Tradhtia e Esad Pashës, sipas gazetës së Qeverisë së Vlorës

Dec 28, 2012 | 11:28
SHPËRNDAJE
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, duke prezantuar koleksionin e dixhitalizuar dhe botuar të gazetës “Përlindja e Shqipëniës”

Dixhitalizohet koleksioni i “Përlindja e Shqipëniës”

Pavarësia, çështja e kufijve, Kosova e Çamëria në shtypin e viteve 1913-1914.

Kur sot të gjithë nxitojnë të botojnë libra historikë mbi shpalljen e pavarësisë dhe ç’pasoi paskëtaj, atë situatë më mirë se askush tjetër e japin gazetarët dhe “analistët” e kohës, pra 100 vjet më parë.  Në mbyllje të vitit të festimeve, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me atë të Kosovës, i bëjnë dhuratë lexuesit koleksionin e gazetës së të parës qeveri shqiptare, “Përlindja e Shqipëniës”, e cila zë fill më 24 gusht të vitit 1913 dhe mbyllet më 28 mars të vitit 1914. Janë 56 numra gazete, që ofrojnë material të vlefshëm për studiuesit shqiptarë. Dje, në një konferencë për shtyp, drejtori i BKSH-së, Aurel Plasari dhe ai i BKK, Sali Bashota, nën praninë e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, prezantuan variantin e dixhitalizuar të këtij koleksioni, i shfrytëzueshëm në faqen e portalit albanologjik dhe një botim të kufizuar të këtij koleksioni. Plasari u shpreh se ky projekt u mbështet nga Komisioni Kombëtar i Festimeve dhe është një nga dhuratat më të vlefshme në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ndërsa Bashota vlerësoi përmbajtjen e kësaj gazete. Qysh në faqen e parë të gazetës qartësohet se “Përlindja e Shqipëniës” është “Organ për me mbrojtur të drejtat kombëtare” dhe si e tillë në faqet e saj do të trajtojë kryesisht çështje që lidhen me njohjen e shtetit të sapokrijuar shqiptar, për problemin e kufijve në atë vit të mbrapshtë, marrëdhënia me fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha, mësymjet serbe e greke në Veri e Jug të Shqipërisë, çështja e Kosovës dhe e Çamërisë, vendimet e Qeverisë së Vlorës,

Koleksioni i botuar nga BKSH

fjalime të Ismail Qemalit, konferenca të zhvilluara në gjithë Shqipërinë, ardhja e Princ Vidit etj. Një vend të veçantë zë tradhtia e Esat Pashë Toptanit, dorëzimi që ai i bën Shkodrës te malazezët. Në një editorial, në nr. 12 të gazetës, patrioti dhe gjuhëtari Mihal Grameno, një nga penat më të fuqishme të kësaj gazete, i bën thirrje për pendesë Pashait, që të mos harrojë nderet që i ka bërë Shqipëria e të mos “nxijë emrin e oxhakut” të Toptanëve, nga ku dolën disa firmëtarë të Pavarësisë. Por, ndonëse një shtet në shpërgënj, një nga çështjet që trajtohen në faqet e kësaj gazete ishte edhe gjuha shqipe, mënyra e shkrimit të saj, probleme të arsimimit etj. Përveç Gramenos, të tjerë emra që shkruanin në faqet e kësaj gazete ishin Kristo Floqi, Pietër Kakarriqi, Dionis Karbonara, Kostë Çekrezi etj. Nga ky koleksion prej 56 numrash kemi shkëputur dy shkrime, njëri i Mihal Grameno, titulluar “Kini Kohë!”, botuar në numrin 12 të “Përlindja e Shqipëniës” dhe tjetri në numrin 19, “Një plag’ e tretë nga dor’e Esad Pashës në trup të Shqipëniës”, nënshkruar me “A”.

Pasha, pendohi sa kini kohë!

Disa numra të gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë

Mihal Grameno
Pasha! Kur gjithë Shqipëria u shkel nga armikët e kombit t’ënë, shqiptarët nuku hupnë shpresën e guximin për të mos poshtëruar përpara atyrevet që pa nonjë kundrësktim shkelnë atdheun. Edhe këtë e detyrojmë luftëtarët Shqiptarë të Shkodrës, të cilët luftonin e luftuan gjer në funt burrërrisht nënë kumandë të Z. s’ate. Nuku dini Pasha me sa gëzim, me sa zemër edhe me sa lutje në qiell, luteshin tek i madhi Zot për juve dhe për ushtarët që kumandonit. Për çdo Shqipëtar ju kishit mbetur e vetmja shpresë për kombin, andaj besonin që Shkodra ishte e vetmja zgjidhje që duheshe të rronjë në Shqipëri ose ishte dënuar të vdesë. Të lumtur pra e provuat që Shqipëria duhet të rronjë! Luftove pasha me drogonjt’e Shqipërisë u dhe dërmën armiqëvet dhe nderove vendin tënt, nderove Shqipërinë dhe nderove emrin e Skënderbeut! M’i madh shpagim për një luftëtar as që mund të bëhet dhe as që është bërë kurrë! Vërtetë Shqipëria nuku mundi t’u kurorëzonjë me kurorën e artë, nga shkaku që ishte shkelur nga armikët, po ajo e ruante atë kurorë dhe, kur të vinte sjo ditë e lumtur, do t’u kurorëzonte siç duheshe duke thënë gjithë Shqipërisë cili është Esat pashë Toptani!
Pasha! Dridhem nga turpi dhe do të dridhen gjithë bijt’e Shqipërisë paskëtaj po të jetë e vërtetë që kërkoni të shkelni me këmbë fitimet e mëdha që mundë t’i fitoni në luftë. Dridhen dhe do të dridhen gjithë Shqipëtarët kur të mësojnë që vërtet Esat Pasha, pas këtij nderi të madh, u tregua armik i Shqipërisë duke dëshëruar humbjen e saj! Mendohuni Pasha sa është kotë! Nuku do t’u kujtojmë gabimet e pa ndyera, po të shkuara, po do t’u kujtojmë sa gabime bëni, sot, kur Shqipëria nuku është kufizuar dhe ndodhet në më të mathin rezik, duke kërkuar të sillni grindje e përçarje. Shqipëria u emërojti Ministër të brendëshmë, me gjithë që të ish tjatër nuku e pranonte për nder të trimërisë duke ndenjur lark luftës politike. Po Z. juaj pas shumë të vërtitura e pranuat dhe muart frenë në dorë. Gjithë Shqipëria u gëzua duke besuar që edhe shqipëtarët kryetarë dinë të apin dorën, përpara rrezikut të atdheut dhe çdo re nuku mudn t të trubullonjë qiellin. Besuan Shqipëtarët që Esat Pashë Toptani është bir’i Shqipërisë edh’ajy i vërteti, domethënë kushëriri i Refik beut edhe i Mazar beut edh’i Abdi beut Toptanit, por mjerisht u gënjye ose e gënjyen! I shkeli nër këmbë gjithë ato nderime të cilat as me gjysmën e kësaj bote nuku fitohen!
Pasha! Shqipëria kurrë nuku mund të aronjë shërbimet e nderimet që i dhatë Juve, në qoftë që do të pendohi për udhën e shtrembër q’u kanë shtënë, ndaj nderi i Z. juaj kërkon qe të qendroni atje ku kombi u nderoji se tjatër soj do të turpërohi! Mos dëgjoni Pasha egoistët e gënjeshtarët, mos dëgjoni armikët e kombit, po dëgjoni armikët e atdheut që ndodhet në rrezik! Nderi yt Pasha e kërkon këtë që të mos turpërosh emrin edhe ohakun tënt!
Pasha! Tinë e di fort mirë që Shqipëria do të bëhet domosdo po mos u bëj shkak të nxish emrin! Shqipëria Pasha do të bëhet për shqiptarët gjithë, të krishterë e Muhamedanë, edhe e di fort bukur që s’bëhet Turqi e vogël, andaj t’a kesh për detyrë t’u tregosh të tjerëvet që duhet të bëhen Shqipëtarë e të duan Shqipërinë e jo siç tregoji armiku i saj. Miqtë q’u rrethojnë do të ishin për shëmbëll po të qëndronin kundra armiqëvet Serbë dhe Grekë që n’a turpëruan dhe rahnë si gomarët, por për fat të zi atë trimëri, që të mos thomi djallëzi, e përdorin për kombin e vet! Mos dëgjoni Pasha atë që kurrë s’janë menduar për të mirën e atdheut po vetëm për veten e tyre se ata nuk e dinë ç’është atdhe! Mbaronj Pasha duke u lutur të pendohi sa kini kohë!                     Vlorë
 (Botuar në numrin 12 të gazetës)

Një plag e tretë nga dor’ e Esad Pashës në trup të Shqipëniës

Esad Pasha, komandant i Shkodrës, duke i dorëzuar çelsat e fortesës, princit trashëgimtar të Malit të Zi

Gjith Shqipëria ka marrë vesh gjer sot q’Esad Pasha, i cili pas të dhanit të Shkodrës në dorë t’anmikut, me ndihmën morale të Serbiës e të Malit të Zi edhe me fuqiën e ushtrisë turke, kumandën e së cilës e kish marrë pas një ngjarje tragjike, kërkoi të prishnjë vendimet që kish bërë e tanë Evropa për të mirën e Shqipëriës edhe, duke marrë në dorë fatin e saj, desh t’i lidhnjë Shqipëtarët nën zgjedhën e armiqve.
I panginjur me të gjitha këto vepra të këqia Esad Pasha, në ditët e fundit, themeloi në Durrës një pleqësië nën kryesin e tij.
Qeverri e Shqipëriës, e cila për një shkak patriotik fort të lartë, desh t’i dëftejë Evropës se gjith Shqiptarët, të mëdhenj e të vegjël, janë të lidhur për shpëtimin e lirin e atdheut, i mbylli sytë dhe e mbuloi ligësin e tij duke i dhanë ministerin e punëve të brendie. Zgjyra e fytyrës së tij, me këtë emërim u la për pak kohë, por, zemra i mbet, si gjithmonë, e zezë.
Si ministër, u ngrit e vate në Tiranë dhe, si ma e keqeja e vegël e armiqve, dolli në shesh për të kërkuar prej kabinetit, anëtar i të cilit ishte, gjëra që as anmiqët nuk do të kuxonin t’i kërkojnë.
Ma tepër se një muaj, duke vënë në dorë qeverriën e sanxhakut të Durrësit, loti një komedhië, e cila nuk ka shembull n’historinë e popujve.
Qeveria e duroi, jo nga frika, po nga turpi edhe nga dëshira që komedia e tij, të mos kthenet në një tragjedië gjakëtore në mes të vëllezërve. Gjak nuk u derth, po, helmi i vendimeve të tij, i hidhëroi të gjithë atdhetarët dhe i gëzoi të gjithë anmiqt.
Nuk besoheshe kurrë se nj njeri si Esad Pasha, sado i lik që të jetë, me një kohë si e sotmja, do të dëfteheshe ndihmëtar’ i dëshirave t’anmiqve.
Cili shqiptar, pra, pa zemër dhe i lik, do t’i bahet shok njeriu që punon me kaq paturpësi pas interesit e armiqve të kombit t’onë? S’ka dyshim: askush! Askush sepse populli shqiptar, i cili shumë herë e ka provuar hollësinë e tij në të kuptuar ç’punë asht për të mirën e tij dhe ç’punë asht për humbjen e tij, edhe këtë radhë e ka për të pikasur qëllimin e fshehtë e punëve t’Esad pashës, qëllim i cili, duket faqas se asht kundër morallës, kundër atdhesisë, kundër Shqipërisë.
Sa për Qeverriën e përtashme, ajo, si gjithmonë, edhe këtë radhë e ka për të bërë detyrën e saj në një mënyrë e cila do t’i kënaqë të gjithë shqiptarët që e duan të mirën e atdheut.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura