Topalli: Vendi është pa alternativë, Rama, Meta e Basha kundër çdo lëvizjeje të re

Oct 29, 2020 | 8:25
SHPËRNDAJE

Ish-kryetarja e Parlamentit dhe ish-numri dy i PD-së, Jozefina Topalli, prezantoi dje partinë e saj të re “ Lëvizja për Ndryshim” ku do të angazhohet në zgjedhjet e ardhshme. Në fjalën hapëse, Topalli tha se vendit i duhet një alternativë, pasi Shqipëria ndodhej në krizë.

topalli 3

“Jam e vendosur për të mos heshtur dhe për të mos pasur frikë. Jam me këta të rinj drejt një projekti të ri për t’i mbështetur. Që ne jemi në mes të krizës, është e dukshme. Vendi është në buzë të greminës. Çdo ditë takohemi me paradokse, ndërkohë vendet e punës po shkatërrohen dhe bizneset po mbyllen. Nuk ka as qeveri dhe as opozitë të besueshme, qytetari nuk ka ku të gjejë drejtësi, gjykata administrative është afër kolapsit, të shkallës së janë duke u degraduar. Asnjëri nuk është i sigurt dhe një ditë të gjithë do të takohemi me këto sfida. Nuk kemi kohë me pritur. Jemi 6 muaj përpara zgjedhjeve”, tha Topalli.

Në vijim ajo akuzoi tri persona. Presidentin Meta, Kryeministrin Rama, por edhe kryedemokratin Basha, i cili prej 7 vitesh është në opozitë. Ajo tha se të tre janë kundër çdo partie të re pasi nuk duan që t’u rrezikohet karrigia e tyre, ndërkohë që janë të tre sipas saj që caktojnë se kush duhet të bëjë biznes. “Vendi është pa alternativë. Ata të tre do të bëjnë çdo gjë për të mbajtur monopolin politik. Kërcënojë dhe shpifin për çdo lëvizje të re. Sulmojnë edhe lëvizjen e të rinjve. Praktikisht fushata ka nisur, por më shumë se kundër qeverisë, kundër lëvizjes që nuk ka nisur. Gabojnë që sulmojnë të rinjtë. Ka dy mundësi në jetë, të pranosh kushtet ku jeton apo të marrësh përgjegjësinë për të ndryshuar”, tha Topalli.

Ndërkohë, që në vijim tregoi objektivat e partisë së saj më të re. “Bashkë duhet të japim mundësinë e ndryshimit. Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, të Metës dhe Lulit. Shqipëria është e shqiptarëve. Unë jam e trishtuar, si shumë të tjerë edhe e frustruar, por kurrë nuk e kam humbur shpresën. Vendit i duhet një opozitë që nuk shitet dhe korruptohet. Për ta fituar këtë sfidë, ka nevojë për njerëz me integritet të pa korruptuar. Me një drejtim të ri, politika do të jetë ndryshe”, tha Topalli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura