Trajneri i Sauthempton tregon pse ndërroi mendje për Brojën: Sot po! E zgjodha prej kombëtares

Oct 16, 2021 | 21:57
SHPËRNDAJE

Ralf Hasenhutl, trajneri i Sauthempton, deklaronte një ditë më parë se Armando Broja ishte një zëvendësues perfekt. Por sot, ai e rreshtoi sulmuesin shqiptar si titullar ndaj Lids dhe goli i tij i dha fitoren e parë në kampionat.

brojaaaaa

Ndaj natyrshëm pas sfidës, ai u ngacmua nga mediat rreth këtij ndryshimi të mendjes dhe çfarë e shtyu që të zgjidhte Brojën, apo edhe nëse lojtari tashmë kishte vërtetuar atë që mund të bënte në fushë duke luajtur më rregullisht. Hasenhutl shpjegoi se gjithçka ishte meritë e pranisë së Brojës në kombëtare.

“Askush nuk e merr dhuratë aktivizimin, duhet ta meritosh dhe e tregoi me Kombëtaren se mund të shënojë. Kjo është ajo që po na mungon.

Sot bëmë një punë të mirë në mbrojtje. Ishte një gol vendimtar dhe e merituam. Të jem i sinqertë, nuk isha i sigurt mbi atë që dëshiroja të bëja apo cilët lojtarë të përzgjidhja. Lojtarët kanë munguar prej kombëtareve dhe janë kthyer me vonesë. U mundova të zgjedh futbollistë që kishin vetëbesim dhe që kishin shënuar gol me kombëtaren, si Armando Broja.

broja hasenhutl

Ndaj Shefilldit, nuk më la shumë mbresa Broja. Por paraqitja e sotme ishte shumë më tepër si ajo që kërkojmë prej tij. Kjo do t’i japë më shumë besim dhe ai me të vërtetë që ka diçka, është një rrezik pranë zonës dhe ka shpejtësinë që të kalojë një mbrojtës dhe të godasë në portë.

Na duhej një sulmues i fortë fizikisht. Armando shënoi gjatë pauzës së kombëtareve dhe mendoj se ishte koha e duhur për të që të tregonte se mund të luajë 90 minuta. Ai tani na ka treguar se mund të na ndihmojë. Kjo është diçka e mirë”, tha Hasenhutl.

PANORAMASPORT.AL

 

 

© Panorama.al

Te lidhura