Trajneri danez, Olsen: Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë të riluhej, gjithçka ishte e padrejtë

Aug 26, 2015 | 16:43
SHPËRNDAJE

Pas vendimit të KAS-it që i dha tri pikët në tavolinë Shqipërisë për ndeshjen e shtyrë në Beograd ndaj Serbisë, danezët duket se ende nuk e kanë kaluar këtë fakt.

Trajneri danez, Olsen
Trajneri danez, Olsen

Aktualisht Shqipëria dhe Danimarka kanë nga 10 pikë të dyja, ndërsa ndeshja e radhës pritet të luhet më 4 shtator të këtij viti.

Në një prononcim të fundit, trajneri i skuadrës daneze Morten Olsen ka thënë se ndeshja e Beogradit mund të riluhej një ditë pasi u ndërpre për shkak të futjes së tifozëve serb në fushën e lojës.

“Është dashur të luhej loja të nesërmen. Ne jetojmë në kohërat moderne dhe kanë mundur të udhëtonin me aeroplan të nesërmen, kështu që kjo ishte e mundshme”, deklaroi trajneri danez për agjencinë e lajmeve ‘tv2.dk’.

Ai shton se “do të ishte më e drejt kjo, sesa fakti që disa avokatë në Lozanë, ua japin një avantazh disa skuadrave e disa të tjerave u japin disavantazh”.

Trajneri i danezëve kritikon edhe gjykimin me vonesë të kësaj ndeshjeje. “Mendoj se kjo çështje është shtyrë shumë, nuk mund ta kuptojmë se përse ka ndodhur kjo. Mendoj se gjithçka ishte e padrejtë. Avokatët nuk duhet ta vendosin se kush do të kualifikohet në Evropian”,- ka thënë Olsen.

Ndeshja e ardhshme mes Shqipërisë dhe Danimarkës luhet në kuadër të turit eliminator të “Euro 2016” që do të zhvillohet në Francë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura