Trafiku dhe përdoruesit e drogës

Nov 3, 2019 | 10:50
SHPËRNDAJE

PËLLMB NAKO

pellumb nako

Debati dhe të vërtetat lidhur me trafikun e drogës me burim dhe në tranzit nga vendi ynë tashmë janë të shumënjohura nga opinioni publik shqiptar. Po ashtu, edhe ai ndërkombëtar e sidomos institucionet e tyre kompetente.

Presioni i këtyre të fundit dhe i politikës ndërkombëtare mbi organet tona përgjegjëse janë gjithashtu të pranishme në mënyrë të përhershme në publik.  Jo rrallë, për të mos thënë gjithmonë, raportet ndërkombëtare për drogën që buron dhe tranzitohet nga territori shqiptar, shërbejnë edhe si materiale për të qartësuar të interesuarit si dhe për t’u përdorur si argumente bindëse në luftën politike ndërmjet krahëve të kundërt të politikës. Madje, jo vetëm kaq.

Raportet e specializuara ndërkombëtare mbahen dhe vlerësohen si kriteri i së vërtetës lidhur me atë pjesë të fenomeneve të lidhura me drogën që i përket vendit tonë. Duke marrë kaq shumë rëndësi, presioni ndërkombëtar i shoqëruar me debate të brendshme lidhur me raportet e tyre, ka bërë që edhe vëmendja e opinionit të jetë e përqendruar, pikërisht në këtë aspekt të fenomenit të gjerë të trafikimit të drogërave. Pra, në aspektin kriminal të aktivitetit dhe aspak në raport me atë human.

Me pasojat e rënda të përdorimit të tyre nga shumë të rinj e të reja të vendit tonë. Organet tona kompetente si Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik apo degëzime të tyre të specializuara, e kanë harruar krejtësisht trajtimin e varësisë nga përdorimi i narkotikëve, pikërisht të parashikuar nga aktet nënligjore të kësaj qeverie. Nuk ka asnjë reagim, asnjë nismë shtetërore për të ndihmuar, sipas zotimeve të marra, ata që në mënyrë të përditshme dhe në numër gjithmonë e më të madh, rrënojnë shëndetin e tyre, duke degraduar sistematikisht personalitetin.

Pra, dy herë viktima, tragjedi të shumta, të heshtura, të mbyllura nëpër mure të brendshme familjesh, zhvillohen shurdhaz përditë, duke rendur drejt vetërrënimit total. Të braktisur në fatin e rënë në pjesë, klithmat e tyre të dëshpërimit as që dëgjohen. Sepse askush nuk ka vëmendjen e duhur. Sot, askush, asnjë institucion shtetëror, asnjë organizatë e majme jofitimprurëse, nuk është në gjendje të japë një vlerësim qoftë edhe të përafërt të dëmit që u është shkaktuar familjeve tona nga përdorimi i narkotikëve. Sa vlerësohet sot numri i përdoruesve? Buletinet e përditshme policore flasin rregullisht për shpërndarës kokaine, heroine e hashashi, të arrestuar e të vënë para drejtësisë.

Po sa përdorues kokaine, heroine, hashashi vlerësohet të jenë sot në Shqipëri? Para disa viteve flitej vetëm për përdorues hashashi dhe heroinë të kuruar nga varësia. Kurse një organizatë ndërkombëtare citoi se përdoruesit e kokainës në vendin tonë janë të shumtë në raport me popullsinë.  Sa është numri i atyre që janë në varësi të plotë? Nuk bëhet fjalë për të dhënë disa numra në formë statistike dhe për të kënaqur kureshtjen e gazetarëve apo të publikut, por diskutohet për të ditur dhe për të dhënë alarmin lidhur me shkallën se deri ku ka rritur e keqja e përdorimit të narkotikëve në rininë shqiptare. Dihet se drogat e forta dhe me cilësi të mirë kanë çmim të lartë në tregun ilegal të shitjes.

Ndërkohë, fuqia blerëse e qytetarëve shqiptarë nuk është e njëllojtë me atë të shtetasve përdorues në perëndim. Pra, sa i rrezikshëm është “malli” me cilësi “të përshtatshme” për tregun shqiptar? Këto janë pyetje, për të cilat ka vite që organet tona nuk flasin. Askush nuk debaton. Në këto kushte, sëmundja sociale nuk kurohet, por rëndohet. Në rast se hierarkët tanë qeveritarë mburren dhe thonë se “këtëa vit kanë çrrënjosur kultivimin e kanabisit” dhe numri i përdoruesve të tij është rritur, nuk duket se ka shumë vend për kokoriko. Megjithatë, më shumë se deduksionet apo hamendjet analitike, rëndësi kanë dokumentet, mbi të cilat duhet folur. Në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020, në faqen 70 theksohet: “Moslejimi i mundësive për përdorimin e paligjshëm të lëndëve narkotike….”.

Strategjia është botuar në Fletoren Zyrtare tashmë, në vitin 2016. Sot, pas tri viteve, nuk ka ndonjë komunikim zyrtar e të na thotë nëse numri i përdoruesve të narkotikëve ka rënë apo është ngritur. Kemi të bëjmë me një impenjim të qeverisë, të futur në një ligj dhe të bërë publik. Një bilanc i realizimit të këtij objektivi duhet të ishte bërë i njohur pas kaq viteve. Askush nuk ka bërë diçka të tillë. As që e kanë pasur ndërmend. Po kështu, nëse shihet dokumentacioni i paraqitur në websitin e Ministrisë së Shëndetësisë, do të vihet re se aty, përveç fjalimeve të pambarueshme të ministres, nuk gjen dot ndonjë informacion apo ndonjë gjurmë dokumenti që të trajtojë, pikërisht këtë aspekt të shëndetit të qytetarëve.

Fakti tregon qartë mungesën totale të vëmendjes dhe të ndjesisë për këtë fenomen me pasoja të përditshme, pa zhurmë dhe me dëme kolosale. Për më tepër që këto gjëra janë detyrime të rrjedhura nga Vendime të Këshillit të Ministrave. E njëjta gjë edhe me Institutin e Shëndetit Publik. Madje, ky institut, prej 5 viteve, boton edhe një buletin me punëra shkencore. Dhe problemi i përdorimit të drogës nga të rinjtë dhe të rejat shqiptare është trajtuar vetëm në një shkrim të vitit 2016, por që analizonte të dhënat e një studimi të përdoruesve të lëndëve narkotike të kryer në vitin 2011. Pra, tërësisht të tejkaluar nga koha. Duket se studimi i vitit 2011 për përdoruesit e narkotikëve duhet të ketë qenë me përmasa heroike, pasi ai është shfrytëzuar edhe për të ndërtuar Planin e Veprimit Kundër Kanabisit të botuar në Fletoren Zyrtare në mars 2017.

Pra, kemi një studim shkencor të tri viteve më parë, të bazuar mbi një studim të tetë viteve para si dhe një plan veprimi që zotohet të ulë numrin e përdoruesve të kanabisit, të bazuar po ashtu në studimin e këtij viti. Vit ky që korrespondon pikërisht me qeverinë që anatemohet aq shumë. Duhet sqaruar se në këtë plan veprimi bëhen të pranishme disa mangësi serioze. Aty thuhet se “Përvoja e përballjes me pasojat e përdorimit të narkotikëve në vend, ka evidentuar disa probleme që adresohen nga PKK: Mungesë e strukturash ambulatore publike, shërbimesh ditore dhe shërbime komunitare me akomodim për trajtimin e problemeve të drogave”.

Dhe më pas vazhdohet me evidentimin e dhjetë mangësive të tjera, të lidhura me pamjaftueshmëri personeli të specializuar për përdoruesit e narkotikëve, me mungesë e barnash në trajtimin e tyre, me mungesë profilizimi të personelit mjekësor e të tjera. Duke përfunduar me mospërfshirjen sa duhet të Laboratorit të Toksikologjisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore për vërtetimin e rasteve e vdekjeve të shkaktuara nga droga. Plani i veprimit në fjalë është publikuar në Fletoren Zyrtare, dy vite e ca më parë.

Ai ngre disa probleme të rënda dhe të prekshme për mjekësinë në raport me përdoruesit e drogës në vendin tonë. Si është reaguar? Deri më sot, asnjë adresim të bërë publik nga ana e autoriteteve kombëtare kompetente. Dhe ky nuk është thjesht një mendim apo sugjerim, por është kërkesë e një akti nënligjor të hartuar dhe të miratuar nga kjo qeveri. Detyrë e marrë përsipër prej saj dhe e braktisur nga vetë ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura