Tom Doshi ballafaqohet me videon e Durim Bamit

May 7, 2015 | 6:19
SHPËRNDAJE

Deputeti Tom Doshi qëndroi dje për më se pesë orë në Prokurorinë e Përgjithshme, bashkë me avokatët e tij mbrojtës.

Tom Doshi në prokurori

Rreth orës 10:00 Doshi ka hyrë në Prokurorinë e Përgjithshme, për të dalë prej andej pak minuta para orës 16:00 pasdite. Gjatë qëndrimit për pesë orë në zyrat e Prokurorisë, mësohet se deputeti Doshi, në prani edhe të avokatëve, është njohur me disa akte të hetimit që po zhvillohen ndaj tij. Paraqitja e djeshme në zyrat e organit të akuzës mësohet se ka ndodhur pas kërkesës së bërë nga vetë deputeti.

Gjatë qëndrimit brenda në Prokurori, Tom Doshi mësohet se ka paraqitur pretendime në lidhje me transkriptimin e videos së shtetasit Durim Bami, ku ai pohon se kishte marrë porosi për kryerjen e vrasjes. Tom Doshi dhe avokatët kanë pretenduar dje në Prokurorinë e Përgjithshme se procesverbali i paraqitur në Gjykatë nga ana e Prokurorisë, në lidhje me videon e Durim Bamit, nuk pasqyronte saktësisht thëniet e të arrestuarit.

Pas kësaj kërkese, mësohet se grupi i hetimit ka vendosur në prani të avokatëve dhe të deputetit hapjen e videos së dorëzuar nga Tom Doshi në Prokurori. Për më se dy orë mësohet se përfaqësuesit e Prokurorisë, në prani të Doshit dhe avokatëve, janë marrë vetëm me ballafaqimin e përmbajtjes së videos, me transkriptimin e thënieve të Durim Bamit.

Prokurorët kanë konsultuar përmbajtjen e videos dhe pretendimet e Tom Doshit në lidhje me thëniet e Durim Bamit duke arritur në një version përfundimtar.

KËRKESAT PËR HETIMIN
Avokatët e deputetit Tom Doshi kanë dorëzuar dje në Prokurori kërkesë për kryerjen e veprimeve të reja hetimore në lidhje me çështjen. Avokati Ferid Muça tha se organit të akuzës i është kërkuar të administrojë pamjet filmike të aeroportit të Hanoverit në Gjermani.

Edhe më herët deputeti Doshi i ka kërkuar Prokurorisë këqyrjen e kamerave të datës 6 mars në Hanover të Gjermanisë, ku pretendon se atje ka mbërritur deputeti Spartak Braho për të takuar Fatjon Skënderin, të akuzuar nga Tom Doshi si sekseri i porosisë për vrasjen e dy deputetëve. Avokati Ferid Muça tha dje se kjo kërkesë është bërë përsëri, edhe pse një herë tjetër më parë organi i akuzës ka kthyer përgjigje negative.

“Këto prova e tregojnë qartë këtë bindje tonën, që e kemi shprehur që në fillim. Por sot jemi më të bindur, pasi jemi njohur me provat që na vuri në dispozicion organi i Prokurorisë”, tha avokati Ferid Muça. “Ne e kemi bërë përsëri këtë kërkesë dhe do të insistojmë deri në fund që të ajo të merret parasysh, pasi persona të ndryshëm që do të dalin në këto pamje filmike kanë ndërhyrë në proces për të manipuluar provat”, është shprehur mbrojtësi ligjor i deputetit Tom Doshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura