesisë, znj. Arbërie Nagavci dhe z. Xhelal Sveçla, pritën delegacionin e Partisë Egjiptiane IRDK, kryesuar nga Kryetari z. Elbert Krasniqi me bashkëpunëtorë, z. Xhevdet Neziraj dhe z. Fazli Stollaj”, shkruhet në njoftim.

Tutje, u bë e ditur se në takim u bisedua mbi situatën politike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e fundit, në të cilin qytetarët votuan me shumicë për ndryshim.

“Po ashtu u bisedua për gjendjen në të cilën ndodhet komuniteti egjiptas. Duke parë si parësore bashkëpunimin e ngushtë ne u dakorduam që deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, z. Elbert Krasniqi, të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në legjislaturën e shtatë. Nga ky takim doli edhe iniciativa që të dy subjektet të trajtojnë sfidat me të cilat komuniteti egjiptas ballafaqohet dhe të propozohen masat për qeverinë e ardhshme Kurti, në mënyrë që pozita e këtij komuniteti, por jo vetëm, të përmirësohet sa më shumë dhe më shpejtë”, shkruhet në komunikatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura