Topalli: Qeveria armiqësore, opozita s’duhet të bëjë pushime

Aug 28, 2015 | 9:04
SHPËRNDAJE

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Jozefina Topalli analizon situatën politikoekonomike në vend, arsyet pse po ikin shqiptarët, nxit partinë e saj të dominojë dhe tregon se të djathtët nuk duhet të presin zgjedhjet e 2017-­ës për të larguar qeverinë “Rama”. Sipas saj, qeveri tërësisht e dështuar dhe armiqësore me popullin e vet.

topalliZnj.Topalli, ju keni një eksperiencë të gjatë politike dhe keni përjetuar situata konfliktuale politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Si e gjykoni situatën aktuale në Shqipëri?

Në gjykimin tim, vendi sot po kalon një moment të vështirë. Nuk ka ndodhur kurrë në këto dy dekada e gjysmë demokraci që një qeveri të jetë kaq armiqësore me qytetarët që e kanë zgjedhur. Realiteti kalon kësaj radhe çdo imagjinatë. Kush e mendonte para disa vitesh se në Kuvend, në atë që konsiderohet shtëpia e shqiptarëve, sovrani të përfaqësohej nga njerëz me rekorde kriminale për vrasje, për trafik të qenieve njerëzore, për trafik droge, për grabitje?! Kjo nuk ka ndodhur në asnjë kohë, në asnjë vend demokratik! Sot ky është realitet. Kjo qeveri është ndërtuar si model dhe inkurajim për kriminelët dhe “të fortët” me para për të aspiruar të njëjtat pozita pushteti, por pse jo, dhe më shumë. Para dy vitesh, disa as nuk e besonin këtë realitet, të tjerë nuk flisnin. As media nuk përmendte emra edhe kur i dinte. U desh një betejë e gjatë në parlament e disa deputetëve të opozitës që ky realitet i tmerrshëm të dilte nga errësira në dritë, që të thyhej heshtja dhe e vërteta të merrte zë. Nga ana e errësirës qëndronte kryeministri i vendit, që urdhëroi edhe dhunë fizike të deputetëve të vet me të shkuar kriminale kundër deputetit të opozitës Gent Strazimiri, i cili kishte denoncuar në mënyrë të përsëritur faktin se Edi Rama kishte sjellë në parlament 19 deputetë me rekorde kriminale. Të tjerë deputetë u kërcënuan, por ia vlejti. Mua dhe kolegëve të mi nuk mund të na ndalojë asnjë kriminel i veshur me pushtet për të thënë të vërtetën e tmerrshme. Ishte një betejë e vështirë, por rezultati është mbresëlënës. Ia dolëm të sensibilizojmë opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar se kemi të bëjmë me një qeveri gangstere. Pastaj edhe disa nga mediat filluan të flasin, të përmendin edhe emra, të botojnë dhe fakte. Dhe kjo e ndihmoi kauzën e dekriminalizimit. Megjithatë, më duhet të them se është e turpshme që Marrëveshja për Dekriminalizimin e politikës, e arritur me ndërmjetësimin europian dhe e miratuar në Parlament në 24 dhjetor 2014, ka mbetur në letër dhe pengohet nga qeveria. Afati për zbatimin e marrëveshjes duhej të ishte 30 qershori, por është fakt se Edi Rama kandidoi në zgjedhjet e pushtetit lokal trafikantë droge dhe prostitutash. Përveçse fyese dhe poshtërim për çdo shqiptar, siç thotë ambasadori amerikan, ky është një akt sfidues e mospërfillës për shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Është dëshmi e vendosmërisë së kësaj qeverie për të inkriminuar në çdo qelizë shtetin shqiptar, me qëllim për të ruajtur dhe për të rritur me çdo formë pushtetin dhe pasurimin e paligjshëm. Për mua është e qartë se Edi Rama nuk ka vullnet politik për dekriminalizimin. Është zhytur aq thellë, saqë nuk ka më as ndonjë shans për t’u penduar. Madje as mundësi. Të inkriminuarit e tij kanë investuar miliona për pushtetin e Ramës dhe tani po marrin mbrapsht investimin në “biznesin e politikës” me mbështetjen e plotë të kryeministrit. Kjo është tepër e rrezikshme për vendin. E paimagjinueshme pak vite më parë. Ish-deputetë ekonomistë, juristë, mjekë, agronomë apo punëtorë partie janë zëvendësuar me tutorë prostitutash, me trafikantë droge, me vrasës, që bashkë me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të zymtë, pa shpresë, dëshpërues.

Para pak ditësh, në një koment tuajin, kërkuat një përgjigje nga opozita për situatën në Shqipëri, pjesë në të cilën jeni edhe ju. Një opinion i gjerë njerëzish mendon se opozita po rri në heshtje; pse s’kemi sot një opozitë të fortë?

Opozita nuk ka qëndruar në heshtje. Sapo thashë se në Parlament disa deputetë kanë rrezikuar dhe veten e tyre për të thënë ca të vërteta të hidhura e të frikshme me emër e mbiemër. Ata u kanë hequr frikën edhe të tjerëve që pas disa kohësh të flisnin me emër e mbiemër. Në këtë rast opozita është bërë edhe zëri i disa deputetëve socialistë, që nuk kanë asgjë të përbashkët me krimin. Beteja me mafien është e vështirë kudo. Por kur mafiozi bëhet “onorevole” dhe miliarderi bëhet kuçedër me karrige pushteti, gjërat komplikohen tepër, prandaj dhe detyra e opozitës bëhet edhe më jetike. Ajo që unë kam thënë dhe kam kërkuar është një reagim më i shpejtë, më dinamik, më konkret nga ana e Partisë Demokratike. Në opozitë nuk duhet të ketë asnjë ditë pushim. Aq më pak kur kemi një qeveri që punon kundër qytetarëve dhe vendit të vet.

Zonja Topalli, pse po ikin shqiptarët? PS-ja thotë që plagën e keni krijuar ju, ju thoni të njëjtën gjë për ta…

Nuk po ju përgjigjem me fjalët e mia, se e kam thënë me dhjetëra herë në Parlament. Po ju përgjigjem me fjalët e gazetarëve dhe të zyrtarëve të huaj: “Shqiptarët po ikin nga mungesa e shpresës dhe e perspektivës”; “Shqiptarët po ikin për shkak të dështimit të qeverisjes”; Shqiptarët po ikin, sepse nuk shohin të ardhme”.

Zoti Rama, në një intervistë është shprehur që 150 milionë USD nuk janë vjedhur, as kanë humbur, por janë si pasojë e ndryshimit të modelit ekonomik; si e gjykoni zbërthimin e tij?

Zoti Rama nuk e ka pasur kurrë problem të thotë ekzakt të kundërtën e së vërtetës. Dhe, zakonisht, e thotë me fjalë të zgjedhura bukur. Është një mashtrues i përkryer. Duhet të kurojë sëmundjen e tij që të shohë realitetin e Shqipërisë. Nuk është ajo e galerive luksoze të Berlinit, ku Edi Rama bën biznes me të ashtuquajturin artin e vet kontemporan. Është Shqipëria që po vuan nga mungesa e punës. Ai mashtroi kur premtoi 300 mijë vende pune, edhe pse e dinte se ishte një premtim i pamundur. Edi Rama mashtroi kur premtoi shëndetësi falas, edhe pse e dinte se po thoshte një super­gënjeshtër. Ai mashtroi kur tha se do të legalizonte falas shtëpitë e shqiptarëve, edhe pse e dinte se ai është një proces që nuk realizohet falas. Ai mashtroi shqiptarët, kur u premtoi se edhe Enveri po të çohej nga varri, nuk do t’ua prishte shtëpitë. Mashtrimet e tij të vetëdijshme janë shumë, dhe shpresoj shumë që shqiptarët ta kuptojnë se i kanë dhënë besimin dikujt që nuk mund të çohej në zyrën e kryeministrit.

Që prej dy vjetësh jeni në opozitë; është më mirë apo më keq jetesa në Shqipëri sot?

Nëse Shqipëria është më mirë apo më keq, mjafton një referim te shifrat e azilkërkuesve nga Shqipëria. Shpresoj që ju t’u besoni statistikave gjermane, sepse dëgjova ministrin e Brendshëm që kishte dyshime te vërtetësia e Gjermanisë. Sipas statistikave gjermane, nëse në 2008­ën p.sh. ishin 200 shqiptarë që kërkonin azil në vit, vetëm në korrikun e këtij viti ishin 7343 shqiptarë. Gjermania thotë se nga vjet në sivjet ka rritje të azilkërkimit nga Shqipëria me mbi 530 për qind. Shqipëria po boshatiset. Njerëzit kanë ikur dhe kanë përfunduar në kampe, qoftë edhe për të marrë një asistencë në euro që u jep mundësi të mbushin barkun atyre dhe fëmijëve të tyre. Shumë klasa po mbyllen se s’ka më fëmijë, të cilët kanë ikur me prindërit për shkak të varfërisë, të mjerimit dhe mungesës së shpresës për të gjetur një vend pune. Të rinjtë ikin se për ta nuk ka punë, nuk kanë asnjë shans për të jetuar vetë e aq më pak për të krijuar familje. Pra, dalim sërish te përkufizimi se, me këtë qeveri, ky vend nuk ka të ardhme.

Marrëdhënia Rama-­Meta është tejet e komentuar në këtë moment, ku shumica flet për çarje të aleancës. Duke e njohur mirë zotin Meta, se keni qenë në aleancë me të, si e gjykoni, ka apo jo çarje, sa do të ecë kjo aleancë?

Këtë aleancë, vetë ata e kanë pagëzuar me emrin më unik që ditën që bënë thirrjen: “Qelbësira të të gjithë vendit, bashkohuni për të rrëzuar Sali Berishën”. Aleanca e Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk është parimore. Ajo është lidhje pushteti dhe paraje. Dhe si e tillë është pa asnjë bazë morali, programi, ideologjie apo interesi publik. Kam dëgjuar gjithë verën për raportet e tyre, por mua nuk më intereson presioni që bën njëri apo pazari që ofron tjetri. Unë nuk hyj në atë grup njerëzish që bën llogari dhe skema mbi raportet e tyre. Kur je në opozitë, kjo nuk të çon përpara. Opozita ka për mision të bëjë çdo gjë për të ndalur revanshin antidemokratik të keqqeverisjes, të dëshmojë autoritet moral, të jetë e besueshme dhe të ofrojë shpresë. Nëse ne si opozitë vendosim çdo ditë dhe çdo orë interesin publik para çdo llogarie të vogël politike dhe nëse do t’u prijmë betejave me guxim dhe vendosmëri, atëherë opozita do të jetë zëdhënësja e shumicës së heshtur të shqiptarëve të vuajtur. Atëherë, opozita do të jetë gati për të drejtuar revolucionin demokratik paqësor dhe qeveria do të dridhet nga frika.

Ne gazetarët kuptojmë se në Partinë Demokratike, ka njerëz të pakënaqur nga mospërfshirja në zgjedhje, ka pasur madje dhe reagime publike nga disa deputetë mbi këtë problematikë; a do ketë rrjedhje nga PD­-ja?

PD-ja është një forcë e madhe politike. Ajo ka një potencial fuqie marramendëse për t’u ngritur. Ajo mund dhe duhet të ngrihet. Mjafton ta njohësh, t’i japësh parimet e vlerat mbi të cilat ajo lindi, vizionin dhe përfaqësimin që ajo meriton. Dhe pastaj, jo vetëm pakënaqësitë do të bëhen vogëlsira të parëndësishme, por PD-­ja do të jetë ajo që mund të shpëtojë nga kriza shumëplanëshe vendin që po lëngon.

Ju jeni pjesë e opozitës dhe mes rrjeteve sociale ngrini zërin për dukuri të ndryshme, por a është kjo e mjaftueshme?

Rrjetet sociale janë një mundësi fantastike për të përcjellë mendimet dhe për të ngritur zërin, siç thoni ju. Dhe unë jam munduar ta shfrytëzoj këtë instrument komunikimi. E kam detyrë! Megjithatë, përpiqem me të gjitha mundësitë e mia që detyrën time si opozitare ta bëj në parlament, me përkushtimin dhe devotshmërinë më të madhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura