Toleranca fetare, objekt konference në Universitetin e Bolonjës

Feb 23, 2016 | 11:25
SHPËRNDAJE

“Përvoja shqiptare na ofron përvojën e sistemit (juridik) të përpunuar prej saj, mbi të cilën duhet reflektuar për të kuptuar se si mund të sigurohet paqja fetare dhe bashkëjetesa në diversitet”. Kështu konkludon prof. Giovanni Cimbalo që drejton Katedrën e së Drejtës Kishtare në Universitetin e Bolonjës, i cili përmes një studimi të plotë merr në analizë bashkëjetesën fetare në Shqipëri.

baner 5 - cimbalo

Për të debatuar rreth kësaj përvoje me interes për fazën aktuale të zhvillimit të historisë njerëzore, Universiteti i Bolonjës, AISSEE (Shoqata Italiane e Studimeve për Europën Juglindore), si edhe disa fondacione të tjera nisën dje në Ravena të Italisë konferencën shkencore ndërkombëtare dyditorë (22- 23 shkurt 2016) “Shqipëria në Bashkimin Europian ndërmjet traditës dhe zhvillimit të lirisë fetare”.

Konferenca u përshëndet nga disa personalitete nga bota akademike si, rektori i Universitetit të Bolonjës, prof. Francesco Ubertini, dekani i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Bolonjës, prof. Nicoletta Sarti, ndërsa në emër të Universitetit të Kalabrisë dhe komunitetit arbëresh përshëndeti prof. Francesco Altimari.

Në referatin e tij, pedagogu i Universitetit të Bolonjës, prof. Giovanni Cimbalo, me titullin “E drejta shqiptare dhe liria fetare”, konkludon se: “Nga shqyrtimi i historisë kushtetuese, del se, që në zanafillë të shtetit të vet, Shqipëria moderne e ka ndër parimet e saj themelore ndarjen mes shtetit dhe fesë, laicitetin e institucioneve, e kryesisht, pluralizmin fetar, i parë si formant i rëndësishëm i sistemit ligjor, një prej përbërësve themelorë për ndërtimin e unitetit kombëtar, si vlerë e epërme për vendin.

posteri i konf bolonje

Ky qëndrim bëri të mundur që i vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera joislame, edhe pse ky i fundit ka epërsi shifrash.

Dekreti i vitit 1923, me anë të të cilit sistemi shqiptar vendosi kriteret për njohjen e personalitetit juridik civil për komunitetet fetare, përbën, ende sot, një prej normave më të përparuara për rregullimin e marrëdhënieve me kultet dhe një mjet të admirueshëm për parandalimin e konflikteve ndërfetare, një instrument juridik që nuk i zbehet vlera e origjinalitetit që mbart”, theksoi mes të tjerash profesori italian, i cili ka sjellë në shqip librin monografik fillimisht në Itali dhe së fundi përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe, “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri” (botimet “Naimi”, Tiranë 2013). Në konferencë përfaqësohen me kumtesat e tyre edhe disa studiues nga Universiteti i Tiranës, si prof.

Aurela Anastasi me temën “Liria e besimit fetar në Kushtetutën e Shqipërisë”; prof. Redi Shtino: “Kuadri kushtetues i gjenezës së lirisë fetare në Shqipëri: 1912-1923”; prof. Altin Shegani, prof. Arif Riza, dr. Enio Ibro:

“Mbrojtja penale e besimit fetar dhe e lirisë së ndërgjegjes në Shqipëri”; prof. Evis Alimemeti: “Jurisprudenca e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut mbi lirinë e ndërgjegjes dhe besimit fetar”; prof. Vasilka Hysi: “Bashkëjetesa fetare: si të parandalojmë ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri. Realitete dhe sfida”; prof. dr. Ermir Dobjani, prof. Eralda Methasani Cani etj. Prof. Federica Botti, nga Universiteti i Bolonjës, paraqet temën: “Kthimi dhe/ose kompensimi i pronave kishtare të konfiskuara në Shqipëri dhe në Ballkan”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura