“Together for Life”, prezantohet raporti për kopshtet në Tiranë

Oct 19, 2017 | 12:49
SHPËRNDAJE

“Një shqetësim në kopshtin tonë është numri i madh i fëmijëve, duke qenë se Njësia Numër 5 është një ndër më të mëdhatë. Numri i fëmijëve arrin deri në 40 apo 45 fëmijë në grup, gjë që është shumë e vështirë për t’u menaxhuar. Ndërkohë numri i edukatorëve është shumë i vogël”, kështu u shpreh Manjola Ismailaj, kryetare e bordit të prindërve të kopshtit nr. 11, gjatë aktivitetit përmbyllës “Lëviz për Kopshtin Tim”, mbështetur nga “Lëviz Albania”, i cili kishte për qëllim prezantimin e raportit mbi rezultatet e nxjerra nga procesi i monitorimit, si dhe lobimin për përfshirjen e rekomandimeve në axhendën e Këshillit Bashkiak.

Gjatë prezantimit të raportit “Lëviz për kopështin tim”
Gjatë prezantimit të raportit “Lëviz për kopështin tim”

Gjatë prezantimit të raportit me gjetjet e monitorimeve të kryera në 43 kopshtet publike të Tiranës, Alma Kordoni, menaxhere e projekteve në shoqatën “Together for Life”, theksoi se asnjë nga kopshtet nuk i plotëson të gjitha standardet. Kordoni vuri theksin te fenomeni i mbikapaciteteve të hapësirave. Në 89% të kopshteve të monitoruara (nga të cilat 24 janë të nismës “Adopto një kopsht”), prej të cilave u morën informacione të sakta dhe të plota, vihet re një numër fëmijësh për grup përtej normave të këshilluara për mirërritjen e tyre.

Ajo foli edhe për sigurinë e fëmijëve, ku 92.7% e kopshteve të qytetit të Tiranës (nga të cilat 23 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk kanë dalje sigurie dhe 73.2% e kopshteve (nga të cilat 19 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk kanë sinjalistikë që të të udhëheqë drejt daljeve të emergjencës. Ndërkohë, sipas përgjegjëses së sektorit të administrimit të çerdheve dhe kopshteve në qendrën ekonomike të zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve, Alda Kapllani, Bashkia e Tiranës ofron shërbim në 45 kopshte, në infrastrukturë, bazë materiale dhe ushqim.

Kapllani theksoi se në disa kopshte numri i lartë i kërkesave për regjistrim ka sjellë që raporti edukator-fëmijë të cenohet dukshëm. E ftuar në aktivitet ishte edhe deputetja Floida Kërpaçi, e cila theksoi se prindërit, institucionet dhe shoqatat së bashku duhet të bëhen një zë akoma më i fortë për të lobuar për të pasur një buxhet më të madh në vitin 2018, sa u përket investimeve në kopshte dhe çerdhe.

“Unë kam një bindje se kur vjen puna për çështje kaq të rëndësishme, duhet të bëhemi të gjithë bashkë. Për këtë unë po mendoja që të bënim edhe një dëgjesë në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ku unë bëj pjesë. Kështu që, javën e ardhshme ne mund të bëjmë edhe një dëgjesë në Parlamentin e Shqipërisë së bashku me shoqatën, për t’i ngritur këto shqetësime, por edhe për të pritur një përgjigje, sepse duhet të dimë se ku jemi dhe ku do të shkojmë”, vijoi Kërpaçi.

Tefta Haxhia, drejtore e kopshtit “Xixëllonja”, foli për fëmijët me aftësi ndryshe, që janë brenda ambienteve me fëmijët e tjerë, duke theksuar se kanë nevojë për më shumë kushte. Haxhia përmendi nevojën e një mësuesi ndihmës, duke nxitur drejtuesit të lobojnë së tepërmi për të rritur standardin dhe për të përmirësuar shërbimet. Pjesë e panelit ishte dhe Ardit Çela, anëtar i Këshillit Bashkiak, i cili ka ndjekur një nga çështjet më problematike të diskutuara në forumet komunitare: Vendosjen e sinjalistikës në kryqë- zimin “Llambi Bonata” dhe “Haki Stërmilli” në Njësinë numër 6 të qytetit të Tiranës.

Çela sugjeroi se bashkia duhet të kontraktojë ambiente private, derisa të bëhet ndërtimi i kopshteve të reja, në mënyrë që të përballohet numri i lartë i fëmijëve. Ai foli gjithashtu për mundësinë e organizimit të një mbledhjeje jashtë radhe, me nga një përfaqësues nga të gjithë aktorët dhe gjetjet t’i paraqesin si udhërrëfyes për të rritur performancën, pasi realisht është një çështje mjaft sensitive.

“Së bashku me ju, unë jam i gatshëm që të shkruajmë disa prej gjetjeve kryesore dhe t’ia prezantojmë komisionit të financës”, përfundoi Çela. Pjesë e diskutimit u bënë prindër, përfaqësues të bordeve të prindërve, përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Këshillit Bashkiak, mjekë, psikologë, drejtues të kopshteve, përfaqësues nga institucionet që punojnë për arsimin parashkollor, të cilët shprehën hapur mendimin e tyre për përmirësimin e situatës në kopshte.

“Lëviz për kopshtin tim” është një projekt i zbatuar nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetet nga “Lëviz Albania”, me synimin për të nxitur angazhimin e qytetarëve të Tiranës për të ushtruar kontroll mbi vendimmarrjet dhe proceset këshillimore të Bashkisë për kopshtet e kryeqytetit.

Elena Beta

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura