“Tradhtari i kombit”, “Spiun i serbit”/ Pakënaqësi e dhunë ndaj statujës së Mbretit Zog? Në bulevard do vendoset edhe shtatorja e Geraldinës

Oct 4, 2019 | 16:31
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Tradhtari i kombit”, “Spiun i serbit”, “Vendos, Ismail Qemalin, Bajram Currin dhe Isa Boletinin”, janë këto disa nga parullat që kanë mbuluar bazamentin e shtatores së mbretit Zog në bulevardin që mban emrin e tij.

Zogu-busti-1110x624

Mirëpo, ndërkohë që zemërimi i një mase të popullsisë ende nuk është shuar që prej debatit që hapi vendosja e këtij monumenti në 24 dhjetor të 2012-ës (datë, e cila përkon edhe me rrëzimin e qeverisë së Nolit nga Zogu), ambasada e Hungarisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës po planifikojnë vendosjen e një tjetër shtatoreje, që plotëson panoramën e çiftit mbretëror.

Ambasadori i Hungarisë, Lorant Balla, gjatë prezantimit të javëve kulturore të Hungarisë, të cilat do të shënojnë 17 ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të Shqipërisë, u shpreh se: “Lidhur me Geraldinën kemi edhe diçka tjetër, që është në proces. Kemi ofruar një shtatore për të te Bashkia e Tiranës dhe na është ofruar një vend në bulevardin ‘Zogu i parë’, që dy bashkëshortët të mbeten afër njëri-tjetrit në emër”.

EKSPOZITA PËR GERALDINËN: MARTESA ME ‘CHANEL’ E ‘MERCEDES’-I DHURATË I HITLERIT

“Shpesh ndodh që historia më shumë përçan sesa bashkon. Është nder për kombin kur ka figura që bashkojnë, mbretëresha Geraldinë është një prej tyre dhe për këtë jam shumë krenar. Gjyshja ime ka mbajtur gjithmonë në zemër Hungarinë e Shqipërinë, edhe përgjatë viteve të azilit”.

zogu zogu + geraldina

Princi Leka II i shqiptoi këto fjalë mes emocionesh, ndërsa në Muzeun Historik Kombëtar u çel ekspozita “Trëndafili i Bardhë”, dedikuar mbretëreshës Geraldinë. Pas ekspozimit në Budapest, kujtimet e bashkëshortes së Mbretit Zog vijnë në Shqipëri falë angazhimit të Muzeut Kombëtar të Hungarisë, ku Geraldina punoi gjatë viteve studimore duke shitur kartolina.

Siç rrëfejnë përfaqësues të Muzeut, një prej kolegëve të Geraldinës, sot 104-vjeçar, e kujton ende vajzën e hijshme që guxoi të thyente pikëpamjet konservatore, që mbizotëronin në qarqet aristokratike qoftë për angazhimin në punë, përfshirjen në aktivitete kulturore dhe në pritjet e bamirësisë. Por edhe për faktin se nuk ishte e zakontë që një konteshë Gerry të ishte ende e pamartuar në të njëzetat e hershme. Dhe ja! Në një prej imazheve të ekspozuara, mbretëresha shfaqet në një nga rolet më të njohura puciniane.

Mimi i “La Boheme” shënon performancën e parë amatore të Geraldinës, në nder të kompozitorit Franz Lehar nga Vjena. Krahas fotove të rinisë së hershme që shpalosin hijeshinë e saj, fotot me Mbretin Zog kulmojnë me martesën e tyre.

Pas gjashtë përpjekjeve të pasuksesshme të mbretit për t’u martuar, motrat e tij do t’i tërhiqnin vëmendjen Mbretit Zog me një medaljon, që mbante fotografinë e konteshës së Hungarisë. Pas disa takimeve të shkurtra paraprake, Geraldina do të kalonte më shumë kohë me bashkëshortin e saj të ardhshëm në dhjetor të vitit 1937, pasi pranon ftesën për të kaluar Vitin e Ri në Tiranë. Mandej, pas njohjes do të vinte angazhimi zyrtar. Midis 25 dhe 27 prillit të vitit 1938, Tirana do të ishte në vëmendje të të gjithë botës.

Në imazhet që rrëfejnë ceremoninë martesore bie në sy krahas elementeve tradicionale edhe luksi i madh, që do të tërhiqte vëmendjen edhe në një vend, ndoshta më të zhvilluar se Shqipëria. Fustanet martesore të konteshës Geraldin Apponyi u përgatitën nga stilisti prestigjioz i Parisit, Chanel.

Siç princeshat, motrat e Mbretit Zog do të raportonin për shtypin, “veshja e bardhë e mëndafshit ishte qëndisur me gurë kristalorë Rhine, perla dhe fije argjendi, ndërsa një qëndisje me ornamente e shkëlqyeshme prej mëndafshi zbukuronte bishtin prej 3.5 metrash”. Po ashtu, tetë shoqërueset e nuses do të visheshin me fustane lame, me zbukurime tyli e argjendi. Sigurisht që, gjatë atyre ditëve shtypi e përqendroi vëmendjen veçanërisht te dhuratat e dasmës.

Në çdo raportim përmendej “Mercedesi” i kuq benz “Grosser”, dhuratë e firmosur nga vetë Adolf Hitler, argjendi dekorativ i ministrit Ciano, vazot e bronzta apo skulpturat me dragonj të Duçes, dy kuajt Lipizzaner të dërguara nga Regent hungarez Miklos Harus etj. Nuk mund të mungonte në këtë ekspozitë as fotografia e mbretëreshës me kurorën rrezatuese të modelit Marianne Ostier, e zbukuruar me motive të stilizuara të helmetës së Skënderbeut, krahas zbukurimeve me lule për të kujtuar “Trëndafilin e Bardhë”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 15 tetor.

“Geraldina- Trëndafili i bardhë i Hungarisë”

Titulli i ekspozitës “Trëndafili i Bardhë” sjell në vëmendje një episod nga jeta e Geraldinës, kur ajo ishte në moshë të re. Në fillim të viteve 1920, qyteti piktoresk hungarez i Zebegény e magjepste teton e dashur të Geraldinës, Franciska Apponyi (Fanny), në një masë aq të madhe sa jo vetëm që u vendos aty, por edhe bleu rreth një duzinë të shtëpive të atij qyteti.

Ajo i përdori këto shtëpi si kampe për të pritur fëmijë gjatë pushimeve verore. Vitet në vazhdim sollën punë serioze edukative në këto shtëpi të Lulediellit (të quajtura kështu prej lules së preferuar të konteshës), që fituan respekt dhe dashuri nga vendësit. Fanny themeloi virtualisht një republikë për fëmijë, që së shpejti i përfshiu të afërmit dhe miqtë e saj. Kjo solli themelimin Virág Egylet Zebegény (V E Z, Shoqata e Luleve Zebegény), ku Geraldina e re ishte anëtare.

Çdo qytetar i “republikës” mori emrin e një luleje ose të një kafshe. Konteshë Fanny mori emrin “Luledielli”, si presidente e republikës së fëmijëve, ndërsa Geraldina, me pseudonimin e saj të njohur Konteshë Gerry, u quajt “Trëndafili i Bardhë”./ PANORAMA.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura