Tragjedia në Himarë, caktohet masa e sigurisë ndaj Arjan Tases. Ish-polici që i mori jetën 7-vjeçares lihet në burg

Aug 5, 2022 | 13:27
SHPËRNDAJE

Arjan Tase lihet në burg! Ai mbërriti rreth orës 10:20 në ambientet e Gjykatës së Vlorës e cila kishte caktuar ditën e sotme më 5 gusht, seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj ish-shefit të Komisariatit të Himarës.

Seanca drejtohej nga gjyqtarja, Viola Canaj ndërsa prokurore e çështjes është Eranda Lazaj.

Tase akuzohet për ngjarjen tragjike të 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë, ku si pasojë e përplasjes me gomonen që drejtonte Tase, humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.

Për Arjan Tasen, deri më tani ishte bërë publike akuza e ngritur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila e klasifikoi ngjarjen si një vrasje nga pakujdesia, e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg.

Por Prokuroria e Vlorës, e cila ka marrë tashmë në dorë hetimet, në varësi të dëshmive, dinamikës së ngjarjes, si dhe, natyrisht, dëshmive të personave prezentë në vendngjarje dhe të vetë drejtuesit të gomones, Tase, ka ndryshuar sot akuzën.

Kjo me argumentimin se pavarësisht faktit që ish-punonjësi i Policisë Tase nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës fatale ndaj 7- vjeçares, provat flasin se ai është futur me vetëdije të plotë në një zonë ku nuk duhej të qarkullonin mjete detare me motorë.

Për këtë arsye, ndaj Tases hetuesit kanë ngritur akuzën për vrasje me dashje në mënyrë indirekte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura