Toponimet në pasaporta, ja pakti Gjirokastër-Janinë

Jun 13, 2013 | 13:50
SHPËRNDAJE

Kakavije
Një marrëveshje e nënshkruar dje në Janinë mes kreut të Policisë kufitare rajonale të Gjirokastrës dhe homologut të tij grek pritet t’u japë fund pengesave të lëvizjes në kufi për shkak të toponimeve në pasaporta. Drejtori i Policisë kufitare nga pala shqiptare në Gjirokastër, Admir Abrija, ka firmosur një marrëveshje dje me homologun grek në Janinë, Papis Jotis, ku thuhet se për shtetasit shqiptarë që kalojnë në Greqi nga Gjirokastra, nuk do të ketë pengesa nga pala greke. Sipas Policisë, fëmijët e lindur në shtetin grek në 20 vitet e fundit, në pasaportat e të cilëve vendlindja shënohet në gjuhën shqipe, nuk do të pengohen për të kaluar në kufi. Sipas burimeve zyrtare, kjo do të thotë qarkullim pa probleme në të dy anët e zonës kufitare për fëmijët dhe familjarët e tyre.
Kufiri
Ditën e djeshme në Kakavijë, fluksi i të ardhurve ka qenë normal, ndërkohë që ditët në vazhdim pritet shtimi i lëvizjeve. Të  ardhurit nga Greqia ditën e djeshme kanë përshëndetur për gazetën “Panorama” marrëveshjen mes dy vendeve. Shumë prej shtetasve shqiptarë që kalonin në kufi, kanë qenë edhe skeptikë për vërtetësinë dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje nisur nga problemet e shumta e të vazhdueshme në të shkuarën. Çështja e toponimeve është shndërruar në një problem të madh për emigrantët shqiptarë e sidomos të atyre që kanë fëmijë të lindur në Greqi. Në muajin janar të këtij viti, autoritetet kufitare greke filluan aplikimin e ndëshkimit kolektiv të gjithë atyre emigrantëve në pasaportat e të cilëve ishte shkruar vendlindja në Greqi në gjuhën shqipe. Policët grekë nuk kanë lejuar lëvizjen e shtetasve shqiptarë duke i bllokuar në kufi. Problematika alarmoi autoritetet shqiptare, të cilat disa herë kanë tentuar të gjejnë zgjidhje.
Zbatimi
Mësohet se marrëveshja e nënshkruar dje në Janinë do të zbatohet vetëm për tri pikat kufitare në qarkun e Gjirokastrës, Kakavijë, Tri Urat dhe Sopiku. Pjesë e marrëveshjes kanë qenë edhe dy pika të tjera, ajo e menaxhimit të kufijve në ditën e zgjedhjeve dhe e operacioneve të përbashkëta për goditjen e trafiqeve të ndryshme. Kreu i Policisë kufitare, Admir Abrija, për gazetën “Panorama” shprehet se pala greke ka rënë dakord që në tri ditët e fundjavës së ardhshme që përkon me procesin zgjedhor, autoritetet policore në Kakavijë të shtojnë kapacitetin e sporteleve nga 4 në 8, ndërsa autoritetet shqiptare do të vendosin në kapacitet të plotë të 13 sportelet. Në lidhje me kryerjen e operacioneve të përbashkëta kundër trafiqeve, është rënë dakord për koordinimin e veprimeve mes palës shqiptare dhe greke.

Piro Nase/ Gjirokastër

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura