Tradhtia e patriotizmit

Nov 13, 2018 | 18:44
SHPËRNDAJE

Nga Koço Kokëdhima

koco

Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste për nacionalizmin që tradhton patriotizmin. Sigurisht që nuk kishte parasysh këtë liderin tonë rrënjëdalë i cili çdo ditë mendon dhe punon vetëm për pasurinë, për pushtetin dhe për llogaritë e veta politike. Natyrshëm, nuk i binte radha që në fjalimin e mbajtur në përkujtim të mbarimit të Luftës së Parë Botërore, të merrej me kryeministrin shqiptar. Ky i fundit nuk ka ndonjë platformë në të mirë të shqiptarëve.

Në Shqipëri, e kuptojmë fare mirë të gjithë se kryeministri ynë çdo ditë “tradhton patriotizmin”.

Ky “nacionalisti” ynë modern është si Esat Pashë Toptani, që për interesin e vet ishte gati të shiste çdo copë të atdheut. Rama shkel Kushtetutën sa herë t’i teket dhe e përdor nacionalizmin si fasadë, që ne të besojmë se ai është patriot. Për të marrë kostumin e nacionalistit, i ndihmuar nga Fondacioni Soros, i rreshtoi shqiptarët e Maqedonisë në gjoja platformën e përbashkët dhe i groposi interesat e tyre për qeverinë e Zaevit, pa negociuar kushtet dhe pa garanci për përmbushjen e të drejtave të tyre. Ata u vunë në këtë pozitë që të nënshkruhej marrëveshja e Prespës mes Tsiprasit dhe Zaevit, dhe meritat t’i merrnin maqedonasit dhe grekët duke i lënë shqiptarët jashtë tryezës. Ja ku jemi sot, kur ky “nacionalisti ynë” nuk ndihet teksa në Maqedoni nuk bëhet asnjë ndryshim kushtetues në favor të shqiptarëve.

Me imazhin e nacionalistit shkoi në Beograd dhe foli për pavarësinë e Kosovës, që në fakt kishte ndodhur një dekadë para ardhjes së tij në pushtet. Nga poshtë tryezës miratonte planet për shkëmbime e falje territoresh shqiptare. Në vitin 2015, ky pseudo-nacionalist bëri gjithë atë zhurmë për memorialin e Katalanos dhe të Misionit Bazilian që do të ngrihesh mbi rrënojat e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, në nderim e kujtim të Rilindjes sonë të parë kombëtare, të Shkollës së parë Shqipe, gramatikës e fjalorit të parë të shqipes dhe të historisë së lavdishme të ortodoksisë unite të Himarës. Gjithçka përfundoi në një plagjiaturë të shëmtuar e pavlerë dhe në një trofe më shumë për ata që kërkonin të zhduknin simbolet dhe gjurmët e kësaj historie. Nuk bëri ndonjë gjë ndryshe nga Berisha, i cili hapi për herë të parë një shkollë greke në Himarë dhe bashkëqeverisi me një grup ekstremistësh të korruptuar të Omonias, u hapi rrugë varrezave greke në Shqipëri dhe nënshkroi një marrëveshje skandaloze për ndarjen e detit. Zhurma që u ngrit në fakt shërbeu vetëm për të fshehur prishjet brutale pa legalizim, pa shpronësim dhe pa pagesë të shtëpive të banorëve të bregut.

Për t’u kthyer në krye të këtij shkrimi, prishja e befasishme e Shqiponjës, nuk ka lidhje me nevojën e Kryeministrit për të treguar se nuk është nacionalist, ai donte të fshihte abuzimin me pronat, shtëpitë, bizneset në Unazën e re, e cila është fatkeqësi për banorët dhe mundësi e artë për klientët e qeverisë. Kjo qeveri dhe kryeministri i saj i janë drejtuar maskarallëkut më të madh “nacionalizmit fasadë” sa herë që ua do puna të fshehin diçka të mbrapshtë. Kur nxirrte gravurat me harta të mesjetës dhe pamje të Akropolit të banuar nga shqiptarë, nga ana tjetër ishte duke biseduar me Kotzias për shitjen e hapësirës detare, fshirjen e emrit të Çamërisë, dhe falsifikimin e historisë që opinionit më vonë do t’ia shiste si kushte për integrimin e Shqipërisë në BE. Kur në këto pazare u përfshinë “nacionalistë” më zhurmëmëdhenj matanë kufirit dhe Kotzias u dorëzua, këto marrëveshje dolën në diell. Dolën në dritë edhe fondet sekrete greke për kishën autoqefale të Shqipërisë dhe për të blerë politikanët, gazetarët dhe intelektualët që tradhtojnë interesat e Shqipërisë dhe favorizojnë ato të Greqisë. Ja pse u bë kurban Kacifas dhe u gatua incidenti i Bularatit nga të dy qeveritë shqiptare e greke, që populli shqiptar mos të merrej me marrëveshjen e varrezave greke, imponimin e 28 tetorit si festë kombëtare të Shqipërisë dhe kapitujt e tjerë të marrëveshjes që Rama e Bushati kishin bërë në fshehtësi. Sherri i stisur me Presidencën, për emërimin e ministrit të brendshëm ka për qëllim të sfumojë jehonën negative që la në opinion menaxhimi i incidentit të Bularatit. Më tej, për të mos prekur Vangjelët e Parlamentit shqiptar, që u sollën si ushtarë të “Agimit të Artë”, u shpall non grata një eurodeputete, Eleni Theocarus. Partia Zgjidhja kërkon që të zbatohet Kushtetuta dhe Parlamenti të kërkojë llogari nga anëtarët e tij që shkelën ligjet e vendit me pjesëmarrjen e tyre në mitingje shoviniste dhe manifestime antishqiptare. Me këta politikanë që kemi na presin provokime e rreziqe të mëdha. Kushtetuta nuk mbrohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese (që PS-PD, bashkërisht e kanë neutralizuar). Kuvendi ka rolin e tij. Ai duhet të mbrojë sovranitetin e vendit nga shovinistët dhe nga qeveritarët që bëjnë pazar me atdheun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura