Gjykata e Lartë liron Tom Doshin pas 1 muaji ‘burg’ në shtëpi, tani vetëm detyrim paraqitje, avokatët: Vendimi i ndikuar politikisht

Apr 28, 2015 | 19:05
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Gjykata e Lartë vendosi sot të lirojë nga “arresti shtëpiak” deputetin Tom Doshin, duke dhënë për të ‘detyrim paraqitje’ çdo të hënë në orën 10:00.

Pas afro 1 ore e gjysmë seancë, Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili prej 1 muaji ndodhej në “arrest shtëpiak”, duke pranuar pjesërisht kërkesën e avokatëve të Doshit, të cilit kishin kërkuar revokimin e masës.

Nga ana tjetër prokuroria kërkoi lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest shtëpiak” për Doshin.

Gjykata e Lartë, mbërritja e Doshit

Avokatët e Tom Doshit kishin depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili ndodhej në ‘arrest shtëpie’ nën akuzat e “kanosjes për deklarime e dëshmi, ekspertim, ose përkthim të rremë”, “kallëzimit të rremë” dhe “deklaratave të rreme përpara prokurorit”.

Në një prononcim për mediat avokati i Doshit, Vladimir Meçi tha vendimi i gjykatës ishte i ndikuar politikisht. Ai shtoi se Doshi do të kthehet në Kuvend dhe se do të vijojë betejat gjyqësore për drejtësi.
 

“Zëvendësoi masën, me më të lehtë ‘detyrim paraqitje’. S’jemi të kënaqur më vendimin edhe pse mendojmë se ky është një lajm i mirë. Më i mirë nëse gjykata do të respektonte vetëm parimin e ligjshmërisë dhe jo vetëm oportunitetit. S’ka të bëjë vetëm me Doshin, por me sistemin e drejtësië e Gjykatës e Lartë. Do kishte qenë lajm i mirë nëse gjykata do të kishte respektuar ligjin. Besimi tek Gjykata e Lartë është i humbur. Gjykata demostroi se është nën presionin dhe nën trysninë e politikës. Na detyron ta vazhdojmë luftën tonë deri në fitore”, tha avokati.

A do të rikthehet në Kuvend?

Patjetër që do të rikthehet në Kuvend.

Do insistoni të merrni pamjet në Gjermani…?

Po punojmë…

Do t’i drejtoheni Strasburgut?

Mbetet objektivi ynë nëse do kemi një përgjigje, jo pozitive nga Gjykata Kushtetuese. 

Doshi mbërrin në gjykatë

Sakaq pak javë më parë u mësua se në laptop-in e deputetit Tom Doshi, i sekuestruar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për llogari të hetimit ndaj tij, nuk ekziston një video ku ai kërcënon me armë Durim Bamin.

Mungesa e kësaj videoje në radhën e provave të zotëruara nga Prokuroria u përmend më herët edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 28 mars, që caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për deputetin.

“Sipas deklarimeve të të pandehurit Durim Bami, ekziston dhe një videoregjistrim tjetër, i kryer në një banesë të deputetit Tom Doshi në qytetin e Durrësit, për të cilin ai deklaron se është detyruar nga deputeti Tom Doshi, nën kërcënimin e armës, që të deklarojë para kamerës në lidhje me fakte të pavërteta për organizimin e vrasjes së tij nga kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta dhe persona të tjerë, emrat e të cilëve i janë diktuar nga deputeti Tom Doshi. Ky filmim, sipas të pandehurit Durim Bami, disponohet nga shtetasi Tom Doshi, por nuk është vënë në dispozicion të hetimit. Nga analiza e veprimeve hetimore të deritanishme, rezulton se ngjarja nuk është e vërtetë”, thuhet në vendim.

Më 23 prill, për 2 orë e 40 minuta deputeti i Shkodrës Tom Doshi u mor sot në pyetje ‘si person në hetim’ në Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje avokatët e Doshit deklaruan se në sendet e sekuestruara “s’ka asnjë video apo regjistrim” që inkriminon deputetin e Shkodrës. “Në sendet e sekuestruara nuk ekziston asnjë fakt inkriminues për Doshin. S’ka asnjë video apo regjistrim…”, thanë avokatët për gazetarët.

Çështja “Doshi” u hap pasi deputeti i Shkodrës denoncoi publikisht se ka informacione se kreu i Kuvendit Ilir Meta ka porositur vrasjen e tij dhe deputetit të PD, Mhill Fufi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura