Tragjedia në Korçë, 20 vjeçarja e djegur në shtëpi e parandjeu fatkeqësinë (FOTO)

Jul 24, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kristina Cicani, 20- vjeçare, nuk arriti dot ta vishte fustanin e nusërisë. Ajo nuk arriti dot as të diplomohej, duke lënë pas shumë pengje. Pasi përfundoi vitin e parë të studimeve në Universitetin e Korçës, në degën Filozofi-Sociologjisë, vajza shijoi edhe pushimet e verës.

Të mërkurën ajo sapo ishte kthyer nga pushimet, të cilat i kishte kaluar me të fejuarin. Të njohur të saj tregojnë se, pasi kishte qëndruar deri vonë në mbrëmje në banesën e të fejuarit, ai e kishte shoqëruar në shtëpi. Por, diçka duket se ajo kishte parandjerë.

“Nuk më shkohet në shtëpi sonte, kot nuk qëndrova te ju”, mësohet se i ka thënë Kristina të fejuarit, pak para se të hynte në shtëpinë prej ku nuk do të dilte më e gjallë.

Kristina Cicani 20 vjec
Kristina Cicani 20 vjec

PARANDJENJA

Prej më se dy vitesh vajza ishte fejuar me djalin e përzgjedhur prej saj, banor po i qytetit të Korçës. Siç tregojnë banorët e zonës, Kristina, pjesën më të madhe të kohës qëndronte në shtëpinë e tij, së bashku me vjehrrin dhe vjehrrën. Mbrëmjen e fundit që kishte qëndruar në familjen e të fejuarit, Kristina thuajse kishte refuzuar të shkonte në shtëpinë e prindërve. Kishte qëndruar deri në orën 23:00 dhe i kishte shprehur nënës së të fejuarit dëshirën për të qëndruar tek ata edhe atë mbrëmje.

“Mami, nuk më shkohet sonte, sikur të qëndroj këtu, tani shkoi dhe vonë. Megjithëse kam dhjetë ditë pa i takuar prindërit…”, kanë qenë fjalët e fundit të Kristinës pak para se të hipte në makinën e të fejuarit.

Tedi Cicani
Tedi Cicani

Ky i fundit e ka shoqëruar deri në shtëpi. Pasi është përshëndetur me të fejuarën dhe familjarët e saj, është larguar i qetë, pa pasur as idenë më të vogël se do t’i duhej të kthehej sërish në të njëjtin vend, pak orë më vonë, për një lajm të kobshëm. Situata ka qenë tepër e nderë në orët e para të ditës së enjte, pasi u mësua se Kristina kishte ndërruar jetë, bashkë me të ëmën dhe vëllain e vetëm.

Askush nuk kishte mundur t’i shpëtonte ata. As kryefamiljari e as i fejuari i 20-vjeçares. Helmi nga djegia e kabllos dhe më pas zjarri që përfshiu banesën e familjes Cicani ishin vrasësit e nënës me dy fëmijët e saj.

zjarri2

BANORËT

Në lagjen Nr. 2, në zonën e njohur si “Liceu Francez”, të gjithë e njihnin si vajzë të urtë e të qeshur. Të gjithë fqinjët, me keqardhje, thuajse në një gojë thoshin “nuk ia dëgjuam njëherë zërin, ishte vajzë e shkëlqyer”. Prej një viti Kristina kishte zgjedhur të studionte në Fakultetin e Filozofi-Sociologjisë , një degë që e kishte me pasion.

Në ceremoninë mortore nuk kanë munguar as shoqet e saj, ndërsa të gjithë me buqeta e kurora lulesh në duar i kanë dhënë lamtumirën 20-vjeçares. Dedikimet për të kanë vazhduar edhe në rrjetet sociale, ku shumë shoqe dhe miq të Kristinës kanë vendosur fjongon e zezë të zisë, në shenjë dhimbjeje për vajzën që u shkëput nga jeta fare papritur. Siç ishte dhe ëndrra e saj për t’u veshur me fustan të bardhë, i bardhë ishte dhe arkivoli me të cilin e reja u përcoll në banesën e fundit.

KORÇE/ DHORJELA ÇULE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura