Trafiku i kokainës nga Kolumbia/ Mallin prej 40 milionë eurosh e ruanin vetëm dy qentë e zyrtarit të PS-së (video)

Nov 26, 2022 | 7:54
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI

Pamjet e marra me një dron të Policisë tregojnë qartë se i zoti i banesës që e kishte kthyer në laborator të kokainës nuk kishte realizuar asnjë lloj fortifikimi për të fshehur mallin që i vinte nga Kolumbia e largët.

Duke iu besuar vigjilencës së dy qenve që mbante në shtëpi, Viktor Çervanaku i sistemonte thasët lirshëm pa pasur frikën e askujt, jo më të banorëve vendas, të cilët duket se ruajnë një konsideratë të mirë për ish-zyrtarin që i ka drejtuar në 3 mandate, ndërkohë që tashmë gjendej në një nga drejtoritë më të njohura në Tiranë.

Pavarësisht se Policia i kishte arrestuar katër personat që dyshohet se kanë shërbyer edhe për truprojat e ngarkesës prej 430 kg të kokainës, Policia sërish ka marrë masa shtesë për të hyrë në banesën e zyrtarit të lartë shtetëror.

Për pasojë janë ngarkuar me dhjetëra thasë nëpër kamionë për t’u sistemuar në një vend tjetër, janë kryer me dhjetëra kontrolle, janë sekuestruar para, armë dhe municione dhe po ashtu janë sjellë në pranga 10 persona duke lënë 5 të tjerë në kërkim, të cilët dyshohet që janë larguar nga Shqipëria.

Zyrtari i OSHEE-së e ka lënë në oborrin e banesës së tij ngarkesën e sjellë nga porti i barit të Malit të Zi, ndërkohë që në fakt me dokumentacion malli ishte në emrin e të vëllait të tij, Zenelit, i cili rezulton të jetë edhe administratori i përgjithshëm i kompanisë që ishte hapur në mesin e janarit të këtij viti me seli në Tiranë.

Edhe pse SPAK dyshon se kreu i këtij grupi ishte biznesmeni i ndërtimit, implikimi i dy vëllezërve Çervanaku ka qenë i pashmangshëm duke qenë se ishin pritësi dhe strehuesi i mallit të kushtueshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura