Topalli akuzon policinë për dhunë, Felaj i tregon fotot e 21 janarit

Feb 27, 2015 | 10:55
SHPËRNDAJE

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kërkuar dje në Parlament një reagim më të fortë prej opozitës mbi dhunën e Policisë.

Në fjalën në Kuvend, Topalli është shprehur se vrasjet, tritoli dhe grabitjet tashmë janë bërë të përditshme. Ajo ka nënvizuar se njerëzit janë duke u përballur me dhunën që po ushtrohet nga policia për energjinë elektrike.

“Është e dhimbshme kur shikon njerëz që shesin lopën, gjënë e fundit që kishte, për të paguar dritat. Opozita duhet të reagojë fuqishëm”, tha Topalli. Sipas saj, “është terror ajo që po bëhet me energjinë”. Por, përgjegjëse për këtë situatë Topalli ka bërë dhe opozitën. “Opozita duhet të veprojë që t’u japë shpresë njerëzve”, tha ajo.

Në fjalën e mbajtur në seancë, Topalli ka renditur rastet kur policia ka dhunuar qytetarët në Korçë dhe në Durrës. “Janë 38 mijë të dënuar. Në burg janë më të varfrit, më të pamundurit”, tha Topalli. Ish-kryetares së Kuvendit i është përgjigjur ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, e cila është shprehur se dhuna e ushtruar pas protestës së 21 janarit tregon se cila qeveri ka ushtruar dhunë policore.

Duke treguar foton e personave të dhunuar, Felaj tha “Kjo grua është Lindita Balazia. Jeton në periferi të Tiranës. Pas protestës së 21 janarit, u kap te 15-katëshi dhe u dhunua”, tha Felaj. Po ashtu, ajo ka sjellë fotot dhe të 7 personave të tjerë, Rogert Kortulaj, Shkëlqim Guçe, Edmond Targaj, Kujtim Nanaj, Fiqiri Xibri, Altin Bale dhe Bedri Nurçellari, kanë qenë emrat e përmendur dje nga Felaj.

“Janë dhunuar në komisariate dhe në Burgun 313 ku u shoqëruan protestuesit ose joprotestuesit që ndoqi policia pas 21 janarit”, tha Felaj. Por Topalli ka kërkuar që Felaj fotot e personave të dhunuar t’ia dërgojë Ilir Metës. “Mendoj se këto foto duhet t’ia çosh Ilir Metës dhe Edi Ramës. Ilir Meta ishte me bllok në dorë atë kohë kundër Edi Ramës”, tha Topalli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura