Tonin Tërshana: Pse nuk po hyj te banesa e re

Sep 7, 2015 | 13:57
SHPËRNDAJE

Sapo ka marrë lajmin dhe çelësat për shtëpinë e re që iu mundësua nga Bashkia e Tiranës, por Tonin Tërshana është i lumtur, e njëkohësisht edhe i menduar. Sepse shtëpi sociale nuk do të thotë se ta ka falur bashkia, por se duhet ta paguash  atë.

Tonin Tërshana dhe bashkëshortja Meri, duke hapur shtëpinë e re, që u mundësua nga Bashkia e Tiranës
Tonin Tërshana dhe bashkëshortja Meri, duke hapur shtëpinë e re, që u mundësua nga Bashkia e Tiranës
Dhe Tonin Tërshana do të duhet të paguajë gati 190  mijë lekë në muaj dhe si me zor, thotë se është ngushtë nga  lekët.

“Për shtëpinë që na është dhënë duhet të paguajmë 183  mijë lekë në muaj për 20 vjet, ndërsa aktualisht për qiranë ku  jetoj janë 150 mijë lekë. Si t’i përballoj?!”, qan hallin Tonin  Tërshana. I pyetur se pse nuk shkon te shtëpia e re, ai thotë: “Do të doja, por atje nuk ka asgjë. Është komplet bosh, pa lavaman, pa banje, pa asgjë prej gjëje, pa hyrë te mobilimi. Nuk kam me çfarë t’i blej gjërat më elementare”. 

Dikur, familja Tërshana ka pasur një shtëpi dhomë e  kuzhinë te zona e “Oxhakut” në Tiranë. Por ashtu si mijëra  shqiptarë të tjerë, edhe Tonin Tërshana e shiti shtëpinë duke  lënë peng paratë në firmat piramidale, konkretisht te “Sudja”.

 “Ndodhi si të gjithë që u futën në firmat piramidale, edhe unë të  njëjtën gjë bëra, ndaj mbeta në rrugë. Kam pasur një shtëpi  timen, por u gënjeva nga firmat dhe mbeta pa asgjë. Përveçse pa  shtëpi, mbeta pa punë, pa para. Kam 20 vjet pa shtëpi. Prej 15  vitesh kam jetuar në Greqi, në emigracion dhe bëra punë nga  më të ndryshmet në ndërtim, edhe hamall madje”, rrëfen ai.  

Këngëtari me katër çmime të para në Festivalin e RTSH-së nuk  është se pretendon luks në mënyrë që të futet në shtëpinë e re,  por vetëm diçka modeste që të mund të quhet shtëpi…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura