Trafikim i klandestinëve/ Përgjimet zbardhin rolet, organizatori në kërkim

Nov 4, 2018 | 16:56
SHPËRNDAJE

SHKODER/ SENAD NIKSHIQI

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30- ditor për shtetasit Gjokë Murçaj, Ndue Ulaj, Griseld Dekovi, të akuzuar për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” për 11 shtetas sirianë nga Greqia në Malin e Zi.

kland-905x395

Nga ana tjetër, Gjykata vendosi të lirojë me masën e sigurisë garanci pasurore shtetasit Saimir Karaj dhe Florjan Tole, i pari me 500 mijë lekë të reja, i dyti me 300 mijë lekë të reja. Gjatë seancës, shtetasit e dyshuar dhe avokatët mbrojtës mohuan akuzat duke thënë se s’kanë pasur dijeni për shtetasit sirianë se ata kanë dashur të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin. Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për 5 shtetasit, por Gjykata vendosi të lirojë dy prej tyre. Në kërkim mbetet Pjetër Preka, i cili dyshohet se është kryesori i veprimtarisë për dhënien e ndihmës për kalimin të paligjshëm të kufirit për emigrantët.

HETIMI

Prokurorja e çështjes, Ajola Prençi, deklaroi se Preka siguronte sirianët se do i merrte sapo të futeshin nga Greqia në Shqipëri, duke u siguruar transportin drejt Malit të Zi, strehimin, ushqimin dhe gjithçka tjetër. Sirianët paguanin afërsisht 200 deri në 250 euro nga Korça në Tiranë dhe rreth 100 euro të tjera nga Tirana deri në Shkodër për të kaluar më pas në shtetin fqinj. Prokuroria e ka nisur këtë hetim më 17 tetor të këtij viti, ndërsa procedimi penal është regjistruar më 30 tetor.

Gjatë kësaj kohe, Pjetër Preka është vënë në përgjim dhe gjatë bisedave janë zbuluar 5 të tjerët, të cilët u arrestuan. Sipas Prokurorisë, Preka i merrte sirianët në kufirin me Greqinë duke i sjellë deri në Elbasan. Në Elbasan, sipas organit të akuzës, i kanë marrë shtetasit Gjokë Murçaj dhe Ndue Ulaj duke i dërguar te hoteli “Ëhite House” në Tiranë në pronësi të Saimir Karajt, edhe ky i arrestuar si pjesë e grupit, ndërsa në hotel sapo kishte nisur punë Florjan Tole, që gjithashtu është arrestuar. Emigrantët nga hoteli “White House” që ndodhet në Laprakë kanë shkuar deri te rrethrrotullimi te Shqiponja në Tiranë.

Aty, sipas Prokurorisë, i ka marrë sirianët Pjetër Preka dhe Ndue Ulaj duke i sjellë me dy makina të ndryshme, 3 emigrantë secili. Në Kryebushat, në afërsi të Shkodrës, Griseld Dekovi ka marrë në mjetin e tij 3 sirianët që kishte Pjetër Preka dhe i ka dërguar deri në Vukpalaj në afërsi të kufirit me Malin e Zi, vend ky që i ka çuar edhe Ndue Ulaj. Aty Policia i ka arrestuar këta dy shtetas bashkë me pjesën tjetër të grupit, që u arrestuan në vende të tjera.

HOTELI

Pronari i hotelit “White House” tha se s’ka asnjë lidhje me këtë ngjarje dhe se ai thjesht ka pranuar në hotel sirianët, pa e ditur nëse ishin ilegalë apo se cili ishte plani i tyre, ndërsa shtoi se nuk i njeh personat e tjerë të arrestuar. “Kjo është një tentativë për të më shkatërruar biznesin. Unë kam punuar 15 vite në Greqi punë të ndershme. Shtëpinë e kam kthyer në hotel dhe kam 9 dhoma, ndërsa babai dhe vëllai jetojnë me qira. Janë absurde akuzat ndaj meje sepse s’kam asnjë lidhje. Policia më trajtoi si skllav, duke më marrë telefonin dhe fillimisht duke mos më pyetur fare, por më bënë të firmos pa e parë se çfarë shkruhej. Unë kam kryer Juridikun dhe e di si funksionon. Kam gruan shtatzënë dhe kam fëmijën tjetër 18 muajsh. A janë në vete këta, çfarë bëjnë kështu”, duke derdhur edhe lot dhe duke u dridhur teksa fliste.

Edhe shtetasit e tjerë e mohuan se kanë lidhje me veprimtari kriminale apo se kishin për qëllim dhënien e ndihmës për emigrantët. Gjokë Murçaj tha se ka qenë në Elbasan te një i njohur dhe rastësisht i ka marrë duke i dërguar deri te hoteli që ata i kanë kërkuar, ndërsa tha se ka qenë i vetëm dhe jo me Pjetër Prekën siç pretendon Prokuroria. Avokati Anton Kosteri tha që në akte është e shkruar se klienti i tij Murçaj ka dalë i vetëm nga hoteli dhe jo i shoqëruar me dikë tjetër. Griseld Dekovi u shpreh se një person që nuk e njeh shumë mirë e ka telefonuar dhe ka shkuar për të marrë shtetasit sirianë në Kryebushat, por pa e ditur se çfarë janë ata, ndërsa shuma që do merrte nga këta pasagjerë ishte 30 euro.

Edhe Ndue Ulaj mohoi akuzën, duke thënë se ka transportuar  thjesht pasagjerë dhe asgjë më shumë. Në fund Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për të gjithë, por dy prej tyre, pronari i hotelit Saimir Karaj dhe punonjësi që kishte nisur punë një ditë përpara se të regjistrohej procedimi penal, Florian Tole, u liruan me garanci pasurore, ndërsa për tre të tjerët Gjykata dha masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor. Prokuroria dhe Gjykata kanë sekret përgjimet e këtyre shtetasve deri sa të përfundojnë hetimet paraprake, çka do të thotë se avokatët Anton Kosteri, Edit Gërçari, Bujar Hoti dhe Blerim Bazhdari nuk i kanë ende përgjimet. Nga 11 sirianët, 6 janë evidentuar gjatë transportimit dhe ndjekjes prej 48 orësh nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Posaçme Operacionale të Tiranës, ndërsa 5 të tjerë janë gjetur në hotelin “White House”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura