Doshi u pyet 3 orë në polici. Frroku dëshmoi 60 minuta. Avokatët e Markut: Belgjika s’ka asnjë akt kundër tij. Avokatët e Tomës: S’jemi njohur ende me provat

Mar 28, 2015 | 11:18
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Deputetët e ndaluar Tom Doshi dhe Mark Frroku janë marrë në pyetje sot në ambientët e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ndodhen prej pak më shumë se 3 orë pas vendimit të djeshëm të Kuvendit të Shqipërisë për lejimin e arrestimit të tyre.

Arrestimi i Mark Frrokut

Deputeti Mark Frroku është marrë në pyetje nga prokuroria për afro 60 minuta, kurse Tom Doshi është pyetur për afro 3 orë.

Dy deputetët u morën në pyetje në prani të avokatëve të tyre.

Ora 15:38 

Avokatët e Tom Doshit, Ferid Mucaj dhe Vladimir Meçi

Avokatët e Tom Doshit, Ferid Muçaj dhe Vladimir Meçi, pas përfundimit të marrjes në pyetje thanë për mediat se deputeti i Shkodrës i ka qëndruar deklaratave të tij të mëparshme.

Cili ishte qëndrimi i zotit Doshi?

Qëndrim që ka mbajtur gjithmonë.

Pse zgjati kaq shumë?

Zgjati se kaq ishte e nevojshme.

Hapat e mëtejshëm? 

Presim gjyqin në Gjykatën e Lartë.

Sot ka qenë një moment procedurial për pyetjen e të ndaluarit…

Jeni njohur me provat e prokurorisë?

Nuk jemi njohur akoma me provat do të njihemi më pas në gjykatë. 

Kur do të mbahet seanca për masën e sigurisë? 

Shpresojmë që sot prokuroria të dërgojë kërkesën në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë, sot brenda orarit zyrtar. Nëse jo sot mund ta çojë nesër. 

Ora 13:00

Avokatët e Frrokut thanë pas marrjes në pyetje të deputetit se ndalimi i klientit të tyre është i paligjshëm.

“Qendrimi është ai qe kemi pasur…Ne presim seancën e gjykimit të kësaj çështje”, tha avokat Gjokutaj.

Vishaj: “Ndalimi konsiderohet i jashtëligjshëm pasi nuk ka ndalim për veprat penale që parashikojnë masë dënimi nga gjobë në 1 vit burg…Prokuroria do të na vërë në dispozicion të gjithë aktet. Sot jemi pyetur në cilësinë e personit që zhvillohet hetim për një akuzë që juridikisht nuk mund të ngrihet në fazë paraprake të hetimit”.

Avokatët e Frrokut, Vishaj (majtas) dhe Gjokutaj (djathtas)

Avokatët e deputetit theksuan se nuk ka asnjë akt apo shkresë që të vërtetojë se klienti i tyre është në proces gjykimi në Belgjikë.

“Absolutisht, jo absolutisht. S’ka asnjë referencë tek asnjë akt. Akuza e paindividualizuar…”, tha Gjokutaj.

“S’ka kompetenca Prokuroria e Përgjithshme ta cilësojë, ka dy vjet deputet dhe nga Ministria e Drejtësisë apo autoritetet e huaja s’ka asnjë akt kundra ndaj klientit tim…Ne flasim me prova”, tha Vishaj.

Mbi qëndrimet e Frrokut gjatë marrjes në pyetje, avokati Vishaj tha: “Është akoma i befasuar se si persona të tjerë kanë sajuar vrasje gjoja të porositur nga kryetari i Kuvendit”.

A dha shpjegime…?

“Përjashtohet në mëyrë kategorike nga ndonjë dijeni për porositje të ndonjë vepre gjasme të porositur nga kryetari i Kuvendit. Dhe se di kush i sajon këto gjëra. Mohon të gjitha akuzat e fabrikuara nga njerëz të papërgjegjshëm”, tha Vishaj. 

… 

Dy prokurorët e çështjes, Altin Binaj dhe Adnan Xholi, mbërritën në Drejtorinë e Policisë Tiranë rreth orës 11:30.

Kurse rreth orës 10:53 minuta mbërritën dy oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Joni Keta dhe Ervin Brahaj. 

Avokatët e Frrokut, Vishaj dhe Gjokutaj mbërritën në 11:33 në drejtorinë e policisë. Pak minuta më vonë në polici mbërritën edhe avokatët e zotit Doshi, Ferid Mucaj dhe Vladimir Meçi.

Dy deputetët e kaluan natën në dy qeli normale paraburgimi, veç njëri-tjetrit, në katin e parë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, qeli që mësohet se janë larg njëra-tjetrës, duke mos krijuar asnjë mundësi komunikimi, as në distancë.

Burimet e “Panoramës” thanë se Doshi dhe Frroku kanë refuzuar të konsumojnë vaktin e darkës, nga ushqimi që shërben mensa e Policisë së Tiranës.

Ndërsa më vonë, familjarët janë lejuar që t’u fusin brenda veshje dhe ushqime të ndryshme. Mësohet se deputeti Tom Doshi ka pasur probleme të lehta shëndetësore, si pasojë e tensionit të lartë dhe ka konsumuar ilaçet e zakonshme. Por, sipas burimeve, nuk ka pasur asnjë pretendim, duke thënë se një shqetësim i tillë është i zakonshëm për të.

Ndryshe nga çfarë mund të pretendohej, se deputetët do të izoloheshin në një qeli VIP, siç ndodhi në rastin e ish-guvernatorit Ardian Fullani, ata kanë qëndruar në qeli të zakonshme, por pa pasur shoqërinë e ndonjë të ndaluari tjetër, apo të njëri-tjetrit. Mësohet se në dhomat ku ata qëndrojnë nuk ka shtretër, por vetëm stol për t’u ulur.

Familjarët e dy deputetëve kanë qenë edhe mëngjesin e sotëm prezentë në ambientët e Drejtorisë së Policisë Tiranë. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura