“Trafikantët, 1 milion euro me autobusë e kamionë në Shqipëri”

May 30, 2016 | 8:40
SHPËRNDAJE

Komandanti i Karabinierisë në Milano shpjegon se si funksiononte grupi i shqiptarëve që trafikonin drogë nga Holanda në drejtim të Italisë.

Paratë e sekuestruara në çantën e rrobave
Paratë e sekuestruara në çantën e rrobave

Në një intervistë për televizionin “TGR”, komandanti Giuseppe La Gala u shpreh se ky grup i dërgonte në Shqipëri paratë e përfituara nga shitja e drogës. Sipas tij, një dërgesë e tillë arrinte në vlerën e afro 1 milion eurove. Rreth 300 mijë euro, të përgatitura për t’u nisur me postë në Shqipëri, u sekuestruan mbrëmjen e 24 majit, kur u zhvillua operacioni mes Shqipërisë dhe Italisë.

Komandanti La Gala shprehet se ky grup ka trafikuar tonelata droge në Itali, përgjatë 2 viteve të fundit. Sipas tij, kishin caktuar disa kode, në mënyrë që të mos zbuloheshin nga Policia, kode që për rreth 2 vite kanë funksionuar mjaft mirë, duke bërë që ata të mos zbuloheshin.

Komandanti tregon edhe se si funksiononte grupi. Sipas tij, shqiptarët kishin rolin e furnitorëve me lëndë narkotike, të llojit heroinë dhe kokainë, ndërsa si korrierë për shpërndarjen e drogës përdornin disa shtetas nga Maroku dhe Tunizia, mes të cilëve edhe një femër.

Gjithashtu, La Gala tregoi gjatë intervistës edhe mënyrën e jetesës që kishte bërë grupi i shqiptarëve, për të mos u zbuluar nga Policia.

GRUPI KRIMINAL

Tonelata drogë janë trafikuar nga grupi i shqiptarëve, që përdornin tunizianë e marokenë për ta transportuar me autobusin e linjës nga Holanda në Itali. Komandanti i Karabinierisë së Milanos, Giuseppe La Gala, tha se anëtarët e këtij grupi bënin një jetë që të mos binin në sy.

“Kishin disa kode të qarta që i përdornin për të mos u zbuluar. Secili prej atyre që ishte i përfshirë në këtë grup e kishte të ndaluar të frekuentonte lokalet e natës. Shmangnin çdo gjë të tepruar. Përdornin makina modeste dhe ishin të rregullt me pagesën e faturave. E kishin të ndaluar të shoqëroheshin me njëri-tjetrin në ambiente publike, për të shmangur çdo dyshim për bashkëpunim apo njohje mes tyre. Ishin të detyruar të sillnin në Itali familjarët e tyre, gruan dhe fëmijët, për të simuluar prezencën e një familjeje normale”, shprehet La Gala.

Ndërsa tregoi se edhe në rastet kur shërbimet e Policisë, në ndonjë kontroll rutinë, mund të shoqëronin ndonjë prej korrierëve, ata hidhnin dhe zhduknin telefonin celular, në mënyrë që lidhjet e tyre të mos zbuloheshin.

“Paratë e përfituara nga shitja e drogës ktheheshin në Shqipëri, në çanta plastike, ku kishte rroba ose sende të ndryshme. Ngarkesat shkonin deri në 1 milion euro, para të kamufluara mes objekteve të ndryshme. Ne kapëm 300 mijë euro, që ishin paketuar në çanta të ndryshme për t’u nisur drejt Shqipërisë”, tregon komandanti italian.

HETIMET

Hetimet për zbulimin e këtij grupi kriminal kishin nisur që prej shkurtit të vitit 2014. Sipas komandantit të Karabinierisë së Milanos, ka qenë një ndërhyrje rutinë në Milano, që zbuloi dhe sekuestroi një sasi prej 42 kg heroinë në shkurt të dy viteve më parë, që inicioi hetimet për zbulimin e këtij grupi.

“Gjatë hetimeve që u kryen nga Njësia Hetimore, u mësua ekzistenca e një grupi kriminal që ishte i degëzuar në të gjithë Italinë Veriore dhe Shqipëri, që merrej me trafikun e kokainës e heroinës. U identifikuan furnizuesit shqiptarë të drogës dhe korrierët e tyre që mbanin drogë me makina të modifikuara posaçërisht për këtë veprimtari. Disa prej anëtarëve të këtij grupi kishin dyqane ku shisnin mallra të ndryshme me pakicë, që shërbenin si pikë takimi me korrierët marokenë e tunizianë, që merrnin pako të ndryshme me “ushqime”, ku në fakt kishte drogë.

Hetimet në fund u ngushtuan te rrethi i personave që kishin si detyrë kthimin në Shqipëri të shumave të konsiderueshme monetare, që transportoheshin me kamionë ose autobusë”, u shpreh gjatë intervistës për median italiane komandanti Giuseppe La Gala.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura