Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli e quajti servile sjelljen e kryeministrit dje gjatë vizitës së Angela Merkel në Tiranë.
Në një fjalim të mbajtur në Kuvend ajo u shpreh se “Rama na nderoi për vizitën e Merkel. Kryeministrisë i vuri një strehë të shëmtua, pa leje, kundër ligjit. Kush thotë që shteti ynë nuk është serioz? Rama harxhoi ditë të tëra dhe nxori kërpudhën. Pastaj i tregoi zyrën, murin me flutra që rrethonte Ismail Qemalin. Nuk pashë aty breshkën. Në një sjellje që duket gati servile i tregoi barcaletën e përjetimit të shqiptarëve kur gjermanët bëjnë gol.
Sipas saj “edhe dje kur masat për vizitën e Merkel ishin shumë të larta, u grabit një bankë në Durrës. Hendeku mes një pakice të pasurish dhe shumicës së papunë është një minë me sahat. Ju nuk mund të vazhdoni të hani kek mbi një vend që po ikën në eksod. Zonja kishte të drejtë kur tha se nuk ka garanci ligjore për biznesin gjerman. Ju nuk qëndruat në nivelin e premtimeve tuaja ndaj nuk hiqni dot maskën. Për çfarë duan të mbahen mend dy njerëz: kryeministri dhe kryetari i Kuvendit? Do mbahesh mend si kryebashkiaku i betonit, si kryeministri që krijoi parlamentin e bosëve të trafiqeve, për tritolet apo pasigurinë?”.
Ish kryetarja e Kuvendit u shpreh se pas kësaj situate ku është vendi, shqiptarët duhet të bëjnë një analizë dhe jo të besojnë çfarë thotë qeveria. Ai i vlerësoi shqiptarët si njerëz sipërfaqësorë që e besojnë edhe kur u thuhet ‘fluturon gomari’.
“Kjo kërkon edhe një analizë për ne shqiptarët. Ndoshta kombi ynë do kish sot një faqe tjetër, po qe se populli do ti gërmonte gjërat pak më shumë. Ne jemi njerëz pak sipërfaqësorë dhe nuk hyjmë thellë. Kurdoherë në çdo kohë dhe çdo rast shqiptarët janë gënjyer sa prej vëllezërve të tij, aq edhe prej të huajve. Ajo që na shquan ne që pësimet nuk na bëhen mësime. Me këtë mentalitet nuk mund të bëhemi kurrë një shtet serioz sa kohë që na thonë ‘fluturon gomari’ dhe ne e besojmë”, deklaroi Topalli.
Berisha sulmon Kokëdhimën për kanabisin
Ish kryeministri Sali Berisha ka sulmuar nga foltorja e Kuvendit deputetin socialist Koço Kokëdhima për thirrjet e tij për legalizimin e kanabisit.
“Njeriu më i fuqishëm i PS-së pas Ramës, Koço Kokëdhima i cili iu peshon në kandar të gjithë ju këtu sa jeni, Koço bën fushatë nga jugu në veri për legalizimin e kanabisit. Keni me dhjetra shkrime të Koco-kanabisit për të legalizuar kanabisin. Çdo fshatar që sheh se njeriu më i fuqishëm pas Ramës, është avokat i legalizimit të kanabisit, kjo është liçencë de fakto për mbjelljen e kanabisit. Policia bën luftë me mullinjtë e erës, ndërkohë që sot kanabisi mbillet kudo, veçanërisht në zonat e thella malore”, u shpreh Berisha.
Sipas tij “Siç e keni nisur do ta bëni Shqipërinë si Jemeni. Jemeni ishte vendi i kafesë me cilësinë më të lartë. Hoqi kafenë dhe mbolli një bimë tjetër, jo kanabis, që i ka kushtuar shumë atij vendi. Mbjellja e kanabis është një politikë zyrtare e shpallur nga sivllau i Ramës, koço Kokëdhima”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al