Tragjedia në Genova, kompania e rrugëve sulm Qeverisë: Ju do të na paguani!

Aug 17, 2018 | 9:36
SHPËRNDAJE

Mes rrënojave të urës “Morandi” vazhdohet të gërmohet pa pushim nga grupe të shumta të ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë në përpjekje për të gjetur të mbijetuar.

genoa12

Janë konfirmuar zyrtarisht 38 të vdekur, jo 39 siç u tha një ditë më parë, dhe janë dhjetë të lënduar që po qëndrojnë ende në spital, tetë prej të cilëve janë në zgjedhje të rëndë. Ndërsa Kryeprokurori i Genova-s, Francesco Cozzi, tha se mund të ketë ende njerëz nën rrënoja. Sipas tij, rezultojnë dhjetë deri në 20 të zhdukur.

Të shtunën, kur do të mbahen edhe funeralet shtetërore, e gjithë Italia do të mbajë një ditë zi e në funerale do të marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella.

EMERGJENCA E TË ZHVENDOSURVE

Janë më shumë se 630 njerëz që janë nxjerrë jashtë shtëpive të tyre në ndërtesat poshtë urës, për arsye sigurie. Nuk ka aspak siguri, sepse pjesë të urës së shembur janë mbështetur mbi pallate dhe ura mund të shembet përsëri në segmente të tjerë.

Ministri italian i Infrastrukturës dhe Transportit, Danilo Toninelli, konfirmoi në një mesazh në “Facebook”, të enjten se do të gjenden streha për të gjithë banorët që janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, por apartamentet e tyre duhet të shkatërrohen. Toninelli tha se pasi punëtorët e Emergjencës të kenë kanë hequr çelikun, betonin, si dhe mjetet nën rrënoja. “Ne mendojmë se duhet të shembim urën ‘Morandi’ dhe shtëpitë poshtë saj”.

Ai tha se rikonstruksioni i arteries kryesore të urës duhet të fillojë shumë shpejt. Ura-autostradë ishte lidhëse e dy autostradave të mëdha, njëra që shkonte në Paris dhe tjetra në Milano.

AKUZAT

Ndërkohë, prokurori i Genovës ka ngritur gjithashtu edhe hipotezën mbi atentat ndaj sigurisë së transportit, përveçse fajtorë për shkatërrimin dhe fajtorë për vrasje të shumta të pakujdesshme nga rrëzimi i urës “Morandi”.

Prokurori Francesco Cozzi u tha gazetarëve se një hetim për kolapsin ishte përqendruar në shkaqet njerëzore, veçanërisht në mundësinë e mirëmbajtjes joadekuate ose në një defekti të projektimit në ndërtimin e urës.

“Nuk e di nëse ka përgjegjësi. Sigurisht që nuk ishte një aksident”, tha ai. I pyetur nëse autoritetet kishin ndonjë paralajmërim se ura, e cila është një lidhje kyçe midis dy autostradave kryesore, një drejt Francës dhe tjetra drejt Milanos, mund të ishte e rrezikshëm, Cozzi tha se nuk ishte paraqitur asnjë shqetësim serioze i sigurisë në zyrën e tij para shembjes së urës. “Përndryshe, asnjëri prej nesh nuk do të kishte kaluar mbi atë autostradë 20 herë në muaj, siç kemi bërë”, tha ai.

QËNDRIMI I QEVERISË

Familjet e viktimave dhe qeveria kanë fajësuar kompaninë “Autostrade per Italia”, e cila operon në pjesën më të madhe të autostradave në Itali dhe është përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre. Të enjten, Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme për provincën e Genovës dhe tha se nuk ka dyshim që “Autostrade” ishte përgjegjëse për të garantuar sigurinë e urës si pjesë e kontratës së saj. Ai e rikonfirmoi synimin e qeverisë për t’i revokuar kontratën. Zëvendëskryeministri Luigi Di Maio akuzoi grupin “Benetton”, i cili, nëpërmjet kompanisë “Atlantia”, kontrollon “Autostrade per Italia”, se ka marrë fitime në vend të investimit të parave për mirëmbajtje. “Në vend që të investojnë paratë për mirëmbajtje, ata thjesht ndajnë fitimet. Dhe kjo është arsyeja pse ura ra”, tha ai.

“Qytetarët i paguajnë taksat, nuk mund të vdesin për këto neglizhime”. Ndërsa ministri i Transportit, Toninelli, i ka bërë thirrje menaxhimit të “Autostrade”, që të japin dorëheqjen, por ata deri më tani kanë refuzuar.

KUNDËRSULMI I KOMPANISË

Por, nga kompania “Atlantia”, e cila zotëron “Autostrade”, edhe pse janë 38 të vdekur, për të cilët me sa duket ata nuk duan t’ia dinë, po kundërsulmojnë qeverinë italiane duke u ankuar se njoftimi për revokimin e kontratës është bërë para se të ndodhte ndonjë ankesë zyrtare dhe para se të përcaktohet shkaku i shkatërrimit të urës në Genova. “Atlantia” tha se për këtë arsye, “Autostrade” ka të drejtën e një kompensimi nëse koncesioni revokohet ose ndërpritet më herët, pasi aksionet në kompani ranë me 24 për qind mëngjesin e së enjtes.

“Atlantia” shkroi në një deklaratë në faqen e saj të internetit, se kishte shpenzuar mbi 11 miliardë euro për të përmirësuar rreth 1000 km të autostradave italiane dhe ishte duke pritur miratimin nga autoritetet, për të ndërtuar një anashkalim rreth Genovës gjatë kohës që segmenti i urës qëndron i prishur.

Kompania thotë se ka bërë kontrolle të rregullta dhe të sofistikuara mbi strukturë para fatkeqësisë, duke u mbështetur në të dhënat nga “kompani dhe institucione që janë liderë botërorë në testim dhe inspektime”, dhe se rezultatet e tyre ishin garantuese për sigurinë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura