Toga e vogël e Shkollës së Bashkuar dhe Dhjetori ‘90

Dec 10, 2015 | 11:41
SHPËRNDAJE
Alban Zeneli
Alban Zeneli

ALBAN ZENELI

Kur afrojnë ditët e dhje torit historik, më vjen ndërmend një ngjarje e vogël, por sa më shumë  kalon koha, aq më shumë rriten përmasat e saj, aq më shumë zmadhohet mesazhi. Unë isha një student në vit të tretë në atë periudhë, në Shkollën e Bashkuar, në degën e Zbulimit. Në atë pak liridalje që kishim bashkë me shokë të tjerë, shkonim vazhdimisht në Qytetin Studenti.

Ishte një mjedis ndryshe, civil, më i hapur, dhe zërat kundër regjimit, pakënaqësitë e para kishin nisur. Sot për të rinjtë është mbase e kollajtë të mendohet, por duhet një kthim në kohë, në atë atmosferë mbytëse, për të kuptuar se sa guxim lypsej të shprehje diçka, një denoncim, një kontestim sado të vogël, qoftë edhe në dhomën tënde në konvikt, në mensë, apo me një grup të ngushtë shokësh. Diçka kishte nisur të krisej dhe disa mendime të ndryshme nga ato uniforme me matricë filluan të qarkullojnë qysh në verën e vitit 1990, kur ne mbyllëm sezonin dhe u kthyem në qytetet tona për dy muaj pushime.

Sigurisht, në vendlindjen time, në Kukës, atmosfera ishte edhe më shtypëse. Pakënaqësitë e Tiranës nuk kishin mbërritur ende, dhe nëse ishin rrugës, ndaleshin me forcë. Po flasim për një skaj verilindor ku Policia, Sigurimi i Shtetit, Ushtria dominonin absolutisht jo vetëm territorin, por dhe psikikën e zonës. Viti i tretë filloi dhe gjithnjë e më shpesh shkoja në Qytetin Studenti, ku kisha shokë e kushërinj. Më interesantë ishin studentët e Letërsisë.

Ata ishin edhe më kritizerët. Kishin filluar të citonin një poet që kish thënë: Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë. Ngjarjet e ambasadave kishin nxitur mendimin ndryshe, e qëndrime që dukeshin herezi për kohën, por që nisën të shpeshtoheshin. Këto u bënë bisedat e përditshme. Revoltat nisën për kushtet e këqija në Qytetin Studenti, për mungesën e dritave e të ushqimit. Imagjinoni një vakt të asaj kohe, racion buke, çaj dhe dy lugë marmalatë.

Por në sfond qëndronte diçka më e madhe, ideja e një ndryshimi të mundshëm. Regjimi në fuqi e ndjente dhe kishte filluar të merrte masa represive. Ishte pikërisht më 8 dhjetor kur studentët që nisën demonstratat, morën rrugën drejt Tiranës, kur ne, studentëve të Shkollës së Bashkuar, na u kërkua të shkonim e të krijonim barrikada bllokuese. Partia në pushtet i kishte shpresat më të mëdha pikërisht te bijtë e saj që po rriste në Shkollën e Bashkuar, jo vetëm me disiplinë ushtarake, por mbi të gjitha, me porcionet e mëdha të ideologjisë komuniste. Iu kërkua gjithë studentëve të shkojnë në Rrugën e Elbasanit, dhe na armatosën me lopata. Ne ishim një togë në një makinë ushtarake. Partia kishte shfrytëzuar me djallëzi edhe një fakt tjetër.

Studentët e Shkollës së Bashkuar kishin një rivalitet të heshtur me ata të Qytetit Studenti. Pasi këta të fundit, kishin një superioritet, siç thuhej, ishin më të kulturuar, më të avancuar, më modernë. Pra Partia në pushtet, donte të nxiste e të shfrytë- zonte edhe këtë urrejtje të heshtur mes nesh dhe atyre të Qytetit Studenti. Mendoni se sa fatale do të ishte një përplasje mes më shumë se 2000 mijë studentëve të Shkollës së Bashkuar dhe studentëve të revoltës. Jo vetëm përgatitja jonë fizike dhe sendet që kishim me vete, por dhe një revansh i mundshëm ndaj atyre më të diturve e mendjemëdhenjve, siç i etiketonin në atë kohë, do të sillte një pasojë të rëndë te të revoltuarit. Ishim pikërisht në urën e Lanës në Rrugën e Elbasanit, kur nisëm të mendojmë se ku po shkojmë? Kundër kujt do të luftojmë?

Kundër shokëve, vëllezërve tanë. Kush- ërinjve tanë. Në këto e sipër, shpërthyem gjithë toga brenda asaj makine ushtrie, duke brohoritur: Jemi me studentët! Jemi me studentët! Dhe ndaluam makinën, zbritëm dhe nuk pranuam të bëheshim skuadra antirevoltë e regjimit. Pikërisht, Shkolla e Bashkuar, ajo strukturë ku Partia kishte ngritur ideologjinë e monumentin e saj, dha sinjalin e parë të solidaritetit me revoltën. Kjo ishte një goditje e fortë dhe shkaktoi tronditje te drejtuesit dhe eprorët. Unë dhe shokët e mi nuk u kthyem në ambientet tona, por kapëm një autobus, afër Farmacisë 10, dhe u nisëm për në Qytetin Studenti. Ishim të frikësuar, e dinim se pasojat ndaj nesh do të ishin të rënda. Në autobus dëgjuam shumë qytetarë që kishin marrë vesh për ngjarjen dhe po flisnin me respekt për djemtë e Shkollës së Bashkuar.

Kjo ishte një shtysë e madhe, një inkurajim i madh për revoltën që solli një togë e vogël e degës së Zbulimit. Për shumë vite, Shkolla e Bashkuar shpesh është edhe demonizuar. Dhe kjo lidhet me ngjarjet, disa muaj më vonë, me bustin e diktatorit. Por edhe ajo nuk u organizua nga studentët, por nga struktura të Sigurimit e Policisë Sekrete, dhe persona të cilët njihen sot nga publiku e që nuk kishin lidhje me Shkollën.

Por ngjarje si kjo që kam jetuar vetë, duhen treguar për të bërë të qartë për opinionin se tek ai ambient, me disiplinë të fortë ushtarake e ideologjike, lindën filizat e parë të Lirisë dhe Demokracisë që po vinte.

*Deputet i PD

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura