Transferimet në privat, shtyhet afati me 10 ditë

Mar 6, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

Të gjithë ata studentë që deri më tani, për arsye të ndryshme, nuk janë regjistruar dot në ciklin e parë ose të dytë të studimeve në universitetet e larta private në vend, do të kenë kohë për ta bërë këtë deri më datë 16 mars. Këtë parashikon udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, në të cilin janë miratuar disa shtesa dhe ndryshime në lidhje me transferimin e studimeve në universitetet private.

Studentë, foto arkiv

Kështu, MAS ka vendosur të shtyjë me dhjetë ditë afatin që kanë universitetet private të arsimit të lartë për të pranuar studentët e transferuar. Kjo ka lindur snevojë, pasi disa prej universiteteve private në vend u penalizuan duke pezulluar apo hequr licencën. Kjo ka bërë që shumë studentë të këtyre universiteteve të mbeten në mes të katër rrugëve.

Tashmë ata që nuk kanë patur mundësinë për t’u transferuar në universitetet shtetërore, mund ta bëjnë këtë në universitetet private që ushtrojnë ende aktivitetin e tyre. Sa i takon procedurës në vijim, pasi të jenë mbledhur të gjitha aplikimet, ajo do të jetë e njëjtë me atë që është ndjekur vitet e kaluara. Shtyrja e afatit të regjistrimeve ka çuar edhe në shtyrje të procedurës që do të ndiqet më pas nga vetë universitetet.

Katër ditë pas përfundimit të këtij afati, më 20 mars, institucionet private të arsimit të lartë duhet t’i dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Provimeve listën e plotë të studentëve të regjistruar që do të transferojnë studimet e tyre në ciklin e parë ose të dytë në një universitet privat. Kjo listë është përcaktuar të dorëzohet në të dyja format: me shkrim dhe në rrugë elektronike.

Nga ana tjetër, në bazë të udhëzimit, AKP-ja ka afat 1 muaj për t’ua rikthyer institucioneve listën përkatëse me numrat e matrikullimit të studentëve. Studentët e papajisur me numër matrikullimi duhet të çregjistrohen nga universiteti përkatës, veprim për të cilin duhet të vënë në dijeni edhe AKP-në.

Më pas, do të jenë vetë institucionet e arsimit të lartë privat që duhet t’i dërgojnë zyrtarisht më 24 prill Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të dhënat mbi studentët e transferuar në programet e ciklit të parë dhe të dytë, me qëllim mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura