Trajneri Gjyla: Nuk jam Skënderbeu, ja çfarë do bëj te Lushnja

Mar 24, 2018 | 21:24
SHPËRNDAJE

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, flet për ditët e para nën drejtimin e skuadrës. Ai shpalos synimet për mbylljen e kampionatit, idetë për ekipin, afrimin e të rinjve dhe rritjen e atmosferës të publikut verdhejeshil.

Ilir-Gjyla-Peqin-470x338

E keni ndjekur rregullisht ekipin dhe, pasi keni pranuar drejtimin, keni zhvilluar seancat e para stërvitore. Cilat janë përshtypjet…

Meqë është viti i Skënderbeut, mos më merrni për Skënderbeun mua. Se do duket Lushnja e këtij momenti ajo që ishte. Për tri ditë unë nuk besoj se kam… Do t’i mëshoj asaj që thashë që në fillim, që kur mora drejtimin e skuadrës. Do të mundohem që atë projektin e nisur për vitin tjetër, ta fillojmë që tani.

Si kanë qenë ditët e para?

Mund të them që ditët e para të stërvitjes kanë qenë të kënaqshme, ku djemtë të paktën janë seriozë. Është fryma që ne do të luajmë. Ju e dini që Lushnja me këto terrene, me këto kushte që ka pasur, me këto fusha, ata kanë ngrënë baltë. Dhe, unë këtu kam mëshuar që respektoni veten për këtë baltë që keni ngrënë. Pra, respektoni veten deri në fund.

Ndërkohë që Lushnja praktikisht ka dalë nga Kategoria dhe pret vetëm matematikën…

Unë nuk dua ta imagjinoj dhe jo ta flas që kemi dalë nga Kategoria. Kështu që punë të tjera se çfarë ndodh nesër.

E keni marrë drejtimin në një moment, kur ekipi ka regjistruar tetë humbje radhazi dhe do të luajë dy transferta të njëpasnjëshme. Ku mund të marrë pikë kjo skuadër?

Shiko! Unë nuk mund të them dot se çfarë do të marrim. Por, them që do të luajmë futboll dhe do të bëjmë maksimumin që kemi ne. Do të bëjmë më të mirën, unë me stafin dhe me futbollistët. Për këtë të jeni të bindur që ne do të luajmë futboll për të respektuar veten dhe kampionatin. Në radhë të parë veten. Do të luajmë dhe se sa do të marrim, kjo është tjetër gjë. Por, ne do të luajmë për të marrë. Dhe, do të marrim me lojëra të bukura, bindëse dhe me seriozitet.

Cili do të jetë moduli juaj?

Unë jam tradicional, ashtu siç janë edhe shumica e çunave në ekip, të cilët janë lushnjarë. Unë mendoj se edhe lojtarët e ardhur nga rreth duhet t’i përshtaten futbollit tonë dhe jo ne futbollit tjetër. Kjo nuk është se ka ndodhur. Çdo trajner ka pasur mënyrën e vetë të të luajturit. Unë do t’i mëshoj skemës klasike 4-4-2.

Çfarë mund të riparohet te kjo skuadër që pëson shumë, por ka raporte me golin falë dyshes Canka-Sefa…

Ndoshta nuk kemi shumë kohë për të rikuperuar shumë gjëra. Por, ama, për t’i bërë një moral më të lartë, për t’i bërë në kuptimin figurativ, për t’i ngritur në “xhiro” futbollistët, këtë e kemi në dorë. Për t’i ngritur në xhiro në të gjitha drejtimet, qoftë në aspektin për të bërë gol, qoftë në aspektin për t’u mbrojtur. Në aspektin moral unë mendoj se kemi për t’u rritur.

Sa të rinj do të afroni në skuadër?

Kam parë një ndeshje të paratërinjve së fundmi, ku më kanë rënë në sy dy-tre futbollistë. Gjithsesi, është shpejt për ta. Në ekip është një futbollist si Marius Korreshi, që e kam gjetur. Sa për futbollistët e tjerë tek ekipi i të rinjve, unë pata një takim me trajnerin e U-19 të Lushnjës, Çukanin, dhe do të ndjek nga afër ndeshjet e tyre.

Alban Alushi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura