Tmerri i lokaleve, kamerierja “Ela” falet nga 2 pronarët që i vodhi. Nuk do ta padisin

Jul 31, 2015 | 8:03
SHPËRNDAJE

Dy prej pronarëve të lokaleve ku vetë “kamerierja Ela”, 30- vjeçarja e arrestuar, Emanuela Malaj, kishte rrëfyer se ka vjedhur, nuk kanë pranuar ta denoncojnë atë në Polici.

Pronarët e lokaleve janë thirrur për të dëshmuar bashkë me një person të tretë, që po ashtu kamerierja “Ela” i kishte përmendur në dëshminë e saj. Burime nga Policia e Tiranës thanë se e dyshuara, përveç 4 rasteve të vjedhjeve që akuzohej fillimisht nga persona që e kishin denoncuar vetë në Komisariatin nr.2, pas arrestimit pohoi se kishte kryer vjedhje edhe në 3 lokale të tjera, duke shpjeguar vendndodhjet e tyre.

Drejtoria e Policise se Tiranes, foto ilustruese
Drejtoria e Policise se Tiranes, foto ilustruese
Nisur nga deklarimet e saj, shërbimet e rendit kanë thirrur për të dhënë deklarime 3 personat që kanë në pronësi këto biznese, dëshmitë e të cilëve do t’i bashkëngjiteshin dosjes hetimore. Megjithatë nga tre të dëmtuarit, vetëm njëri prej tyre ka pranuar të bëjë kallëzim për 30-vjeçaren, ndërsa dy të tjerët kanë pranuar të jenë vjedhur, por nuk kanë preferuar të bëjnë kallëzim.

Sipas tyre, shumat që ajo ka vjedhur në lokalet e tyre janë të papërfillshme dhe duke ditur gjendjen e saj ekonomike kanë vendosur që të mos e kallëzojnë. Ndërsa pronari i lokalit të tretë, 31-vjeçari me iniciale B.H. ka bërë denoncim me shkrim, duke mbështetur deklarimet e të arrestuarës. Sipas tij, para një muaji, 30-vjeçarja që i ishte prezantuar me emrin Ela, është paraqitur në lokalin e tij për të bërë një provë si kameriere dhe në përfundim të turnit ka marrë paratë që ishin grumbulluar, rreth 16 mijë lekë të rinj.

RASTET E REJA

Përveç katër rasteve kur pronarët e lokaleve kishin denoncuar në Policinë e Tiranës një vajzë me emrin “Ela” paraqitej për të punuar dhe pasi përfundonte orarin e provës vidhte xhiron ditore, e dyshuara ka rrëfyer edhe për 3 ngjarje të tjera. Emanuela Malaj ka pohuar para oficerëve të Komisariatit nr.2, që e vunë në pranga të shtunën, se nuk është fajtore vetëm për ato 4 raste që e kishin kallëzuar, por edhe për 3 të tjera që e kishin “falur”, duke mos iu drejtuar Policisë.

Tashmë vetëm dy prej tyre nuk e kallëzuan, pasi i treti vendosi ta denoncojë duke bërë që numri i lokaleve të vjedhura të shkojë në 5.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se ajo ishte denoncuar gjatë dy muajve të fundit nga pronari i një lokali në Rrugën e Dibrës, një tjetri në rrugën “Bill Klinton”, te rruga “Medar Shtylla” dhe te “Komuna e Parisit”. Burimet thanë se dy lokale ajo i ka vjedhur brenda ditës, fillimisht duke punuar turn i parë tek i pari dhe më pas turn i dytë tek i dyti. Pronarët e këtyre lokaleve janë paraqitur brenda ditës, para një muaji e gjysmë dhe kanë depozituar kallëzim në Komisariatin nr.2.

Këto raste i ka pohuar edhe vetë e arrestuara gjatë seancës së marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Rasti i ri që i shtohet dosjes hetimore, është një lokal në afërsi të Rrugës së Durrësit, ku ajo ka pranuar vetë se kishte vjedhur 16 mijë lekë të rinj.

NGA ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura