“Zhdukja e 2 milionë eurove sulm kibernetik”/ Ministrja e Financave: Janë bërë qasje të paautorizuara dhe…

Oct 22, 2020 | 14:04
SHPËRNDAJE

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë një raportimi të enjten para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se transferimi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.

hikmete bajrami

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer pasuordet”, tha Bajrami.

Sipas saj transaksioni prej mbi 2 milionë eurove, është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka.

Për këtë transaksion ka shtuar Bajrami, nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka deklaruar ajo.

Lidhur më këtë rast Policia e Kosvës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati.

I arrestuari është L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Veton Rrecaj, avokati i punëtorit të Thesarit të Kosovës, ka thënë se të enjten është mbajtuar seanca dëgjimore për klientin e tij me kërkesë të masës së paraburgimit.

Rrecaj ka thënë se vendimi për masën e paraburgimit ndaj klientit të tij do të merret në ora 13:00.

Ai ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Prokuroria paraqiti arsyet apo thënë më mirë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”, ka thënë Rrecaj para gazetarëve./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura