Doshi në prokurori, avokatët: Do paraqesim kërkesa për hetime të rëndësishme (FOTO)

May 4, 2015 | 11:55
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Deputeti i Shkodrës Tom Doshi është paraqitur sot në prokurori sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila vendosi javën e shkuar ta lirojë nga “arresti shtëpiak”, duke dhënë për të ‘detyrim paraqitje’ çdo të hënë në orën 10:00.

Doshi në prokurori

Pas qëndrimit për afro 1 orë e 30 minuta në prokurori, avokatët e Doshit i cili nuk dha prononcim për mediat, deklaruan se deputeti do të vijojë betejen ligjore deri në zbardhjen e të vërtetës për të ashtuquajturin ‘komploti i vrasjes’. Ata thanë se do të paraqesin kërkesa për hetime të rëndësishme.

“Klienti ynë nuk është marrë në pyetje, por u paraqit vetëm në respektim të masës së gjykatës…, do vazhdojmë betejën tonë ligjore deri në zbardhjen e plotë të çështjes. Do të paraqesim disa kërkesa në lidhje me hetimin”, tha avokati. 

Çfarë kërkesash?

Për të kryer disa veprime hetimore të rëndësishme dhe për të marrë disa prova të rëndësishme. 
Sipas avokatëve të Doshit nëse prokuroria “s’do pranojë kërkesat tona do i drejtohemi gjykatës”.

Doshi në prokurori

Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili prej 1 muaji ndodhej në “arrest shtëpiak”, duke pranuar pjesërisht kërkesën e avokatëve të Doshit, të cilit kishin kërkuar revokimin e masës.

Deputeti nën hetim për “komplotin e vrasjes së dy deputetëve” Tom Doshi u akuzua më 30 prill zyrtarisht nga prokuroria vetëm për “kallëzim të rremë”, pasi organi i akuzës u tërhoq nga veprat e “kanosjes së dëshmitarit” dhe “deklaratës së rremë”. 

Akuza e “kallëzimit të rremë” lidhet me krijimin e videos ku shfaqet deputeti i Shkodrës me Durim Bamin, në të cilën zhvillohet edhe biseda për një komplot eleminimi fizik kundër deputetit.

Avokati i tij Ferid Muçaj paralajmëroi se do të dorëzojnë prova të reja që mbështesin deklaratat e deputetit.

“Sot ishte një seancë ku prokuroria komunikoi vetëm akuzën e kallëzimit të rremë, por edhe kjo akuzë për ne nuk qëndron. Është e rëndësishme që prokuroria nga 3 akuza që ka kërkuar arrestimin e tij, hoqi dorë nga 2 akuza të tjera deklarim i rremë dhe kërcënim. Ne kërkojmë marrjen e provave të tjera. Së shpejti ne do provojmë plotësisht pafajësinë tonë”, tha Muçaj.

Hetimet për çështjen “Doshi” nisën pas akuzave publike që bëri deputeti i Shkodrës se kishte zbuluar një komplot për eliminimin fizik të tij dhe të kolegut demokratit Mhill Fufi. Pas hetimeve Prokuroria e Krimeve të Rënda doli në përfundimin se e gjithë ngjarja ishte e sajuar dhe ia delegoi çështjen Prokurorisë së Përgjithshme.

Pas marrjes së autorizimit në Kuvendin e Shqipërisë, kryeprokurori Llalla firmosi urdhër-ndalimin për deputetët Doshi e Frroku. 

Dy deputetët dyshoheshin për tre vepra penale “deklarim i rremë”, “kanosje e dëshmitarit” dhe “kallëzim i rremë”. Por prokuroria rrëzoi dy të parat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura