“Togerin e Sigurimit në Durrës e dërguan me mision sekret në Greqi dhe s’u kthye më, në ’66-ën na treguan për fatin tragjik” -Dëshmia e vëllait dhe “kolegëve”

May 3, 2020 | 12:03
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur të Kostandin Kazanxhiut nga qyteti i Durrësi, i cili pasi kishte qenë një nga atentatorët kryesorë të njësiteve guerile të Durrësit gjatë periudhës së Luftës ku dhe u arrestua nga gjermanët, shkoi partizan në Grupin e Pezës dhe në Brigadën e 22 Sulmuese, duke luftuar deri në Vishegrad të Jugosllavisë.

20200331_160953-750x375

Emërimi i tij në Seksionin e Sigurimit të Shtetit menjëherë pas mbarimit të Luftës, duke u dërguar me një mision sekret në Greqi, prej nga nuk u kthye më dhe familjes së tij, vetëm në vitin 1965-së i treguan se ai ishte shpallur “Dëshmor i Atdheut”, dhe e dekoruan me “Medaljen e Trimërisë”, si dhe emrin e tij i’a vunë një rruge në qytetin bregdetar të Durrësit. Dëshmia e të vëllait Alfred Kazanxhi dhe ish-kolegëve të tij shqiptar e grekë, për misionin sekret në Greqi.

“Aty nga viti 1950 erdhi dhe më takoi oficeri i lartë i Ministrisë së Brendshme Hilmi Seiti, i cili më njoftoi se vëllanë tim, Kostandinin e kishin kapur grekët gjatë kryerjes së një misioni. Hilmiu më porositi që familja jonë duhet të kishte kujdes dhe të ruhej nga ndonjë provokacion i mundshëm që mund të na bëhej. Pak muaj më vonë aty nga janari i vitit 1951, njerëz të ndryshëm e të afërmit tanë na njoftuan se Koçon e kishin ekzekutuar në Greqi dhe këtë lajm ata e kishin dëgjuar nga Radio-Londra dhe disa radio të tjera greke, të cilat i’u referoheshin komunikatës zyrtare të Qeverisë Greke. Edhe pas këtij lajmi, ne përsëri kishim shpresa se mos Koço ishte i gjallë dhe nisur nga kjo, vëllai tjetër, Ernesti, që ishte oficer me gradën e majorit, gjatë një parade ushtarake e i’u drejtua Mehmet Shehut, duke e pyetur se si ishte e vërteta rreth vëllait tonë Kostandinit”. Kështë na dëshmonte Alfred Kazanxhi, ish-Jurist i Ministrisë Drejtësisë i diplomuar në Bashkimin Sovjetik, i cili për herë të parë rrëfente historinë e zhdukjes pa asnjë gjurmë të vëllait të tij Kostandinit, ish-oficerit të Sigurimit të Shtetit.

Kazanxhi në misionin sekret në Greqi

20200502_233025-1-456x375

Po kush ishte Kostandin Kazanxhi, cila ishte e kaluara e tij dhe në çfarë rrethanash u kap ai nga autoritetet greke? Aty nga janari i vitit 1946, ministri i Brendshëm Koci Xoxe dhe ndihmësi i tij, kolonel Myftar Tare, thirrën urgjent në Ministri një grup ushtarakësh prej 10-12 vetësh ku bënte pjesë dhe toger Kostandin Kazanxhi, e u komunikuan atyre se ishin ngarkuar për të kryer një mision tepër sekret që kishte të bënte me ndihmën që Qeveria Shqiptare do t’u jepte partizanëve grekë të EAM-it, të cilët asokohe luftonin për të përmbysur Qeverinë e Kryeministrit Caldaris. Sipas dëshmisë së Iliaz Lumanit, njërit prej atyre 12 ushtarakëve që u ngarkuan me atë mision, oficerët shqiptarë do të mbanin lidhje të vazhdueshme dhe do të bashkëpunonin me krerët kryesorë të Partisë Komuniste Greke, që kryesohej nga Niko Zaharjadhis dhe Shtabin e partizanëve, i cili ishte vendosur në Malin e Gramozit dhe komandohej nga gjeneral Marko Vafjadhis.

20200502_232958-431x375

Kjo ndihmë konsistonte në furnizimin me ushqime, veshmbathje armë e paisje të tjera luftarake si dhe kurimin e partizanëve grekë të plagosur në Shqipëri. Në këtë mision, toger Kazanxhi u ngarkua si përgjegjës grupi dhe kreu disa detyra të rëndësishme, kryesisht në zonën kufitare të Malit të Gramozit dhe në fshatin Nikolicë, ku ishte vendosur pika kryesore sekrete ku bëheshin takimet me ushtarakët lartë grekë dhe krerët e EAM-it. Aty nga fundi i verës së vitit 1948, Kostandini u kap rob dhe u arrestua nga forcat qeveritare greke. Po në çfarë rrethanash ndodhi arrestimi i Kostandinit dhe cili ishte misioni që ishte duke kryer ai?

Dëshmia e partizanëve grekë

20200415_232803-617x375

Lidhur me arrestimin e Kostandinit, kanë dëshmuar disa nga ish-partizanët grekë të quajtur Jorgo Kondalanis, Panajotis Kollovos, Nikollau Pllastiras dhe Isidoros Rozaqis, të cilat kanë qenë së bashku me të gjatë atij misioni (dëshmia e tyre është përkthyer nga Spiro Kallo) ku ata shprehen: “Ne ishim në dijeni për ardhjen e Koços në Greqi, sepse sipas kërkesës së Shtabit tonë, në shtatorin e vitit 1948, Qeveria shqiptare do të na dërgonte një anije me armë e materiale të tjera luftarake. Sipas urdhërit, ne dolëm për ta pritur atë në vendin e caktuar në limanin e vogël të Teraka në Jugëlindje të Lekonisë, në gadishullin e Peleponezit. Përpara se të vinte kjo anije që e shoqëronte Koço, aty nga prilli i vitit 1948, kishte ardhur dhe një anije tjetër, e cila hyri në portin e Lekonisë dhe pasi e shkarkoi mallin, u largua pa u diktuar. Ndërsa anija që e shoqëronte Koço, nuk i pa sinjalet tona të cilat ishin me ndezjen e zjarreve dhe ajo u fut në drejtim të skelës fare pranë qytetit, ku pasi pa dritat tentoi të largohej duke ecur anash skelës, por aty u ndesh në një shkëmb. Në atë kohë nga zhurma që u krijua, ajo u diktua nga një anije patrulluese e marinës greke (forcat qeveritare) e cila menjëherë u nis në drejtim të saj, por u gjend në zjarrin që hapi anija ku ishte Koço. Në atë kohë, ne që ishim në pritje të anijes shqiptare, pamë që u bë alarm dhe një avion grek i cili fluturoi ulët duke mitraluar anijen shqiptare. Nga bombardimi që ai avion i bëri anijes, ajo u shkatërrua pothuaj plotësisht, kurse Koço me pesë pjestarë të ekuipazhit të saj mundën që të shpëtonin gjallë pasi u hodhën në det dhe duke notuar dolën në breg ku i prisnim ne. Pasi u takuam ne ikëm në thellësi të maleve, duke u ndarë në tre skuadra me nga pesë-gjashtë vetë. Koços i takoi që të ishte në një skuadër me komandantin grek, Jorgos Kondalanis, dhe qëndroi bashkë me ne në mal deri aty nga fundi i shtatorit 1949. Në atë kohë, ne ndodheshim në një gjëndje të vështirë dhe në një rast na u desh që të afroheshim në një fshat ku gjetëm disa mollë për të ngrënë dhe pasi u larguam që andej, disa ushtarë grekë të Reparteve të Ndjekjes, kishin parë mbeturinat e mollëve dhe duke dyshuar se aty kishte lëvizje, forcuan kontrollin dhe qëndruan për një kohë të gjatë në pritje të ardhjes sonë atje. Duke mos e ditur se kishim rënë në gjurmë të Reparteve të Ndjekjes, pas disa ditësh ne u kthyem përsëri në atë vend dhe aty ramë në grackë e u gjetëm të rrethuar nga repartet e asfalisë greke që ishin pozicionuar mirë dhe filluan të në qëllonin. Pas kësaj filloi përpjekja me armë ku na u vranë dhe u plagosën disa shokë, ndërsa disa të tjerë mundën që të largoheshin duke çarë rrethimin. Në atë përpjekje u plagosëm dhe unë (Komandanti Jorgos Kondalanis) e Koço, me nga një plagë të lehtë në këmbë. Në këtë gjendje unë (Kondalanis) dhe Jorgo, mundëm që të largoheshim që andej duke lënë disa shokë të vrarë e u fshehëm në një pyll. Pas ca kohësh nga mungesa e ushqimeve, Koço u detyrua dhe zbriti poshtë në një fshat që të na siguronte ndonjë gjë për të ngrënë dhe u fut në një dyqan bakalli. Shitësi i atij dyqani i cili ishte vënë në shërbim të reparteve të asafalisë, porsa e pa Koçon, dyshoi për atë njeri të panjohur, e menjëherë i nxorri pistoletën dhe e ndaloi aty, deri sa shkuan repartet e ndjekjes që ishin aty pranë dhe e arrestuan menjëherë. Pas kësaj atë e dërguan në burgjet e Athinës ku iu nënshtrua për një kohë të gjatë proceseve hetimore. Në atë burg, Koço qëndroi për më shumë se një vit e ca dhe më pas ai i’u nënshtrua procesit gjyqësor ku dhe u dënua me vdekje i akuzuar si agjent i huaj dhe u ekzekutua në 27 dhjetor të vitit 1951”, përfundon dëshmia e ish-partizanëve grekë të EAM-it, të cilët në shtatorin e vitit 1949, kishin dalë në limanin e vogël në afërsi të Peleponezit në pritje të anijes shqiptare të ngarkuar me armë e cila shoqërohej nga togeri i Ministrisë së Punëve të Brendëshme të Shqipërisë, Kostandin Kazanxhi.

Në 1965, njoftohet familja dhe shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Po çfarë dëshmojnë ish-kolegët e Koços dhe si e kujtojnë vëllezërit e tij takimin e fundit me të? Ish-togeri i Sigurimit Iljaz Lumani kujtonte: “Ndonëse Koçon e torturuan barbarisht gjatë hetuesisë dhe problemin e tij Qeveria greke e ngriti deri në OKB, ai nuk e hapi gojën dhe nuk tregoi asnjë fjalë për ne shokët e tij që vazhduam edhe për disa vjet misionin tonë në Greqi”. Kurse i vëllai, Alfred Kazanxhi, dëshmonte: “Kur u takuam për herë të fundit me Koçon, ai na përqafoi fort dhe duke qeshur na tha: ‘Nuk kthehem më’. Nga ato fjalë ne e kuptuam se kishte marrë përsipër një aksion tepër të vështirë që mund të ishte i fundit për të, por ai nuk e kundërshtoi urdhërin që i ishte dhënë dhe u nis. Ndonëse nga burime të ndryshme ne mësuam disa gjëra rreth vëllait tonë, deri nga viti 1965, shteti nuk na dha asnjë njoftim zyrtar për fatin e tij. Atë vit na thirrën në Komitetin Qëndror mua dhe nënën dhe aty na u komunikua zyrtarisht se: Kostandini u shpall dëshmor i atdheut dhe pas disa kohësh na sollën në shtëpi dekoratën “Urdhëri i Trimërisë” që i’a akordoi Kuvendi Popullor dhe për çdo 5 maj na vinin për vizita shokët e tij e ata të udhëheqjes. Që pas asaj kohe unë jam takuar me shumë nga ish-shokët e Koços që kishin punuar bashkë në atë mision, si dhe me disa ish-partizanë grekë të cilët më kanë treguar se ai ishte kapur me tradhëti, pasi njëri nga antarët e ekuipazhit të anijes që u nis nga Durrësi, i cili ishte dhe komisar i atij grupi, i futi ata në kurth duke i përplasur me marinën greke”, përfundonte rrëfimin e tij Alfred Kazanxhi, për vëllanë Kostandinin, i cili u ekzekutua nga grekët në dhjetorin e vitit 1951, teksa kishte shkuar aty “për arsye shtetërore” dhe akoma e sot familja nuk ka asnjë të dhënë se ku ndodhet varri i tij.

Kush ishte Kostandin Kazanxhi?

Kostandin Kazanxhi u lind në qytetin e Durrësit në vitin 1923 në një familje nënpunësish të mesëm ku asokohe babai i tij, Dhimitri, punonte si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, si dhe këshilltar ekonomik pranë Shoqërisë SINGER. Pas mbarimit të shkollës Unike në qytetin e Durrësit, Kostandini u dërgua nga familja në qytetin e Vlorës për të ndjekur mësimet në shkollën e mesme Tregtare, të cilat u detyrua që t’i ndërpriste pas dy vjetësh, për shkak të gjëndjes së vështirë ekonomike ku u ndodh familja e tij. Por, gjatë atyre dy vjetëve që ai qëndroi në Tregtaren e Vlorës, Koço ra në kontakt me idetë komuniste dhe morri pjesë në disda demonstrate që u organizuan nga nxënësit e asaj shkolle, së bashku me Skënder Çelën, Vllas Arapin, Ndue Palin etj. Pasi u kthye në qytetin e Durrësit, ai filloi punë si çirak në disa lokale dhe më pas si kryepunëtor në Portin Detar të Durrësit. Aty nga viti 1941-’42, kur në qytetin e Durrësit filloi të organizohej Lëvizja Antifashiste, Kostandini së bashku me dy vëllezërit e tij, Alfredin dhe Ernestin, motrën, Krisafgjinë, dhe nënën Pandorën, ishin nga të parët që u aktivizuan familjarisht në grupet edukative dhe celulat e para komuniste të qytetit bregdetar. Menjëherë pas formimit të Partisë Komuniste, Kostandini morri pjesë si një nga anëtarët kryesorë të njëstive guerile të atij qyteti, duke u dalluar në disa aksione, si: ai i rrëmbimit të armëve të tregtarit, Gjon Zaja, në rrëmbimin e shaptilografëve të shkollës Qytetëse, në rrëmbimin e sheqerit që ishte depozituar në një magazinë të degës së Bankës së Shtetit të atij qyteti, në aksionin e rrëmbimit të armëve në Marinën italiane, në atentatin kundër togerit, Gj. V., etj. Që nga fillimi i vitit 1942, shtëpia e tyre u bë një nga bazat kryesore të Luftës në të gjithë rrethin e Durrësit, ku u strehuan për një kohë të gjatë edhe disa nga eksponentët kryesorë të udhëheqjes së lartë komuniste të PKSH-së dhe shokë të tjerë ilegalë të tyre e partizanë tëv plagosur. Po kështu, në banesën e familjes Kazanxhi, (baza e tretë komuniste më e madhja dhe më e rëndësishmja në rrethin e Durrësit), u bënë disa mbledhje të fshehta, ku u grumbualluan, armë, municione, ushqime, veshëmbathje, të cilat nga aty më pas dërgoheshin në zonën e Pezës. Në verën e vitit 1943, Kostandini u ngarkua dhe morri pjes ënë formimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të Manzës dhe fshatrave të tjerë të asaj zone. Pak kohë më vonë, duke qenë se ra shumë në sy të italianëve, Kostandini u caktua që të dilte partizan në Grupin e Pezës (Batalioni i Shijakut), ku u caktua si përgjegjësi i rinisë komuniste. Më 19 nëntor të vitit 1943, ai u ngarkua që të kryente një aksion në qytetin e Durrësit, ku u arrestua nga gjermanët dhe u mbajt në burg deri në prillin e vitit 1944. Pasi doli nga burgu, ai erdhi në Tiranë dhe punoi në ilegalitet, deri në gushtin e atij viti dhe përsëri shkoi në Grupin e Pezës. Mbas formimit të Brigadës 22 Sulmuese, ai u inkuadrua pranë saj me detyrën e përgjegjësit të rinisë së Batalionit të IV-ët dhe pas një muaji me detyrën e komisarit të kompanisë. Në përbërje të asaj brigade, Kostandini morri opjesë në të gjitha luftimet që zhvillou ajo sin ë Shijak, Pukë, Shkodër, Deçiç, Tuz, Podgoricë, e deri në Vishegrad të Bosnjës, në Jugosllavinë e asaj kohe. Menjeherë pas mbarimit të Luftës në fundin e nëntorit të vitit 1944, ai u emërua me punë pranë Seksionit të Punëve të Brendëshme të Qarkut të Durrësit, (dega e Sigurimit) dhe për disa kohë u dërgua në Fermën e Xhafzotajt, ku ndihmoi për zbatimin e Reformës Agrare në atë zonë. Në fillimin e vitit 1946, Kostandini u ngarkua me një mision sekret në Greqi dhe nuk u kthye më, pasi humbi jetën pa asnjë gjurmë. Vetëm në vitin 1965-së, familja e tij u njoftua zyrtarisht se ai ishte shpallur “Dëshmor i Atdheut”, dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me “Urdhërin e Trimërisë” me motivacionin: “Për qëndrim revolucionar dhe të paepur para organeve hetimore dhe gjyqësore të monarko-fashistëve grekë, për besnikëri deri në vdekje ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë”. Më pas me emrin e tij u pagëzua një nga rrugët e qytetit bregdetar të Durrësit dhe gjithashtu u bë një varr simbolik në Varrezat e Dëshmorëve të atij qyteti. Pas viteve ’90-të, me propozim të Shoqatës “Durrësi”, Bashkia e Durrësi i akordoi titullin “Mirënjohja e Durrësit”./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura