VIDEO/ Tmerri me 5 të plagosur te Rruga e Kavajës/ Kjo nuk ishte vepra e parë penale e autorit, zbulohet ngjarja për të cilën ishte në kërkim nga policia

Apr 19, 2021 | 16:36
SHPËRNDAJE

Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me autorin e plagosjes së pesë personave brenda ambienteve të xhamisë “Dine Hoxha” te Rruga e Kavajës.

Gazetarja e “Panorama.al”, Etleva Delia raporton se autori 34-vjeçar Rudolf Nikollaj kishte qenë në kërkim nga policia deri në datën 12 prill. Ai ishte në kërkim nga “blutë” pasi në 10 mars kishte plagosur me thikë në këmbë një person. Më konkretisht, mësohet  se në rrugën “Kastriotët” ai kishte plagosur me thikë shtetasin Robert Kurti.

I dëmtuari e kishte denoncuar në Komisariatin Nr. 3 që ishte vënë në kërkim të autorit. Në njoftimin e datës 10 mars, Policia bënte me dije:  “Më datë 10.03.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, dhe punohet për kapjen e shtetasit në kërkim R. N., 34 vjeç, pasi në rrugën “Kastriotët”, ka goditur me një mjet prerës (e dyshuar thikë), shtetasin R. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”.

Gazetarja e Panorama.al bën të ditur se Rudold Nikollaj është marrë në pyetje nga agjentet e antiterrorit, për të shuar dyshimet se pas këtij akti mund të jetë një sulm i organizuar terrorist. Ndërkohë që burime bëjnë të ditur se 34-vjeçari dyshohet të jetë me probleme mendore.

Pas 1 muaji kërkimet për të janë shuar. Por duket se ngjarja është përsëritur sot edhe më rëndë se më pari, pasi të plagosur mbetën 5 persona dhe skena ndodhi në një objekt kulti.

Të plagosurit janë: Amri Tola, 23 vjeç, Donard Koçi, 35 vjeç, Kleon Jaupaj, 26 vjeç, Mariglen Konja, 24 vjeç, dhe Sebah Peposhi, 22 vjeç.

Burime nga Spitali Ushtarak konifrmojnë për “Panorama” se gjendja e të plagosurve nuk është e rëndë, dhe ndërkohë po kryhen ekzaminimet e nevojshme.

Rreth orës 14:30 34-vjeçari Rudolf Nikollaj, është futur në ambientet e xhamisë duke plagosur me thikë 5 persona. Mbeten ende të paqarta rrethanat se si është futur agresori në objektin e kultit.

Imami Ahmed Kalaja u shpreh se ai ka qëlluar jo vetëm mbi besimtarët që ndodheshin në rrugë, por edhe kalimtarë të rastit. Nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një person me probleme mendore, apo nëse pas ngjarjes fshihen arsye të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura