“Toka që ne shkelim”, një Evë në kërkim të kufijve të dhimbjes

Jan 17, 2019 | 15:49
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/  “I gjunjëzuar përdhe, ka nisur të gërmojë dheun me duar të nxjerrë lagështinë e tij, thesarin mbi të cilin lartësohen frytet e shëndetshëm. Mjekrën e ka të njollosur me dheun e lagësht, si të kishte bërë me të ndonjë banket.

toka-qe-shkelim

Qëndron aty, në heshtje, përkarshi meje, me duart e zhytura në dhe”. Kush është ai burrë me atë xhaketë zonjërisht, por i pistë e me pamje lypsari? Ç’kërkon në pronat e saj, që në të vërtetë nuk janë as të sajat… Ajo është gruaja e një kolonizatori, e një burri dikur të pushtetshëm, por që tashmë dergjet i pafuqishëm pranë saj, i plakur dhe me një mendje të shprishur, e cila i kthehet me të rrallë… Tashmë Josifi ka marrë udhën e tij, ndërsa ajo nis një “rrugëtim” në kërkim të historisë së burrit, që ka “pushtuar” kopshtin dhe vetë jetën e saj.

“Toka që shkelim” titullohet një ndër romanet e kolanës së veprave fituese të Çmimit të Europës, sjellë në shqip nga përkthyesi Krenar Hajdëri dhe shtëpia botuese “Fan Noli”, mbajtëse e të drejtave për të botuar këtë kolanë për vitin 2017. “Toka që shkelim” ka për autor shkrimtarin spanjoll Jesus Carrasco dhe konsiderohet si një nga veprat më të mira, të përzgjedhura si fituese të këtij çmimi.

Një vepër që synon të hulumtojë thellë në natyrën njerëzore, në lidhjen e tij me tokën, nga e cila është krijuar e në zemrën e së cilës do të kthehet sërish, por edhe tokën si koncept gjeografik, atë ku ke lindur dhe atë ku jeton. Një hulumtim në dashurinë njerëzore, në atë që zbulohet për tjetrin, pavarësisht se ai është i huaji; një hulumtim drejt kufijve të dhimbjes, atje ku të drejton vdekja e një njeriu të shtrenjtë, ashtu siç mund të jetë ikja nga kjo jetë e një biri apo mbajtja e dorës së një trupi të pajetë; tmerrin e luftës, të pushtimit, të zotërimit, të mbijetesës dhe të dëshmisë.

Me një gjuhë të pasur, të zhdërvjellët, ku ndihet një koloristikë e fshehur iberike, Carrasco, i datëlindjes 1972, na kthen një shekull më parë, kur Spanja ishte pjesë e ALMA MILE perandorie të paanë që shtrihej nga Rusia në Afrikë. Carrasco flet me zërin e një gruaje. Eva Holman, gruaja e kolonelit në pension Josif Hofman, i regjimentit VI të Pushkatarëve të Madhërisë, bën një jetë të tërhequr në fermën e saj, me bashkëshortin, dikur një ushtarak me nam të madh. Jeta e saj do të ndërrojë tërësisht kur në oborrin e saj ia beh një i panjohur, ndoshta një vendas, ndoshta një i burgosur i arratisur, të cilin ajo nuk mund ta mbajë në pronat e saj.

Por kureshtja dhe një dëshirë e brendshme e shtyn që ta mbajë aty, pse jo edhe ta fshehë. Historia e saj tashmë gërshetohet me atë të panjohur, që quhet Leva. E ndërsa përpiqet të kuptojë se cili është ky burrë, të ndërtojë rrugëtimin e tij me kamion mes kufomave që nisin të dekompozohen, teksa varros të afërmit, njerëzit që dikur kishte njohur, teksa rraskapitet në një kamp pune, duke prerë trungje pemësh nën vështrimin dhe bajonetat e ushtarëve; Eva Holman gërmon edhe brenda jetës së saj. “Të jetë si të jetë, unë nuk kam ndër mend të vdes përpara se të kem zgjidhur zinxhirët që tani jeta ka vendosur të duart e mia.

Dhe nuk është aspak njeriu i kopshtit, as miratimi im kundër natyrës, as qetësia ime, as pyetjet apo qortimet që nuhas në dergjjen e tij. Por jo vetëm kaq. Jam unë ajo që, tani, pikërisht atëherë kur nuk duhej, kam nisur të kuptoj se deri tani kam jetuar jetën e dikujt tjetër”, thotë Eva. Sa më shumë përpiqet me penë në dorë e me të tjera hulumtime të ndërtojë historinë e Levës, aq më shumë ajo përzihet me të sajën dhe vjen një moment kur ato të dyja shkrihen në një, siç do të thotë ajo “të bashkuar të gjithë në një aliazh të pashkatërrueshëm. Ndoshta, siç thonë, njëherë e në një kohë kemi qenë një. Jo një trup i vetëm, por një qenie e vetme. Ne, pemët, shkëmbinjtë, era, uji, sendet e përdorimit të përbashkët. Toka”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura